Myrvete Gagica Azizi
Intervistuesja: Rita Berisha
E intervistuara: Myrvete Gagica Azizi
R.B.: Faleminderit shumë që po ma tregon rrëfimin tond për kohën e luftës edhe kur je kon refugjate. A munem pak me fillu kur ka fillu lufta. Çka ke pa nëpër lajme, qysh i ke ndëgju, çfarë brengash ke pasë, ku ke jetu, qysh o kon situata kur fillon lufta?
M.G.A.:Ka qenë ni fillim shumë trishtus. Në rend t’parë na kanë trishtu lajmet që i dëgjonim nëpër televizionet serbe se televizione tonat nuk kishim, 5 minuta i kishim në televizionin e Zagrebit nga i cili, ndoniherë, ndoni fjali që e imitojshin, na jepshin ni shpresë t’vogël. Përndryshe, fillimi i luftës na ka bo shumë me u frigu, me u tut tmerrësisht. Mandej, më 19 mars erdhën, po i shof – se shtëpinë e kom këtu n’ballë t’rrugës – po vinin njerëzit. Unë mendova, thash si more po lujnë top? Mendova se është tu u bo ndonjë ndeshje futbolli e jon tubu rinia. Kur kam shiqu edhe njiherë me vëmendje po e shof edhe njerëzit me kolica i shtyshin, që i kishin dëbu nga fshati Matiçan, Mat që po quhet tash. Edhe para shtëpisë time u shtrinë, u dorëzun edhe pse ishte pizgaveri, para shtëpisë osht ni postë e vogël ku ishte përqendru tenki i policisë me nja 50 policë aty kanë qenë përballë shpisë tonë. Unë shumë u tmerrova, tmerrësisht u dridha. Çka me bo? Isha vetëm n’shtëpi. Fillova n’rend t’parë e ndala rrymën edhe i kom hjek dy llustera n’sallon. I kom marr do gjëra që ishin ma me vlerë edhe përniher mu kujtu ni orman e kom pas shumë t’madh me tre krahë të ngjitun. Ia largova dyrt, e shpraza tërësisht, ia vuna ni leckë t’vogël nën dhe e tërheqa po njo 5 metra. Ia vuna derës së banjos përpara. Para se me e vu, masi e afrova, mora orenditë e bukura që i kisha, do vitrina t’mira, mandej ni pasqyre e kom pas t’mirë. Kuzhinën komplet e heka, ia kom largu komt e tavolinës, karrikat, ni mbi ni, i kom vu, edhe në fund ia mbështeta ormanin derës së banjos të cilës ia heka dorzën se nuk u shtyke deri n’skejt n’fund ormani, u detyrova me ia hek dorzën edhe ai u pshtet. Edhe shiqoja a mundet me u kujtu dikush që hyn në shpinë time…A edhe diçka harrova. Para se me e mbyll, shkova në vetëshërbim, e kom pas vetëshërbimin 5 metra prej shtëpisë, e kom ble ni thes makarona, detergjenta, kom ble kryp, kom ble sheqer, kom ble oriz, kom ble sapun, shampona. Thash kur t’kthehemi, vaj kom ble edhe i kom fut në banjo edhe kto ushqime. Rastësisht thoja ndoshta ajo NATO që u myt tu thon na shpëton e t’kemi fmitë çka me ngrënë edhe higjienën n’rend t’parë.
R.B.: E kto i ke shti n’banjo për mi mshef?
E: Krejt i mshefa n’banjo, tepihat e mira i kom shti n’banjo edhe aty e mora unë mandej e bona ni skenario thu se osht teatër. Do sene t’kqija, tratat i prisha, disa i gjuva n’tokë, do pjata i gjuva nëpër tokë, nja dy i theva, që me mendu se dikush ka hi ktu edhe s’paska lon asgjë që mos t’kërkojnë mos i kom lon dikund, ashtu e bona taman skenë teatrit, t’filmit edhe i mora disa gjëra. Nuk kam dalë ka dera kryesore se m’shifshin ata policët që ishin përballë shtëpisë po kam dal kah bahqja, nëpër oborre t’kojshive edhe kam ikë te vajza, megjithëse m’tha kojshia, ai plaku, axha Osman, “ku po shkon? Eja rri ktu, qe mu m’kanë ardhë vajzat, nuset, eja edhe ti bashkë ktu t’jesh”. Thashë “jo axha Osman, unë e kam veq ni fmi ktu, du me kon afër vajzës teme”. Edhe shkova te vajza. Ishte 19 marsi. 20 marsi m’çeli te vajza. Nja katër ditë ishim as n’qiell, as n’tokë, çka t’bojm, si t’veprojmë. Vetëm i dëgjonim lajmet me vjehrritë e vajzës, me vajzën, me bashkëshortin, fmitë. Edhe pse ishte vajza 10 mujsh, ajo thuajse e dinte se na jemi në ankth, se na jemi në momente shumë kritike, zani nuk iu dëgjonte.
