Fatlum Sadiku
Bjeshka Guri (intervistuesja)
Fatlum Sadiku (i intervistuari)
Akronimet: BG=Bjeshka Guri, FS=Fatlum Sadiku
BG: A po m’tregon dicka per veten fillimisht?
FS: Po, une jam Fatlumi. Fatlumi Sadiku prej Mitrovice. Jam gjenerate ’87. Pak a shume jeta jeme eshte shku prej banimeve ne vende te ndryshme. Tregova vij prej Mitrovices por lufta dhe paslufta ka diktu qe une sot e ate dite me perfundu ne Vushtrri. Studimet e mia parvjet perfundimisht I kam perfundu ne Stamboll ne fushen e shkencave politike dhe marredhenie nderkombetare. Ndoshta si per secilin qytetar te Kosoves ajo ka qene edhe deriçka ime e pare qe me ju hap botes ne njefare forme, larg provincialitetit te ketuhit, mirepo kjo hap shume tema tjera keshtu qe do te isha fokusu pak a shume te femijeria ime dhe ndjesia e te qenit i shpronesuar apo i debuar, si te duash quaje.
BG: A po me tregon dicka per luften, cka te kujtohet më saktësisht kur ka fillu?
FS: Po, gjithsesi. Ajo ndjesia e te qenurit i shpronësum dhe i dëbum krahas me luftën te unë ka qenë e mbjellne qysh në fëmijëri. Ndoshta implikimi ndëretnik nuk ka qenë deri në vitet ’97-98-99 dhe 2000 sepse krejt cka mbaj mend gjatë të ‘90tave është lufta në Bosnjë dhe jo tek ne. ai habitusi, ambienti ku unë kam lind dhe jam rrit, pra Mitrovica veriore, ka qenë mjedis jo krejt urban po semi-urban me e qujt. Ndërtesat kanë qenë, arkitektura ka qenë sovjetike, e vitete ‘60ta. Pranë ndërtesës tone, do të thotë, ndërtesa më e afërt me ndërtesën tone ka qenë SUPI i policisë serbe, do të thotë, stacioni i policisë të asaj kohe. Por, ai implikimi ndëretnik, ai implikimi konfliktuoz, ta quaj ashtu, nuk ka qenë present në qenien time deri në vitet ’97-’98. Krejt çka ka mujt me qenë ka mujt ndonjë rrëfim i babit i kohërave të mëhershme, për të ‘40tat do të thotë – kur gjyshi është përballë me serbë për prezencën e gjermanëve në Kosovë, do të thotë, okupimi fashist e këto gjëra. Mirëpo, për mu këto kanë qenë rrëfimë që nuk prekin asgjë në qenien time sepse ambienti ka qenë “mixed”, etnikisht “mixed”. Poashtu, edhe vet Mitrovica ka qenë edhe për kah shqiptarët qytet oksimoron, si Prishtina, do të thotë ka pas njerëz prej tana anëve, ke gjet njerëz edhe prej Ulqinit, ke gjet njerëz prej Shkupi. Fqinji ynë i pare ka qenë i Prespës ose fqinji tjetër që ka qenë serb ose fqinji tjetër turkofolës që gruja e tij ka ardhë prej provinces boshnjake. Kështu që, ndoshta ka qenë vendi jokomod për etnitë ose për të përjetuarit e etnisë aty. Mirepo, rrjedha e viteve e tregoi më vonë të veten dhe të përfunduarit refugjatë, qysh e ceka edhe në fillim, lidhet me vitet e fundit, sidomos me vitin ’99 dhe 2000, megjithëse, ndjenja e të qenit i shpronësum ka ekzistu edhe ma herët për faktin se, pak a shumë, rënia e Jugosllavisë në ’89-’90 edhe këto çështjet pronësore i pat lënë shumë si vjerrun kështu që banesa jonë atje nuk ka qenë kurrë e patundshme, nuk ka qenë mbi neve po ka qenë një lloj arsyetimi apo vendim “kjo familje derisa tgjej strehim diku tjetër le t’qëndrojë këtu”. Kshtu që ndjesia e të qenit i shpronësum ka qene prezente te unë edhe ma herët. Po implikimi ndëretnik nuk ka ekzistu derisa animoziteti nuk erdhi në pikën kulminante, domethënë në vitet ’97-2000 ose ’98-2000. Unë gjatë fëmijërisë time jam shoqëru, kam lujt edhe me shqiptarë edhe me serbë. Ndoshta kam dëgju për ndërskambca ndëretnike ma larg ose për dikë tjetër. Ka qenë e prekshme për mu sepse ndoshta aty ku mungon qytetaria politike, njerëzit janë t’prirun me ndje diçka veç kur ju ndodh diçka atyne; nuk ekziston një vetëdije e atillë që nëse i ka ndodh dikuj 50 metra ma larg ose 100 metra ma larg munet me të ndodh edhe ty. Po gjithmonë ka një përjetim hapësinor, që e thash edhe ma herët të gjithçkafes jo përjetim politik ose ontologjik të ktyne gjanave. Dhe i tillë ka qenë edhe përjetimi i pragluftës dhe i luftës. Gjanat ndodhshin n’fillim, për shembull, në Drenicë dhe në Dukagjin ndërkaq në qytete nuk kishte as përvojë e as vetëdije të atillë. Unë nuk du me i fajësu njerëzit sepse përvoja ka qenë e tillë do të thotë, ka mungu një vetëdije dhe një qytetari politike për me e kuptu që ajo që ndodh 20 kilometra ma larg