Museum of Refugees KosovoMuseum of Refugees Kosovo
  • Ballina
  • Storiet
  • Rreth Muzeut
  • Kontakt
  • Ballina
  • Storiet
  • Rreth Muzeut
  • Kontakt

Silvana Marinkoviq

Admin22023-01-30T21:08:31+00:00
https://museumofrefugees-ks.org/wp-content/uploads/2023/01/Silvana-Marinkovic.mp3

Intervistuesja: A mund të prezantoheni për fillim?
Silvana Marinkoviq: Unë jam Silvana Marinkoviq. Përndryshe jam një e shpërngulur nga fshati Slivovë. Kam lindur në Graçanicë, kam jetuar në Graçanicë, por kam qenë i martuar në Slivovë, ku që nga viti 1999 jemi detyruar të largohemi nga fshati Slivovë, që është rreth 14 kilometra nga këtu, në drejtim të Gjilanit. Sepse natën qëllonin në fshat. Atëherë kisha dy fëmijë të vegjël. Njëri ishte atëherë shtatë muajsh, tjetri ishte tre vjeç. Dhe për shkak të sigurisë më është dashur të vij në Graçanicë te familja time. Fatkeqësisht, të nesërmen burri im, duke shpresuar se do të mund ta mbante fshatin, sepse në atë kohë të gjithë duhej të largoheshin nga fshati për arsye sigurie në kolonë me traktorë, kush si mundej. Dikush kishte makinë, dikush kishte traktor; ai mendoi se do të mund t’i kthente njerëzit atje, por nuk mundi. Atë ditë të gjithë u larguan nga fshati. Kështu, unë u largova nga fshati në datën 18 qershor 99 në mbrëmje dhe të gjithë të tjerët u larguan më 19 qershor. Fatkeqësisht, po atë ditë, burri im u rrëmbye nga një fqinj shqiptar. Ai u nis në rrugë për në Smederevë, por nuk arriti as deri në Gjilan. Ai u ndalua në fshatin Llabjan dhe u rrëmbye së bashku me një fqinj dhe një burrë që rastësisht erdhi atë ditë në fshatin Slivovë për të shpërngulur një fqinj tonë. Mirëpo, që nga ajo ditë atyre u humbet çdo gjurmë dhe kështu as pas 23 viteve nuk kemi asnjë informacion për ta nëse janë gjallë ose jo. Në fillim kisha informacione nëpërmjet fqinjëve shqiptarë se… ishte gjallë dhe ishte në kampe. Ata ishin zhvendosur nga ato kampe për 15-20 ditë. Mësova disa herë se në cilin kamp ishte. Normalisht, gjithmonë i kam lajmëruar KFOR-it i cili ishte aty në atë kohë. Megjithatë, atyre iu deshën 15 ditë për t’u përgatitur dhe për të shkuar ta kontrollonin vendin. Mirëpo, kur shkuan pas 15 ditëve, natyrisht, ata mund të gjenin vetëm prova se dikush kishte qëndruar atje, sepse atje poshtë kishte disa batanije, ca pjata të hedhura poshtë, të thyera. Mirëpo, njerëzit nuk u gjetën kurrë. Ishte një makth i madh për ne. Fëmijët e vegjël, ne ishim të shpërngulur. Mirëpo, askush nuk mendonte për atë se a ishim ne në rrugë, a ishim të strehuar diku, a kishim ndonjë gjë. Sepse në atë kohë dola me një tutë, një maicë dhe asgjë tjetër. Mirëpo, për këtë nuk mendoja fare sepse për mua ishte e rëndësishme të dija fatin e burrit tim. Sepse është shumë e vështirë kur mendon se brenda natës gjithçka shembet dhe gjithçka ndryshon. Ndodh diçka që njeriu më së paku e pret në jetë. Edhe pas 23 viteve, ne nuk mund t’u gëzohemi as dasmave apo festave, sepse të jetosh në pasiguri për 23 vjet, duke mos ditur se çfarë ka ndodhur saktësisht, është shumë e vështirë. Është e vështirë kur dëgjon histori të ndryshme dhe ngjarje të ndryshme. Ajo që na lëndon më së shumti të gjithëve si familjarë të rrëmbyerve është shtëpia e verdhë. Dhe është gjithashtu shumë e vështirë dhe shumë e dhimbshme të dihet se ka prova dhe të dihet se kush e ka rrëmbyer apo vrarë dikë, por ato prova nuk janë verifikuar dhe as autorët e atyre krimeve nuk janë vënë para drejtësisë. As pas 23 vjetëve askush nuk u dënua për ato krime. Për bashkëshortin mund të them se e di kush e ka rrëmbyer, por jo vetëm që nuk u morën në pyetje dhe nuk u arrestuan për këtë, por madje u shpërblyen. Ata u shpërblyen nga KFOR-i dhe njëri prej tyre ka filluar të punojë në KFOR e më vonë në UN. E njëri prej tyre ka punuar në Policinë e SHPK-së, edhe pse dihet se ata janë rrëmbyes, për këtë ka dëshmi. Ekzistojnë edhe deklaratat e fqinjëve shqiptarë që i kanë dhënë në atë kohë. Por ja, pa asnjë progres dhe pa asnjë rëndësi, pavarësisht që i kemi të gjitha