R.B.: Mesa a?
A: Mesa. Gjithashtu edhe djali, veq qante e ndonjëherë na bonte ndonji pytje kur i shike ato skenat e televizionit edhe “ba ba bam bam” bojke. “Oh Zot”, thojsha, “edhe ktij po ia ndin shpirti që nuk jemi t’qetë”.
R.B.: Qysh i mban mend bombardimet e para? Ku ke qenë?
A: Bombardimet e para kom qenë te vajza. Edhe më 24 filloi mbramja, filloi terri. Isha as n’tokë, as n’qiell. S’dija mo çka t’veproja. Nuk doja që vajza edhe dhondri t’më kuptonin se unë shumë kom frikë po gjithherë iu thoja “hajt se e kemi NATO-n, mos u frigoni, kemi me shpëtu, ka njerëz t’mirë n’botë, nuk jon të gjithë nisoj”. Edhe në ora 9 fillun ato raketat, ato dritat e tmerrshme që binin nga aeroplani se vajza e ka shtëpinë dy katëshe. Hypëm atje n’katin e dytë edhe i shiqonim çka po ndodhë. Pa u shtri asnjiherë atë mbramje, u zbardh dita. U qun fmitë, u deshke me e la vajzën, me e pastru, u deshke me gatu se nuk guxonim t’dilnim nga shtëpia. Besa kemi pregatit edhe ushqime rezervë për çdo rast se i ndigjonim se i dëgjonim ata kojshit, t’afërmit se njo katër rrugë nën shtëpinë e tyne atje te shkolla Vladimir Nazor, iu kanë hi njerëzve i kanë rrahë, i kanë dëbu nga shtëpia, nuk u dinin a i vranin. Por ajo që ma hupi shpresën përnjëherë kur ndigjum lajmin se e vranë Bajram Bytyqin me dy djem. Thashë masi ata e kanë vra, na të tjerët prite t’keqen. Por ja, dashti Zoti, kojshitë na njoftun, njëni nga kojshitë i tha dhondrit tem – se vllau i kishte ikë ma herët në Bllacë – edhe tha “kam lajm se kanë me ju dëbu edhe juve po kur t’boni me dalë nga shtëpia merrni kartona se s’keni ku me u ulë ktu n’Bllacë se ka ra shi i madh, osht baltë e madhe”. Edhe i murëm na do kartona, do najllona, gatum bukë edhe do kifle për fmi, morëm ujë se na tha merni ujë se nuk keni. Nuk e harroj m’ka ardhë shumë keq prej dhondrit edhe prej vjehrrit, ata e banin ujin, na e banim ushqimin, unë e mbaja vajzën, s’guxoja me ia lon vajzës teme se thojsha mos po zen thue e pe sakatos. Ajo e mbante djalin, unë vajzën me plot torbë tesha t’fmive, pelena, ktyneherë s’kemi pas pampersa. Edhe erdh ni djalë edhe po na thotë bahuni gati se rrugën nën shtëpinë e dhondrit veq e kishin lshu të gjithë, iu kishin thonë për 10 minuta mi lshu shpijat, policët edhe paramilitarët. Mandej m’kanë tregu që s’kanë qenë as ushtarë as civilë po paramilitarët me kto shamijat e kuqe edhe policët. Edhe na u bom gati për me u nisë me dalë nga shtëpia.
R.B.: Me kerr a n’kom?