ose edhe 50 metra afër nesër mundet me t’ndodh ty. Kështu që unë e kujtoj shumë mire që në ‘98tën, për shembull, kom kajt pse mu ka mbyll n’gjysëmvjetor t’pare n’matematikë 4. Ky ka qenë preokupimi im. Ka qenë n’fakt gjysmëvjetori i fundit që e kemi lane sepse veqse filloi lufta ndërkaq unë e kam vajtu diçka të tillë. Të kuptuarit se po përfundojnë të gjitha në një konflikt ndëretnik ose luftë, se nuk po hi tash në detaje, përkon me vitin ‘98/99. Megjithëse, krejt ‘98ta, po flas për qytetet e mëdha: Mitrovicën, megjithëse jom i thirrun me fol veç për Mitrovicë e Vushtrri, po me lexime dhe përvoja të mavonshme e kom kuptu që qashtu ka qenë edhe në Prishtinë, Pejë, Prizren. Ka mbizotëru perceptimi i një kryengritjeje fshatare ose një kryengritje e disa të pakënaqurve atje nëpër fshatra që me “shuttle diplomacy” ka me u kry ose kemi me përfundu si në të ‘74tën, kur policia serbe e ndal zullumin dhe na kthehet kushtetuta e vitit 1974. Kjo prapë na kthen te vetëdija dhe besimi i njerëzve apo te mosbesimi, në këtë rast, se realisht ne sot mundemi me përfundu të pavarun. Nuk ka ekzistu as promili (00:07:16) i një besimi të tillë, domethënë që Kosova një ditë ka me qenë e pavarun. Ndoshta ka ekzistu si aspirate ose si dëshirë po si realizim jo; njerëzit besu në rastin më të mire që presioni amerikan ka me e detyru Millosheviqin me na e kthy kushtetutën e vitit 1974 edhe që policia serbe ka me u detyru me e ndal represionin ndaj shqiptare. Diçka tjetër është besu se pjesa që nuk është përfshim n’luftë, opozita serbe e bën t’veten në Serbi, e bjen Millosheviqin. Ky ka qenë ai klimaksi i besimit të përfundimit të luftës, po flas sidomos për pragun e bombardimeve se kah fundi gjanat gjithmonë kanë qenë më të qarta. Po fillimi i bombardimeve nuk ka inicu (8:14) në diçka ma t’madhe sesa dorëzimi I Millosheviqit ose rikthimi i autonomisë së ‘74tës. Kjo pak a shumë ka qenë fëmijëria ime. Fakti i të ushqyerit me urrejtje ndëretnike apo mos-urrejtje ndëretnike ka variu prej familjes në familje, prej traditës familjare në traditë familjare, te dikush ma shumë, te dikush ma pak. Por, ndoshta edhe vet për nga natyra, njeriu i qytetit është ma pak i prirun…tash nuk kisha hi shumë te detajet sepse ka edhe qytetar që të befason me ekstremizmin e tij, ka edhe fshatar që t’befason me urtësinë e tij. Mirëpo, në qytete ka pas tërheqje edhe njëlloj prirje apolitike, do të thotë prirje dominante apolitike. Njerëzit e kanë shiku mbijetesën e tyne. Në njëfarë forme prirje ka qenë vetë preokupimi, dmth mbajtja e shtëpisë dhe kaq. Është konsideru që Serbia pas Bosnjës më nuk e komprometon veten edhe nëse dëshiron me komprometu ka me ju pamundësu prej ndërkombëtarëve dhe kaq. Në Mitrovicë gjanat kanë fillu mu bo ma të qarta, dmth që po shkojmë drejt një rreziku aty kah janari-shkurti i bisedimeve të Rambujes, spo di kur ja nisën, në ’99. ‘98ta kalon, mos t’them pa u vrejt, po me një lloj ndjesie “ka me u kry edhe nja 4-5 ditë kjo punë”, jo diçka ma gjatë, siç ka qenë e njëjta ndjesi edhe në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, qytetet kryesore. Shkurti, janari, marsi ’99 fillon me e bo t’qartë edhe në qytete që po shkohet drejt diçkaje që nuk i shihet mbarimi. Kujtoj diku një javë para fillimit të bombardimeve, me gjasë dikush nga Shala e Bajgorës pjestarë të UÇK-së e kishin gjuajt stacionin policor që ndodhet në Bajg në anën jugore të qytetit. Nuk di për damet që ka shkaktu ajo gjuajte, megjithatë 24 orë më vonë apo 48 orë më vonë serbët kundërpërgjigjen prej Zveçanit në ditën e tregut në Mitrovicë. Gjujnë një minahedhës prej kodrës së Zveçanit dhe vdesin 6 (persona) dhe kjo është bo qëllimshëm sepse tregu i shqiptarëve të Mitrovicës ka qenë në ditën e shtunë dhe është ditë se edhe nëse qëllojnë në serbë shumë pak serbë do të jenë. Pra kanë gjujt dhe ajo ka përfundu me 6 viktima dhe përmbi 80 të plagosun. Dhe prej atyhit më nuk ka pas kthim. Masandej, edhe prej leximeve po edhe prej…që i kom bo ma vonë, do të thotë, fakteve që i kom mbledh dhe prej përjetimit direkt në terren ka qenë e vrejtshme që edhe kanë ardh shumë pjesëtarë prej Serbisë dhe kanë ardhë njerëz t’maskum që nuk ke mujt mi pa