këto dëshmi, nuk ka asnjë rëndësi për ne familjet. Gjithçka është shumë e vështirë. Është gjithashtu e vështirë të jetosh jashtë shtëpisë tënde. Është e vështirë të jetosh pa asgjë, por gjëja më e vështirë është të jetosh me pasiguri dhe të mos e dish se çfarë ka ndodhur, dhe nuk e din nëse do të zgjidhet ndonjëherë dhe nëse do të zbulohet ndonjëherë. Sepse, për fat të keq, shumë anëtarë të familjeve tona kanë ndërruar jetë pa e ditur fatin e njerëzve të tyre të dashur, i cili ka qenë qëllimi i tyre i vetëm në jetë, i cili është i njëjtë edhe për mua tani. Përveçse qëllimi im është fëmijët e mi t’i nxjerrë në rrugën e duhur, qëllimi im i dytë në jetë është ta zbuloj fatin e burrit tim. Mirëpo, siç po qëndrojnë gjërat tani për tani, nuk mendoj se dikush është i interesuar ta zgjidhë atë. Se dikush po i fsheh shumë mirë provat, po i fsheh autorët e atyre krimeve. Prandaj edhe ata janë pjesëmarrës në ato krime. Mirëpo, kudo që mi kanë thanë të gjitha këto, askush nuk kishte konsideratë për këtë. Ndonëse shpesh shkonim në takime të ndryshme dhe flisnim shumë dhe jepnim deklarata dhe dëshmi, kjo nuk e dha frytin e saj. Në fillim shpresat ishin shumë më të mëdha. Shpresonim se dikush do të merrte masa sepse KFOR-i ishte i pari, në qershor të 99-së. Në gusht të vitit 1999 erdhi Policia e UN-së, menjëherë pas kësaj erdhi policia ndërkombëtare dhe erdhi EULEX-i, por për ne kishte asnjë informacion, nuk kishte informata. Në atë kohë ne duhej të jepnim deklarata çdo tre muaj sepse atëherë KFOR-i ndërrohej çdo tre muaj. Mirëpo, KFOR-i që ishte prezent dhe të cilit ne i jepnim deklaratat në atë kohë, largohej pas tre muajsh, kështu nuk ka askund. A i hedhin ata këto, a i anulojnë?! Në fillim ishte dëshmi me gojë, pastaj më vonë kur pamë që kjo, nuk ka… nuk ja vlente, atëherë duheshim që t’i shkruanim, që të kishte një provë që i kemi bërë ato deklarata.
Intervistuesja: Si e mbani mend periudhën para luftës?
Silvana Marinkoviq: Jetohej shumë më e mirë se tani. Të paktën nga njëra anë mund të shkonim në shtrat në mbrëmje të qetë dhe të flemë të pa mendime të madha. E vetmja gjë për të cilën mendonim në atë kohë ishte se çka… plani për nesër, çfarë do të bëjmë. Mirëpo, tani është krejt ndryshe. Ne biem në gjumë dhe zgjohemi me mendimet tona, çfarë do të ndodhë më pas. A do ta zbulojmë ndonjëherë fatin e të dashurve tanë?
Intervistuesja: A mendoni se mund ta lëmë pas luftën dhe së bashku të ndërtojmë një shoqëri më të mirë në Kosovë?
Silvana Marinkoviq: Epo kjo varet më së paku nga popullata. Ndoshta… besoj se të gjithë do të donin që kjo të rregullohej, sepse askujt nuk i pëlqen të vritet dhe askujt nuk i pëlqen… të ndodhë ajo që ka ndodhur dikur. Megjithatë, nuk varet aspak nga njerëzit, nga banorët. Më së shumti varet nga politikanët. Sa i përket Kosovës, më së shumti varet nga Perëndimi, nga fuqitë perëndimore. Unë mendoj se ata e drejtojnë politikën kryesore. E tyre është fjala kryesore në gjithë këtë. Këtë kam arritur ta kuptoj nga përvoja ime e deritanishme që ata… që ishin ata të cilët i mbrojtën autorët e atyre krimeve. Se ata i shikonin të gjitha ato nga anash, që nuk reaguan kurrë. Kështu që konsideroj se janë… e gjithë kjo, prej tyre varet e ardhmja e të gjithë atyre që jetojnë në territorin e Kosovës. Mirëpo, jam i mendimit se nuk do të doja që fëmijët e mi të qëndronin këtu për të jetuar, do të preferoja që ata të largoheshin nga këtu. Edhe pse kanë kaluar 23 vjet, mendoj se për ne serbët që jetojmë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, ende nuk ka liri të plotë, sepse ende nuk jemi të lirë… nuk kemi liri të lëvizjes, nuk kemi liri të shprehjes në gjuhën tonë amtare. Edhe sot ndodhin incidente të ndryshme, qofshin në rrugë, në kafene, apo në ndonjë qendër tregtare. Në thelb, ne ende përballemi me këtë, me… me pasiguri, dhe kështu që tani për tani ka shumë pak shpresa për mbijetesë këtu. Dhe po ashtu, sa i përket punësimit, të rinjtë nuk kanë ku të gjejnë punë, nuk kanë kurrfarë perspektivë.