M.G.A.:N’kom, çfarë kerri! N’kom të gjithë. Aty n’atë llavinën e njerëzve, vetëm o ndëgju ndonji kolicë që ishte ma e vjetër tu i bartë pleqtë ose lehonat. Nja dy lehona i kom pa me fmi që kishin lind dy ditë përpara ose pardje ose dje. Ato i kishin pshtet n’ato kolica, kurrë ato ftyra nuk muj mi harru. Ata fmitë nuk iu ndike zoni që kishin ardhë n’jetë 48 orë a 50 orë para se me ndodhë kjo tragjedi. Kur po e shiqoj te Furra Qerimi – se na në Breg të Diellit e kemi shtëpinë – e atje osht poshtë ndërtesa e Elektro Ekonomisë, njerëz pafund! E anash kishte çdo metër paramilitarë, policë edhe ushtarë! Edhe ushtarë kishte, mjaft numër i madh që veq na shikojshin edhe me kry e me dorë na bojshin “Napred! Idi! Novi zastaneš!” “Ec! Mos u ndal! Çka po kqyr?” Edhe na pa asni za, shkum disi mrrinëm n’stacion të trenit. Aty ishte tana tmerri. Aty ishte tmerri! Tash na tubun qitu, çka do të ndodhë me neve. Pesë orë aty kemi prit derisa ka ardhë ni tren. Se neve na dëbun ka ora shtatë e mëngjesit. Kurrë nuk e harroj në ora 9 veq ishim në stacion të trenit n’Prishtinë. Kur po e shiqoj orën, ora 1. Ende asgjë. Po presim treni me ardhë prej Serbisë, rrugës së Podujevës. Në ora 1 e gjys mrrini treni. Vetëm iu kom thon, mani fmitë, t’hypi unë e para ta zo ni kupe, thojsha fmitë mos tem jesin në korridor të trenit edhe dhandrin dojsha me e fut në ni kupe e me e mlu disi se thonin i merrnin nga treni të ritë. Kom hyp unë e para edhe shpejt e tërheqa edhe nanën e dhandrit, mandej vajzën teme. Ato i kom lon n’koridor, e kom zon ni kupe, ka hy dhondri, vjehrri, qika jeme, fmitë edhe ni grua e kemi pasë, grunë e mjekut Lirie Dinishin, me djalin edhe me vajzën. Edhe ajo hyni edhe e mbylla “krrap”, i vuna perdet, thash të tjerëve s’kemi çka me iu bo. U nis treni. Kur vinim te do kthesa të thella, kom mujt me i numëru deri në 40 vagona që kanë qenë. Ni lokomotivë ka qenë e para që e ka tërheq, edhe ni lokomotivë n’fund që e ka shty. Edhe në Fushë Kosovë u ndalëm nja ni gjys ore. Thash qe qitu po dojkan me na… se aty ishte fushë. Mandej jemi ndalë edhe njëherë – që jom frigu shumë – në atë zbrazëtirën që ka qenë vetëm fushë, në mes Ferizajit edhe Lipjanit. Mandej kemi mrri në Ferizaj, edhe aty jemi ndal ni kohë t’gjatë. Po fati deshi atë ditë neve nuk na morrën sikur tregonin që i kanë marrë t’ritë nga treni, i kanë gjujt prej trenit n’tokë. Te na nuk ndodhi ajo. Edhe rrugës kur kemi dal prej Ferizajit, te Gërlica, quhet ni vend ku ndahet rruga për Tetovë edhe Brezovicë, aty ka pasë shumë policë, shumë mjete të policisë. Ka pasë edhe tenkë, ka pasë edhe kamiona. Thash kuku po na i merrkan fmitë, thash po na i hedhkan qatje. Po jo nuk u ndal treni. U ndalëm aty…
R.B.: Në Bllacë.