ma herët dhe është vërejtë realisht që më nuk po mundesh as me dale: shkolla u mbyll, do të thotë, e ndërpreva në gjysmëvjetorin e pare të klasës së pestë në rastin tim, të dytin nuk e ndjekëm dhe ai mjedisi endemik veçse u kriju. Zakonisht më për tubime familjare, për me ble bukë e kto gjana I kryjshin grate ose fëmija, jo fëmija aq të rritun ose djem po kryesisht vajzat e moshës 10 vjeçare, 12 vjeçare së bashku me nanat e tyne. Për djemtë ka qenë jo e rekomandushme, jo e preferushme me dal. Gjithçka filloi me marrë erë baruti, të luftës. Tregova edhe ma herët, pozicioni i banesës tone ku kemi banu ka qenë i afërt me SUP-in, apo me stacionin e policisë në veri aty dhe pak a shumë ka qenë një lloj besimi se kur të fillojnë bombardimet edhe ajo ndërtesë mundet me qenë cak i bombardimeve siç edhe pat ndodh ma vonë. Dhe kështu natën e pare të bombardimeve, një kojshi në katin e pare vjen dhe na thërret neve nalt “hajdeni me bujt te na sepse ballkoni juj, dritaret e juja jon me ballë kah SUP-i, kah ndërtesa e policies ndërkaq unë e kam ballkonin këndej dhe nëse ndodh bombardimi mundeni me pshtu ma lehtë”. Dhe ne e dëgjojmë, veprojmë ashtu, shkojmë në katin përdhesë dhe pothujse gjatë një muji të bombardimeve qëndrojmë aty. Siç tregova ma herët kemi qenë të ngujum, krejt ato çka kemi hanger e çka kemi pi kanë qenë ose rezervate ose të mahershme që i kemi bo gati ose veç grate kanë dale jon marrë me blerjen e zarzavateve dhe gjanave ushqimore për shpi. Natën e 20 prillit 1999 kur ishin bo katër ditë pa një muj që kishin fillu bombardimet në ora 15 në 2 t’mëngjesit, njësitë e maskume, 5-6 veta hynë në banesën ku rrishim ne, natyrisht me thymje të derës, me hymje në koridor dhe në dhomën ku flejshim t’gjithë së bashku dhe fillun me pyt t’zotin e shpis për prezencën e familjarëve dhe prezencën tone. Ai i tregon pak a shumë, poashtu edhe e njofton që ne jemi prej të pestit kat poshtë dhe që baba jem osht i verbët invalid. Nuk e zgjasin ma shumë, përpos që dokumentacionin ja shkyjnë krejt: pasaportën, letërnjoftimin, lejen e kerrit, e marrin e zhvendosin në koridor në banjo dhe fillojnë seancën e rrahjes diku 10-15 minuta pa ndal. Edhe sot e atë ditë nuk kom shpjegim se si ka mujt me ju qëndru ton atyne rrahjeve, ndoshta ndihmus ka qenë fakti që ka pas fizikus tmirë prej sportisti siç pat tregu ma vonë kur u patëm largu prej atyhit. Në një rast kanë pas edhe me e goditë n’kokë që kish mujt me qenë fatale po dora edhe ora që e ka pas ndorë e ka shpëtu sepse cka ka qenë ai shkop bejsbolli apo pendrek apo palicë çkado që ka qenë ka godit ndorën dhe n’orën e tij dhe nuk e ka arrit qëllimin e tyre me e godit nkokë. Ka qenë e pamundshme me ja shiku ftyrën qysh e ka pas sepse e ka pas krejt t’gjakosun e ka pas krejt me qelb, hunda menzi i vërehej, goja, syni gati te vesht. Mirëpo, prapë po them, fizikusi si sportist ndoshta e ka shpëtu në atë rast. Anash murit ka qenë një kojshike serbe që ka jetu me djalin e saj, alkoolist kronik që edhe para se me fillu me u vërejt lufta n’qytet ai bënte provokime. Kur hynte n’hymje anej i shante shqiptarët n’gjendje t’dehun. Nuk ka qenë i armatosun po e qitke atë ekspresionin e vet të urrejtjes qysh para se me…po na nuk e merrshim për seriozisht. A kemi tregu qytetari në këtë rast apo nuk kemi tregu qytetari është pak a shumë n’pytje po e merrshim si alkoolist kronik. Po du me thane që është shumë e qasshme dhe e bindshme që ata e kanë ni krejt çka po ndodh nalt dhe nuk kanë bëza edhe po t’kishin bëza e di që nuk kishin pas çka me bo, po po du me thane që gjithçka ka ngja në mos para syve të tyne, para veshëve të tyne sepse veç nji mur na ka nda me ta siç na ka nda me kojshitë serbë këndej që kanë qenë në të njëjtën hymje po ka pas ashtu heshtje varri prej tyne. Në mëngjes, në 5 të mëngjesit jemi largu prej aty sipas detyrimit që na është ba: “nëse ju gjejmë në 5 të mëngjesit këtu ju vrajmë krejtve”. Kemi dale prej aty dhe jemi end pak a shumë në pjesën veriore të Mitrovicës ku edhe kemi vendosë me u nda prej atij kojshisë i cili sot me familjen e tij është në Kanadë. Ne kemi vazhdu edhe dy ditë pak a shumë të sorollatemi tek të afërmit në Mitrovicë, kryesisht