Share this post

Facebook Twitter LinkedIn Google + Email

Related Posts

Dragana Smiljaniq

https://museumofrefugees-ks.org/wp-content/uploads/2023/01/Dragana-Smiljanic.mp3 Intervistuesja: Mund të prezantoheni fillimisht? Dragana Smiljaniq: Dragana Smiljaniq nga Lipjani. Kam 13 vjet që jetoj në Lapnasellë. Kam marrë...

Read More

Gorica Mitroviq

https://museumofrefugees-ks.org/wp-content/uploads/2023/01/MITROVIC-GORICA.mp3 Intervistuesja: A mund të prezantoheni për fillim? Gorica Mitroviq: Gorica Mitroviq nga Lipjani. Intervistuesja: Si e mbani mend periudhën para luftës? Gorica...

Read More

Anonim

https://museumofrefugees-ks.org/wp-content/uploads/2023/01/Anonim-6-_2_.mp3 Intervistuesja: Po ja nisim apet prej ngjarjes së Jasharajve. Qysh e man në mend? Me kon je kon? Çka...

Read More

Myrvete Guri

https://museumofrefugees-ks.org/wp-content/uploads/2020/05/Myrvete-Guri.mp3 Bjeshka Guri (intervistuesja) Mirvete Guri (e intervistuara) Akronimet: BG=Bjeshka Guri, MG=Mirvete Guri BG: A po m’tregon diçka për veten fillimisht? MG: Unë quhem...

Read More

Fjolla Dumani

https://museumofrefugees-ks.org/wp-content/uploads/2020/05/Fjolla-Dumani.mp3 Bjeshka Guri (intervistuesja) Fjolla Dumani (e intervistuara) Akronimet: BG=Bjeshka Guri, FD= Fjolla Dumani FD: Jam Fjolla Dumani. Jetoj në Prishtinë. Jam lindë...

Read More

Branko

https://museumofrefugees-ks.org/wp-content/uploads/2022/04/Branko.mp3 Intervistuesi: A mund të na prezantoheni? I Intervistuari: Mundem. Quhem Branko. Jam jetuar në... hmm, në Ferizaj, 21 vite. Intervistuesi: Po. I...

Read More

Srgjan Pantiq

https://museumofrefugees-ks.org/wp-content/uploads/2023/01/Srdjan-Pantic.mp3 Intervistuesja: A mund të prezantoheni dhe të na tregoni se çfarë mbani në mend nga periudha e paraluftës? Srgjan Pantiq:...

Read More

Mersie Kameri

https://museumofrefugees-ks.org/wp-content/uploads/2020/05/Mersie-Kameri.mp3 Bjeshka Guri (intervistuesja) Mersie Kameri (i intervistuari) Akronimet: BG=Bjeshka Gur i, MK=Mersie Kameri MK: Unë jam Mersie Kameri. Jam e lindur në...

Read More

Shqipe Kumanova

https://museumofrefugees-ks.org/wp-content/uploads/2023/01/Shqipe-Kumanova.mp3 Intervistuesja: Po ja nisim pak me fol prej Nanës Terezë. Ke punu në Nanën Terezë Shqipe Kumanova: 3 vite nashta... Intervistuesja:...

Read More

Anonim

https://museumofrefugees-ks.org/wp-content/uploads/2023/01/Anonim-2-ALB.mp3 Anonim 2 ALB: Jo, na kena dalë dy ditë para bombardimit. Faktikisht, krejt rrugët jonë kanë të bllokume nëpër...

Read More

Rr. Ardian Krasniqi, 2nd floor, No.5, 10000 Prishtinë

+383 38 748 018

Mohim përgjegjësie

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në intervista nuk pasqyrojnë qëndrimet, pikëpamjet, opinionet apo politikën e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë.

© Copyright 2020. All Rights Reserved. | Web Developed: Flutra Webs
info@museumofrefugees-ks.org