M.G.A.:Jo n’Bllacë, mrrinëm në Jankoviç na. Aty u ndal treni edhe po thot ni vajzë, kta me ni za të naltë po thojnë “Kur të ndaleni në Bllacë, mos me ec as majtas as djathtas, me ec vetëm hekurudhës”. Edhe njashtu veprum. Mrrinëm në Bllacë, ishte ora katër ndoshta, po valla, ndoshta ora 4. Kur kemi mrri në Bllacë, po thotë vjehrri i vajzës “hajde po ulemi qitu!”. S’ka faj plaku, u lodh, u dorëzu mo nuk mundte me nejt n’kamë të veta po as nuk kishim ku mu ul: baltë, njerëzit pa hongër, pa pi, fmitë krejt iu kishin ter lotët në faqe, plakat të shtrine n’lloq, pa mlu, disa i kishin mlu me najllona. Unë u tmerrova, thojsha ku kishim mu ulë na. Prandaj Bllacë e kanë qujt, se ishte vend i ulët, i rrafshët, e flinte uji aty në atë baltë. Po çka m’ka tmerru ma s’tepërmi, m’ka tmerru fluturimi i helikopterëve të NATO-s të cilët nuk e kam pritë, hudhnin sa mundnin qebe Tetekst, Tetovo, o kon ajo fabrika, shumë plafa t’mirë kanë qenë ata. I hudhnin prej së nalti n’baltë, n’lloq, se njerëzit s’mujshin mi mrri. Ai plaf u bënte i papërdorun se binte n’baltë. Fillova me u frigu edhe me u tmerru edhe ma shumë. Nuk pashë asnjë njeri prej NATO-s apo të jashtmit që kanë hi bile ni ndihmë t’vogël me iu dhon masës së panumërt – 10 mijë kishin qenë, sigurisht – një mbi një. I shihsha disa gra, iu kishin bo fmive prej ni trungu të ni peme në trungun tjetër iu kishin vnu hulaja, që i kishin vnu ka tre fmi edhe i luhatnin me frikë se mos po iu binë n’tokë, pasigurt ishin ata fmi. Nuk di qysh kishin vendos aty me i vu po sigurisht pa gjumë. Unë mbeta e ngrirë, fillova me shiqu pa i pa ato kah kemi hy ose kah kemi dalë, ose me kqyr kah o lindja, veriu, jugu ose çka. Vetëm vërdallë sytë më shkonin prej frigës. Përnjëherë e pashë, u hap një derë, hyni një traktor edhe po shpërndante bukë edhe qumësht. Edhe jo me iu dhon n’dorë njerëzve që krejt me durë nalt pritshin me hongër atë bukë që iu prunën por ma shumë bishin n’tokë tu iu gjujt prej traktorit kta njerëzit, tanët sigurisht ose të Maqedonisë, nuk e disha, i kam pa që kenë të rëndomtë njerëzit. Edhe kom vrapu shpejt edhe i kom thon dhondrit e vajzës “shpejt, mbrapa meje, pa asni diskutim, meniherë ejani” se veq u afrum na afër, fati. E rrugës kur jam dalë nga shtëpia, e kam marrë ni album që e kom palu edhe që ma ka marrë mendja se ka me më ndihmu gjatë këtij rrugëtimi tem të pakthim, të pashpresë. I mora diplomat e fmive që m’kanë kalu me suksese t’nalta edhe e kom marr fletëkunorëzimin tim që jom kunorëzu në Shkup n’prill ’65-tës. Atëherë vjehrritë e mi kanë jetu në Shkup edhe na atje e bonëm kunorëzimin me burrin tem. Thash ta marrë masi po thonë që kanë me na qu në Bllacë, Bllaca afër Shkupit, kjo m’duhet mu sigurisht me e përdor për me depërtu. Edhe kur jom afru aty te ushtari, ni ushtarak, djal i mirë ke, edhe unë pi thom në gjuhën maqedone “Ja sum ud Skopje, ja sam vencana vo Skopje i kucam je u gazibana, te moluvam pustime!” Unë i thashë atij, “Unë jam nga Shkupi, jam e martuar dhe e kunorëzuar në Shkup, kam ardhë me e marr vajzën, të lutem na lejoni!” E ai ke ni djal shumë humanitar, ushtarak ishte. Ai e hapi derën. Për fat na la me kalu mu, vajzën, dhondrin edhe fmitë. Po mbetën aty edhe prindët e fmive, ai nuk i lejoi. Edhe unë nuk pash mbrapa mo, e kisha qëllimin dy fmitë e vegjël t’i shpëtoj. Shpejt mbërrim në rrugën kryesore të Shkupit në asfallt, edhe qe po e shof ni autobus. Pak ma andej ishte ni taksi. Thash t’shkoj te qaj taksi ta marr. Veq m’ka thon njëri “Natreg!” “Mbrapa!” Unë hiq, ai mbrapa. Mu ka afru ma ka mshu n’krahë qitu, njo ni muj mka nejt pleh dora me ato “gërmaç” a si i qujnë ato të policëve.
R.B.: Pendrek.