në pjesën veriore. Ndjenja e shpronësimit aty e kupton që në njëfarë forme nuk është vetëm etnike sepse etnike ka qenë n’fillim kur kam dëgju për serbët e ardhun nga Kroacia po nuk ka qenë e prekshme sepse kom ni që refugjatët nga Kroacia kanë ardhë, kom ni që refugjatët nga Bosnja kanë ardhë, nuk e kom dit si lloj shpresimi etnik apo implikuar etnikisht, të implikuar etnikisht e kom ni sefte kur ngjau hyrja n’banesë në 2 të natës. Por se ndjenja e shpresimit nuk është veç etnike prapëseprapë e ndjej që te familjet shqiptare që, natyrisht prej frikësimit, nuk t’pranojshin. Do të thotë, sado që i tregojshe që veç sa t’kanë dëbu, tkan hy n’shpi në 2 t’natës, ish e pamundshme edhe nëse e ki t’afërt me t’pranu ose edhe atë pranim që ta bojke ta bojke për disa orë ose nji natë, tu marrë ndoshta edhe leje prej atij serbit të hyrjes që ka thon ai mos e prano kërkon ose nëse e pranon dikon lajmërom mu. Këtu e vrejshe që shpronësimi nuk është i implikum veçse etnikisht sepse në suaza lufte ti gjithmonë përjeton shpronësim. Natyrisht me këtë nuk po du as me relativizu dëbimin që na është ba as kurgjo hiq po po flas prej nji pozite ekzistencial ontologjik timin ose nëse e kom përvojën e mosdefinimit të banesës qysh tregova me dokumenta të Jugosllavisë, nëse e kom para syve ardhjen e refugjatëve prej Kroacisë e prej Bosnjës, nëse e kom para syve dëbimin që na është bo që e ka implikimin ma direkt etnik po edhe nëse e kom para syve mospranimin që na e bojshin familjet shqiptare, do të thotë unë i kom dy paralele: paralelen politike dhe paralelen personale ekzistenciale, domethënë që të qenit i shpronësuar është thellë thellë diçka e ngulitun në qenien e njeriut. Nuk do të thotë veç me ardhë me ta thy derën e me të ngreh jashtë që ti mu ndi i shpronësum. Shpronësim në njëfarë forme ka qenë edhe para se me fillu lufta po varet se qysh e përjeton dhe ku e gjen atë ngulmimin ton edhe si njeri edhe si pozicionim politik me thane “mjaft u shpronësova!” Domethënë ne kemi përjetu shpronësim në të ‘90tat prej vendeve të punës, ne jo po prindërit tone, dhe kemi ra në apati domethënë askush nuk është marrë me atë. Pak a shumë ajo që ka ngja me dëbimet tona prej banese ka qenë fundi i një procesi të shpronësimit që ka kulmu me dëbim të dhunshëm nga prona private. Është proces normal kur nuk ka ndërhymje ndaj krejt atij rrugëtimi që ka nisë. Pas përvojës së pare, dmth të dëbimit prej banese dhe sorollatjes që e përmena nëpër Mitrovicë, kemi marrë një autobus boshnjak që udhëtonte prej Sijenicës për Shkup me menimin me i bishtnu Kosova Trans-it apo autobusëve serbë. Kemi pritë, unë, baba dhe nana, në një ministacion që ka qenë rreth 200 metra prej banesës tone. Të parën here kaloi nji autobus i cili ishte përplot me serbë. Baba tentoi me vnu kamën e vet, ata tentun me ia nxanë me derë edhe i thane: “Nuk e dime as ne ku po shkojmë”. Në njëfarë forme, mos ta tërheqi baba komën pat me i përfundu koma ose e kputun ose do ta kishte marrë autobusi me vete. Kur mbërriti autobusi i Sijenicës dhe hypëm ne, nuk dul ai besimi jonë që ka me qenë boshnjakë ose njerëz jomilitarë. Po kenë militarë serb edhe tveshun në tesha të milicisë, të ushtrisë edhe paramilitarë. Unë nuk e kom dëgju po nana qysh ka tregu ma vonë. Thot e pytën atë kondukterin “a sheh ky apo veç po shtiret?” pra për prindin tim. Ai kondukteri ju ka thon “jo, ju mundeni me bo çka t’doni po ky nuk sheh”. Për fat t’mirë nuk u merr askush me neve n’atë rast. Zbritëm në Vushtrri. Kur zbritëm në Vushtrri morëm rrugën kryesore për te gjyshërit e mi, do të thotë me shku te shpia e nanës. Gjatë rrugës nana m’porositi me shiku për disa t’afërm tvet a ju kanë djeg shtëpitë. E zgjata kokën shikova, shtëpitë e tyne kanë qenë krejt t’djeguna. Në ecje e sipër një punkë policore na tha “Duheni me u kthy knej” e që sot i bjen rruga – edhe atëherë edhe sot i ka ra rruga e gjimnazit. Pra na ndalun me ec direkt qarshisë. Kur shkum aty shpia ish e mbushun me refugjatë tjerë. Kish pjesëtarë, domethënë, familjarë të njerkës së nanës, kish familjarë tjerë të afërm të nanës, që shifra e kalojke diku 20 numrin e prezentëve aty. Edhe aty ka zgjat 2 jave qëndrimi derisa nuk ka ardh dëbimi tjetër. Dëbimi i radhës na ka ngja me 4 maj 1999, ma pak se 48 orë, ma pak se 2 ditë prej masakrës së Studimes, pra një fshat të Vushtrrisë në hymje të Prishtinës. Po e ceki edhe si detaj interesant: është fshati i gruas së presidentit Hashim Thaqit, fshati studime dhe nuk e di a ka qëllu gruaja e Hashim Thaqit a jo po është fshati i saj. 48 orë masi jon ekzekutu aty 116 shqiptarë, njëri prej pjesmarrësve aty që sot vuan dënimin prej, fatkeqësisht, vetëm prej 6 viteve burgim, Zoran Vukotiq, është nxanë parvjet në Malin e Zi, hyn në sokakun, ka qenë si sokak i vogël i Vushtrrisë edhe përballë me neve dëbon në kërcënimin për vrasje orëndreçësin e vetëm që ka qyteti. Shtëpia e tij ka qenë trekatëshe dhe pastaj sipas të gjitha gjasave tu dasht me u largu nga lagjja sepse shpia e dajve të mi ka qenë aq e ulët, në njëfarë forme, aq e pavrejtshme në kuptimin me mendu që këtu banon dikush sa që njerëzit që e kanë pa Vukotiqin kur e ka djeg shtëpinë e tij dhe i ka dëbu ata thojnë që ka marr teposhtësen me shku me dal prej sokakut mirëpo një grua rome që qëndronte gjithmonë në guri para dere aty i thot këtu i ki. Qishtu. Edhe ai kthehet edhe e hap deren. Ne posa e kishim pa kështu përballë që ka hy te ai orëndreqësi, u ngujum në dhomën e dajës, në dhomën e martesës së tij, komplet ata me familjarë që kenë po me atë nguti dhe me atë huti dhe me atë frikë nana e kish harru palltën dhe une e kisha harru babën që zakonishte qëndronte në as ballkon nuk ka qenë po si lloj verande jashtë shtëpisë këtu sepse nuk mund t’qëndronte vetëm brenda. Zakonisht dilte për duhan apo për diçka tjetër dhe në atë moment domethënë kur gjithçka ndodhi se ka pas qenë në ballkon ulun aty dhe une kur e pashë që baba nuk është n’dhomë mora rrugën n’koridor dhe me dal n’ballkon me e marr une. Kah dal une ai veçse mbërriti n’oborr. Tash nuk muna me thon që ai meniherë mur gjendje gatishmërie a diçka po filloi me shiku me bisht t’synit çka ka ky njeri që s’po reagon edhe që nuk po e kqyr n’ftyrë as nuk po dëgjon kurgjo që ka ndodh. Kur e pa që nuk ka kurrfarë lloj përpjekje prej tij, nuk u morr me to e shkoqi telin e teshave që ka qenë n’oborr me dorë edhe tu pa lëvizjet tona që ishim mas dritares së dhomës së dajës e diti ku jemi edhe e kthei automatin në formë të mrapsht kshtu kurdak edhe e kontaktoi xhamin, edhe e thei xhamin, dy pale xhama, në formën e vjetër të xhamave qysh kanë qenë. Natyrisht krejt copat e xhamit ranë n’dhomë, ai ke sinjali që veçse duhet me dale krejt. Ashtu qysh kem 20 e ma shumë veta u dyndëm n’oborr. Unë ma shumë isha tu u merr me babën se e vrejta që nuk pat presence t’tij ndhomë. Tani veqse u munojsha me e marr nanën edhe babën e me dale, secili për veti. Ai kur pa edhe njerëz tjerë që i ka dëbu ma herët e që jon aty e humbi toruan fare, si thojnë në Shqipëri. Filloi mi sha ata: “A ktu ju kom thane që o Shqipnia bre kshtu e kshtu jau bofsha”, “pse nuk jeni ikë n’Shqipni po jeni ardhë këtu” e që njëkohësisht kanë qenë po ata njerëz që deri në ditën e dëbimit ai ka hi ka pi çaj dhunshëm te ta “Qitma ni çaj!” derisa nuk ka marrë urdhër me i dëbu. Tash u harrojshin ato gjanat që kemi qenë komshi, që kemi fol, që ke ardh te unë e ke pi çaj. Veq pse masi që t’dëbova erdhe këtu. Do të thotë e kërcënojke me vrasje për qat sen. Luan e ka pas emrin ai, Luan Maxhuni, realisht kushërini i njerkës t’nanës që për pak sa nuk e ekzekutoi veq për qat fakt. Dhe, irritimin e dytë e ka pas në nanën teme që palidhje i shkaktoi disa vonesa, nuk gjeti as papuqe me math. I kemi marr qizmet e veta që ish krejt pranë me pozicionin ku e murr ai, u dufke me kalu para tij mi marr qizmet e veta. Kur e pa nji afërsi ashtu aq indiferente të nanës tem me shku mi marr qizmet ai filloi edhe me gjujt n’ajër dhe me sha edhe ma shumë: “Largohu ma”. N’atë çast unë fillova me qa dhe nana në çështje sekondash meniherë u largu. Dulëm, nuk shkum as 20 metra ma nalt dhe e pam tymin përmbi kulm të shtëpisë që ka qenë përdhesë, ka qenë e ndërtume me qerpiq dhe u djeg nashta mrena 2-3 minutave krejt. Nuk e kemi pa kah u largu ai. Prej aty ka ngja pak a shumë si përvoja e daljes së pare nga Mitrovica të sorollatjes, ose