M.G.A.:Pendrek. Thash “po unë jam nga Shkupi, po du me ikë me shku n’Shkup”. Tha ani qe autobusi po niset. Cili autobus? Ja ky. Shpejt i kam thon dhondrit edhe vajzës ejani mbrapa. Shkum te autobusi. Po e lypi shoferin. Ata m’thanë ja ky është shoferi. Kur jam afru, ai m’ka thonë “Zonja Myrvet, eja se unë jam”. Ai ishte ni vendas i burrit tim, për fat tonin. Ia hapi derën vajzës, dhondrit edhe fmive e unë as që hypa në autobus po meniher jom kthy me i marr prindët e dhondrit edhe atë gruan e doktorit, Lirie Binishin me dy fmi. Po tash m’ra ndërmend, i kisha n’xhep 100 marka edhe iu afrova ni ushtarakut trupshkurtë, thash “t’lutem ai polici, ushtari m’lejoi dhondrin edhe vajzën me e marr po ai u tmerru atje, po don mu kthy, që i mbetën dy pleqtë. A m’lejon me shku me i marr?” Tha “ik, shko merri, mos m’shiqo mu”. Unë doja me ia dhon ato t’holla, ai “ik, mos t’shiqojnë dikush se je tu fol me mu”. Thash “shumë faleminderit”. M’lejoi me zbrit poshtë. I tha atij shokut “hapja derën kësaj zonjës”. Ai e hapi. I mora unë të dy pleqtë edhe Lirie Binishin me të dy fmitë. Hypëm në autobus. I thash atij të njoftunit “a po na qon te zotni Shukriu në Gazibanë te shpija jonë?” Tha “Jo moj zonja Myrvet, kemi me ju qu në Stenkovac, osht ni livadh i madh, ni fushë e madhe në hymje të Shkupit në anën e majtë. Aty jeni parapa me ju qu juve refugjatëve. Sot kanë me ju marrë prej këtu”. Na çun aty, na i ndërtun shatorrat në kohë shumë t’shkurtë. Krejt ish planifiku. Unë e pash që kjo luftë osht e planifikume. Edhe na zbritën aty. Erdhën njo katër ushtarakë po e montojnë shatorrin. Edhe unë po iu thom “No one shatorr, two! Me big family!” Thash na jemi familje e madhe. “Alright, no problem, thank you!” E na i bonën dy shatorra. I rahatum fmitë. Edhe unë po i them asaj vajzës t’doktorit “A din anglisht, a munesh me m’nimu mos po e takojmë dikë të njofshëm e mos t’rrimë këtu, t’vazhdojmë me shku n’Gostivar ose n’Shkup ose n’Tetovë” se gjithkah neve na pritnin se kishim miq. Unë e kisha motrën në Gostivar e cila flokët i shkulke se veq unë nga familja mbeta në Prishtinë. “Po”, tha “tezja Myrvet, di unë me fol anglisht”. Edhe tu dasht me shku në qendër ku i pash ata udhëheqësat me ato gradat e mdhaja që i kanë ktu në krahë, kur qe pe shoh njëri po ec vetë po ia shoh telefonin. Thash “Please, just one moment, we are telefon, my two daughter London, please, conservation little”. “Alright, no problem”. Ma dha telefonin, kurrë nuk kom me ia harru. M’ka lon memorja po m’erdh n’atë moment edhe shpejt ia kom dhon numrin e vajzës edhe shpejt pi thom “Lili, Suzi, nana jom n’Shkup me Valin”. Ato s’po m’lojn me fol tu piskat, a jom e gjallë a ku jemi, ku osht Vali, ku i ka fmit Vali, ku po jetoni?” Thash “Të gjithë jemi n’Shkup, rrini rahat se nana e ka marrë telefonin një ushtarakut të NATO-s, mirupafshim”. Edhe shkum atje, po s’gjetëm kërkënd. Ra nata, u bo terri. Flejtëm atë mbramje aty në Stenkovc. Mandej të nesërmen, prapë jom çu me atë vajzën, prapë kom dalë atje. As 40 cm nuk ka qenë larg shatorri nga shatorri. Edhe sigurisht 10,000 shatorra kanë qenë aty. Krejt autobusat e Shkupit, Kumanovës, Tetovës jau shisha regjistrimet që i binin pandërpre. Vetëm i lshonin, shkonin i merrnin ata tjerët, se numër i madh ishte. Edhe po shkojmë na atje në qendër. Po i dëgjoj do djem t’ri po flasin shqip. “Mirëdita, djem”, thashë, “çka do t’bohet me neve?” Njëri po thotë “të shofim, sot do t’shofim, ditëve t’ardhme. Tash jeni t’sigurtë”. Thashë “po unë e kom motrën këtu, kom miq”. Tha “Kush jeni ju?” Thash “Unë jom Myrvete Azizi, gruja e Profesor Nijazi Azizit”. Ai “çka flet moj? Po ti qenke bashkëshortja e profesorit tim! Eja!” Edhe na mori me dy Mercedesa. Thash “Unë kom numër t’madh, jom me vajzën, me fmitë, me vjehrrin, vjehrrën”. “Tash”, tha “na vijmë te ju”. Erdhën, na murën, na futën n’kerre edhe ata tash fillun, ai thonte “une kom me ju qu n’shpijen time” ky tjetri thonte “n’shpijen time”, une ju thonja “ju lutem a bon ju ne me na qu deri n’stacion t’Shkupit” se motra veq na priste, Ajteni na pritte. Na qun në-
R.B.: Ku ka qenë motra?