ditën e pare ditën e dytë ose ditën e tretë ku me shku. Patëm shku disa ditë te ni lagje ma nalt ku thuhej se nifar polici Dragani po e ruan atë lagje dhe po përkujdeset që shqiptarët e mbetur aty mos me u prek, mirëpo edhe aty nuk kishim qëndrim t’sigurtë sepse prapë hike n’lojë kjo ndjesia e mospranimit nga familjet shqiptare sepse frika e bojke t’veten. “Okay, rrini ni ditë, rrini dy ditë, rrini tri ditë po duheni me e lshu, gjithmonë duheni me e lëshu”. Po du me thon që ndjenja e dëbimit e ndërlidhun me dëbimin etnik dhe ndjenja e të qenurit në gatishmëri për shpronësim prej kujtdo qoftë gjithmonë kanë qenë t’përkituna njona me tjetrën. Bile baba jem hala e thot me humor “Nuk e disha a Zarani a Nurka”. Nurka ka qenë ajo gruja që na strehoi për 3-4 ditë shqiptare. Tha kur u qojshi krejt ju unë nuk e disha a erdh Zorani me na dëbu a po na thot Nurka “dilni se boll ju majta”. Edhe ato ditë kanë vazhdu qashtu, sorollatje në qat lagjen se thuhej se po e mbron ai polici. Masanej kemi kalu…po i bi pak ma trup. S’po i përmeni disa vene krejt shkarazi i kemi kalu disa ditë. Kemi dale te djali i dajës së nanës sepse në kësi raste gjithsecili e shikojke familjarin e vet ose t’afërmin e vet për me u ndje ma i sigurt. Shtëpia e tij ka qenë në pjesë qendrore të qytetit të Vushtrisë edhe sot është në pjesën qendrore të qytetit të Vushtrisë. Ka qenë poashtu shtëpi e vjetër otomane, ndoshta mbi 100-150 vjeçare. Sot është nën mbrojtje të trashëgimisë. Mirëpo ka qenë e mirëmbulume sepse edhe shtallat që kanë qenë t’ndërtuara prej asaj kohe e mbulonin oborrin. Edhe ka qenë oborr tejet i gjatë për me mbërri deri të shpia por edhe shtalla e mbulonte dukjen e shtëpisë. Edhe sot e atë ditë duhet me dal në pjesën tjetër të rrugës për me pa atë shtëpi që ekziston, ndryshe ti e sheh veç shtallën nuk e sheh shpinë. Qëndrimi aty është qëndrim deri në ditën e fundit të bombardimeve. Përpos që me 22 maj ngjan edhe nji turrë e re e vrasjeve deri në 100 metra apo 70 metra afërsi. Mirëpo për faktin ndoshta se paten ardh prapë prej Serbie pjesëtarë dhe këta që kanë qenë të Vushtrisë ju kanë thonë “shkoni andej se andej është koncentrimi i popullatës” ne kemi shpëtu nga fakti se fort nuk kanë anu kah ana jonë. Veç e kanë marrë djalin e ni doktori ma t’vjetër që është dhe dhandrin e tij po kanë vazhdu kah ana e varrezave të qytetit ku ka qenë koncentrimi ma i madh i populates si fshatrat nga Qyqavica, besa nga Drenica dhe nga vushtriasit e mbetun. Goditjen ma të madhe e ka marrë ajo pjesë. Jon vra atë ditë në Vushtri 77 veta, 68 jon vra në një shtëpi të vetme, e njohur si shtëpia e Karaman Pacovës meqë ka ngja për një ditë me masakrën e Dubravës është lënë shumë nën hijen e Dubravës sepse shumë flitet për Dubravën e krejtësisht harrohet që në të njëjtën ditë ka ngja edhe masakra e Vushtrisë. Kaq është për periudhën e bombardimeve. Do të mundohna që brena 5 minutave maksimalisht ose 10 minuta me e kry këtë periudhën e masluftës meqë përjetimi jem është edhe mas lufte. Kthimi në very edhe pas lufte në nji kontekst ose mjedis ku pak a shumë vazhdonte lufta veq tenkat mungojshin. Pra në ditët e para të masluftës, qysh në javën e pare u kuptua që në Mitrovicë diçka nuk është në rregull. Ne ishim hala në Vushtri, fundi i bombardimeve, “çlirimi” na zuni në Vushtri, natyrisht nuk po hi me i tregu detajet e përjetimit të çlirimit pasi që janë të ngjashme me të secilit shqiptar që e ka përjetu çlirimin atë ditë në Kosovë. Është diçka e papërshkrueshme. Kom qenë mbi tenka, kom përqafu ushtarë. Po javën e pare u morr vesh që ka dicka endemike në Mitrovicë. Serbët as nuk ishin largu po as shqiptarët komplet nuk ishin kthy. Ni situate konfuze dhe e paqartë; ni ndarje latente e vendosur në urë prej pjesëtarëve francez të KFOR-it. U vazhdojke praktika e njëjtë e para bombardimeve dhe e pas bombardimeve me i qu grate me shiku qysh osht situata. Unë embaj mend shumë mire, gruja e dajës së nanës ku qëndronim aty dhe nana jem paten shku prej Vushtrisë në kushte tashmë të çlirimit deri në Mitrovicë me kqyr çka u bo me banesën tone. Dhe aty kanë has për here të pare në atë ndarjen latente. Francezët ju kanë thon: “Duhemi me ju