M.G.A.:Në Gostivar motra, a na mrrim n’stacion t’Shkupit, edhe na lan aty i luta unë tepër, ata thanë “ti po na nënçmon tani” thash “ju tani shkoni merrni tjert, unë po ju tregoj se unë e kam problemin e zgjidhun, jo juve tash me ju zon aty, ka njerz ktu që s’kan ku me shku, ata shkoni merrni” e u pajtun në atë rast, u kthyn edhe u ulëm na aty, thash “t’hajmë ni gojë bukë”. Ishim të uritur, pa ngrënë, pa shti erë nimeti, a e ato ushqimet që i murrem krejt i kemi shpërnda, qat ditë, që i murrem neve bukën e kiflet ju jipnim atyne aty që kishin qenë qe një javë pa hongër pa pi. Thonte njëna “qe troshat me gjuhë po i ha, që kanë met n’strajca ku i kemi rujt”. Edhe na t’nesërmen metëm pa hongër. U ulëm aty, na prunën qyfte, qebapa, langje, kur edhe ai aty n’stacion t’Shkupit, ai shefR.B.: “O zoja Myrvet, po a paske mrri, shyqyr që paske dalë, se më beso, kam mendu për juve.” Ai [ishte] ni shok i burrit tem edhe kojshi në Gazibabë shtëpinë, Jakup e ka pas emrin, shumë mirë ia di. Ai na gostiti, na ushqeu edhe kur erdha fjala me i pagu tha “këto janë t’pagume”. I ka pagu. “Bashkëshorti i ndjerë i zonjës Myrvet, e kom pas edhe shok edhe kojshi”. E mandej hypëm n’autobusa, shkum në Gostivar. Edhe atje njashtu ia mora telefonin njënit. Thash “Ajten, na mrrinëm n’Gostivar”. Ajo u çmend prej gëzimit se na mrrim. Shkum mandej atje edhe i thash motrës që me na gjet ni shtëpi larg motrës. Nuk doja t’jem, masi isha me miq, me zonjën tjetër thash “me na gjet shtëpi larg shtëpisë t’juve”. Edhe vërtetë na i gjet ai dhondri dy shtëpija të vajzave të axhës së tij të cilat dy javë përpara kishin pas darsëm, e kishin martu djalin. Edhe për nder, e kishin porosit atë axhën e vet, vjehrrin e motrës time, i kish thon “ju lutem vetëm motrat e Ajtenit me na i lon në shtëpi” se besoni ato shtëpija kishin qenë me mobilje krejt t’reja, me mobilje krejt t’mira. Unë kur jemi dal prej Stenkovcit i kom marrë 6 qebe, jo të Bllacës, të Stenkovcit që na prun aty n’shatorr. Thash i marr, kumedit ku kom me shku, jon t’reja, bile flejmë n’to. Unë ato i kom marr i kom pre edhe krejt i kom shtru nëpër ato halijat ku kemi shkelë na për mos me jau dëmtu atyne se shumë t’bukura i kishin pasë ato shtëpija, shumë të pastra. Ajo plaka vinte thonte “hapne frizin, keni shumë ushqim, hani!” Por jo na atë nuk e kemi bo. Na ushqenin kuzhina e Gostivarit. Ndejtëm mandej aty n’Gostivar. Kemi shku shumë mirë më kujtohet, më 7 prill kemi dalë. Më 9 prill kemi mrri te Ajteni, edhe kemi ndejt unë kom ndejt deri më 15 maj se u bashkova me vajza. Tash ni bashkim familjar aty e kishim, megjithëqë dhondri më qoi t’holla me postë prej Londrës. Na kishim t’holla, mandej blenim vetë, nuk donim t’i bohem barrë edhe për ushqim dikujt. Mjafton që na strehun, fmitë i kisha t’sigurtë. Vajzën e vogël e lanim ashtu si në shtëpi t’vetë edhe djali u qetësu. E kështu ka qenë. Mandej kom shku n’Londër, vajza o kthy n’shtëpi. Edhe kur jom kthy, shtëpinë nuk ma kishin prekë që ma kish rujt ai kojshia të cilit ia kom shpëtu djalin që ju kish helmu, adoleshent, 13 vjet.