kontrollu për shkaqe të sigurisë, nuk mundemi me siguru siguri tmadhe kur të dilni në veri se munet me ju thon dikush diçka ose me ju sulmu dikush”. Mirëpo në atë rast nuk kish ndodh asgjë sepse nana dhe gruja e dajës t’nanës u kthyn mire në Vushtri mirëpo tregun se në atë pjesë as nuk ka militarë shqiptarë, as nuk ka shkel UÇK-ja si në çdo pjesë tjetër të Kosovës gati që pat shkel, as nuk ka kurrfarë administrate shqiptare, nuk ka edhe aq shumë serbë sepse meqë nuk na i kishin nxon banesën tregon faktin se nuk kish pas hala shumë serbë mirëpo veçse është ka e merr ngjyrën e serbizimit domethënë, siç filloi me marr gradualisht edhe Prishtina komplet ngjyrë shqiptare apo qytetet tjera ngjyrë shqiptare. Aty zaten ka fillu ni kusuritje domethënë mes serbëve të Prishtinës dhe shqiptarëve të veriut të Mitrovicës, ose serbëve të Pejës ose serbëve të Prizrenit. Mirëpo dallimi është se dëbimi i serbëve që ka ndodh mas lufte ose vrasjet e atypëratyshme të serbëve pas luftës ka ngja në të shumtën e rasteve pa plan sepse UÇK-ja, madje edhe tu u fut NATO-ja, sa përqind të territorit ka me e pas nën kontroll. Ata nashta kanë bo në menen e tyne plane që kemi me ra sot n’Prishtinë po nuk ka qenë e sigurt që Prishtina ka me qenë në kontrollin e tyne, nuk ka qenë e sigurt që Peja ka me qenë në kontrollin e tyne, gjithçka ka qenë në njëfarë forme si lloj dhurate për ta dhe njëfarë indiference e madhe e NATO-s që e ka dit se nëse këtë vend e len 60/40 ose, në rastin ma të keq, si Bosnja, 51/49, këtu konflikti nuk mbaron sepse jet puna e prishne. Kështu që, si ligj i pashkruar e kanë lon situatën 75/25 edhe në një situate të tillë natyrisht që njerëzit kanë qenë të frustrum, nuk e kanë dit ku i kanë pas pjestarët e familjes, nuk e mohoj edhe përfshirjen e pjesërishme të UÇK-së në krime edhe në dëbim edhe në gjithçka po me thon që ka pas sistem nuk munesh me thon që ka pas. Ndërkaq Serbia ka pas sistem të Millosheviqit deri më 5 tetor 2000 kur ka ra Millosheviqi sepse në very hala ka funksionu gjithçka me sistemin e tij, pavarësisht se me Kumanovë jon largu tenkat e pjestarët e ushtrisë serbe bla bla bla makineria e randë. Por struktura e njerzve pat mbet qaty. Rrjeti i telekomunikimit, rrjeti i telefonimit me stacionin policor të Serbisë pat met i njëjtë. Ti si e kalojshe urën gradualisht fillojshe mi pa njerzt me Motorola n’dorë. Kqyre po t’vjen qanej, dil dil. Domethënë funksionojke një sistem paramilitary me sistem, në kundërshtime me çka ngjajke me UÇK-në knej u rropatke me gjet sistem po nuk kish sistem as për veti në njifar forme sepse për atë edhe përgjegjësia e UÇK-së ka qenë e pjesshme në krahasim me atë që ka ngja me shqiptarët e veriut. E kanë dit 20 vjet përpara ku banon. E Hashim Thaqi ka dit për shembull për ndonjë serb në fshatin aty në Drenicë ku banojnë serbët e Syreganës sepse Syregana është afvr Skenderajit po nuk e ka ditë ku jeton për shembull ni serb ku jeton te lagjja e spitalit këtu. Nuk e ka dit a osht banesa e tij a jo sepse ti në ’99 i ke pa pjesëtarët e UÇK-së që për here të pare kanë ardhë në Prishtinë. Mundet mu dok e pabesushme por e vërtetë osht që njerzt që kanë jetu në fshatra shumë t’nalta t’thepisura s’kanë lidhje me Prishtinë, i ka pas 18 vjet, nashta armën e ka kap ditën e fundit të luftës dhe kjo flet shumë për ta mirëpo në Prishtinë ka ardhë për here të parë. Ka pas familjar diku t’goditun edhe ka vepru në mënyrë t’frustrume. Ndaj, kjo përgjegjësia e lënies së shqiptarëve dhe serbëve mu pak a shumë m’doket edhe njifarë egocentrizmi sepse ka një përshtypje që gjithmonë kta myten mes veti e sipror ndaj ktyne jon evropianët. Nëse ka ngja qaj dëbim i shqiptarëve prej veriut e që në rastin tem ka ngja dy here e që t’dytën here kanë qenë ndoshta nja 20,000 britanikë në qarkun e Prishtinës dhe 20.000 francezë në qarkun e Mitrovicës atëherë çka bon kta francezë e këta britanezë në këtë kusuritje mes popullatave? A kqyrën filma a çka? Është shumë e natyrshme që qata njerëz në qato kushte kanë pas hala hesape t’pakryme mes veti mirëpo gjithmonë, t’paktën prej përshtypjeve të mia, nuk munesh me i liru prej përgjegjësisë. Nuk është e shkallës së holandezëve në Srebrenicë po po du me thon nuk munesh me i liru prej përgjegjës edhe ata njerëz që e kanë marrë mbi veti situatën e sigurisë. Sepse situate e sigurisë në të ’99 në Kosovë ose komplet sistemi i sigurisë ka qenë në duar të KFOR-it. Edhe nëse ka ndodh kusuritje me njerëz, nëse ka vazhdu hala me vrasje që është në njëfarë forme e kuptueshme po jo edhe e arsyetushme në masa të tilla, kjo nuk i liron prej përgjegjësie bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë. Dëbimi i dytë, për mi ra ma shkurt për përfundim, nuk ka qenë dëbim klasik me na nxjerr prej banesave anipse fqinjët e tjerë gjithsesi me dhunë, me vrasje, është e njohun dhe e përmendun edhe sot masakra e shkurtit 2000 ku vriten 10 shqiptarë dhe plagosen përmbi 80 dhe dëbohen me mijëra e mijëra. Ajo periudhë shkurt – qershor ia jep edhe vulën përfundimtare mirëpo në rastin tone ka vlejt gjithmonë frikësimi. Përmes frikësimit kanë tentu me na jep atë vulën përfundimtare të largimit. Unë e kom përjetu në lëkurën teme atë përmes, here here, edhe atë, siç e kam cekë edhe në bisedë private me ty, ngujimeve që i kom pas në objektin e SUP-it që ka qenë i bombardum prej NATO-s e ku pak a shumë e plakja ditën se s’kisha ku me dal. Isha fëmi i vetëm i lagjes aty dhe për faktin që e kaloja ditën aty – nuk mund t’i akuzoj këta të lagjes që kanë bo presion ndaj meje ose që kanë ushtru dhunë ndaj meje mirëpo dhuna psikologjike, kërcënimet dhe frikësimet kanë ardh prej serbëve të lagjeve tjera. Në një rast, teksa unë po luja, po kaloja ditën aty, vijnë me çaj bull dog, futen në ndërtesën e SUP-it aty, kanë qenë tri ndërtesa të bombardume dhe vetëm si rezultat i fatit dhe i ngujimit tim në një sëndëk dokumentash edhe pse hyjnë në atë dhomë nuk shikojnë brenda sepse unë sot do të përfundoja ose i paralizum ose në rastin më të mire me ndonjë traumë të pariparueshme. Kaq ishte.
BG: Faleminderit.
FS: Apet shumë, 43.
BG: Nëse kishe mujt me nda efektin e luftës në përditshmëri?
FS: A me fol hala?
BG: Ëhë
FS: Efekti i luftës në pasluftë ka qenë dosido i shtypun nga tradita jonë provinciale dhe nga tradita jonë konservatore sepse lufta dhe përjetimi, tashmë edhe përjetimi i luftës, ka vazhdu mu përjetu në mënyrë hapsinore, në mënyrë numerike, jo në mënyrë unikate dhe personale, po hapësinore dhe numerike. “Le shuj, kqyr çka i kanë bo Gjakovës, kqyr çka i kanë bo Drenicës, kqyre sa ma shumë ata”. Kur thu “ma shumë” ai është numër. “Rri mos fol ti”. Ka qenë ndoshta edhe një dhunë e dytë që është bo mbi rastin tem ose mbi të gjithë ata që kanë përjetu luftë po nuk jon vra ose nuk jon plagosë ose nuk kanë përjetu dhunë të ndryshme fizike prej një sistemi të tërë vlerash që tenton me e burgos përjetimin që përjetimin personal të fatkeqësisë e përjeton si turp, si turp publik. Do të thotë, përjetimin e ndodhisë fatkeqe e përjeton si marre; nuk bon me tregu ose tenton me ja nënshtru harresës konsistente. E njëjta ka ngja me mu domethënë. M’është thane: “Hajt bre mos i rrit se ti gjith ke lujt me ta” për shembull, veç pse për periudhën e paraluftës përnime nuk kom bo dallime, kom lujt si me shqiptarë si me serbë. Pra perceptimi është: “Le bre se ti s’ki të drejtë me fol se ti ke mbrojt për ta n’futboll, ti ke lu me ta”. Do të thotë e shikoj këtë përvojën ’99-2000 që e kom në kurriz të një raporti normal që e kom pas unë me ta në periudhën 1993-1999 për shembull. Sepse ndoshta vetëm prej faktit se unë e kom njoft serbishten edhe e njoh sot m’kanë perceptu: “jo more, ai s’është e mundur me pas përjetim, ai ka lujt gjith me ta, ai o rrit me ta”. Ndoshta kjo ka ndiku te vetja që qenë këto gjana shumë t’shtypne dhe shumë të topitne deri në Stamboll, deri në kohën e studimeve 2012-2016 në Turqi ku, për here të pare, edhe kom liri ma t’madhe personale edhe jom ma i vetmum edhe ma i pavarun me mendu për përjetimet e mia dhe për veten teme. Aty do të thotë unë kom fillu me bo ni balanc – edhe pse nuk e pëlqej termin “balanc” te puna e përjetimit por po e përdori kushtimisht – të përjetimit tem personal në kuptimin që nuk munesh me e lexu veq si hapësirë ose si numër po si diçka unikale, qoftë edhe nëse veq nji therrë t’ka hi ngisht, ajo është unikale për ty.