R.B.: Qysh ia ke shpëtu djalin, çka ka ndodh?
M.G.A.:Po, unë isha në vetëshërbim. Edhe erdh ni grua, po thotë “A keni kos se mu ka helmu djali? Ka pi zhivasodë”. Ishte tamon koha e provimeve e ai adoleshent, ka dasht mu helmu. Edhe unë po e shiqoj gruan, ka qenë motër medicinale këtu. Thash “kojshika, ja imam”. Thash “kojshi unë kom kos. Pritëm këtu”, se afër e kisha vetëshërbimin. Erdha e mora n’frigorifer. Dy litra qumësht i kisha zon kos. Edhe gjithherë kom majt çokollada, se gjyshe e nipave e mbesave kom qenë. Ia dhashë edhe ni çokollatë, thash “qe, i boft mirë edhe këtë kavanozin ma bjen këtu. Mas nja ni muje, sigurisht, kur qe prapë kjo gruja në vetëshërbim. Edhe unë s’po e njoh, e kom harru gruan. Kur ajo po m’thotë “Si jeni zojë, a jeni mirë? Ju jeni ajo që ma keni shpëtu djalin, faleminderit!” Po pisket, njerëzit po e shiqojnë. Vetëm mbrapa meje kish qenë burri i saj. Po i thotë “Dragane, ova gospođa spase naše Miloša”. Ai djali Millosh e kishte emrin. Ai njeri tha “oh, unë e njoh këtë zonjë. Kjo o msuse”. Ai polic po na njifke. Tha osht msuse ktu në shkollën atëherë të quajtur Josip Broz Tito e tash quhet Ismajl Qemajli. Kur u ktheva unë, thash ta shiqoj kush është ky njeri, tha zonjë, në gjuhën serbe, “Kurrë nuk kom me ta harru, ma ke shpëtu djalin 13 vjeçar”. Thashë “shumë po m’vjen mirë. Unë prandaj vrapova me ju pru kosin edhe e pyta çka don edhe diçka tjetër përpos kosit”. Edhe ai njeri, kur jom kthy, axha Osman, plaku i kojshive, m’ka thon “Oj Myrvet, ni kos që ia kishe dhon ni policit, ta ka rujt shtëpinë dy muj e gjys ke pasë roje edhe n’hymje përpara ku kanë qenë policët edhe kjo mbrapa. Me dy roje tu ka rujt shtëpia dy muj e gjys për nder. Mandej kur fillun me u rrallu, njëni prej policëve na ka thonë se na foli, i qova ujë a nuk di, e m’tha na ka thon “preket kjo shpi, kuku për juve se djalin e kom nga zonja e kësaj shtëpie gjallë që m’ka ofru ndihmë ni muj pa u bombardu. Pizgaveri ka qenë edhe në atë kohë para shtëpisë së saj por ajo si nanë, si gjyshe, si msuse, si gru humane, na pruni kosin edhe unë kurrë nuk kom me ia harru””.
R.B.: Domethonë ai jau ka shpëtu shtëpinë?
M.G.A.:Ai polici e shpëtoi shpinë. Ajo sjellja ime, ai trishtimi jem kur tha gruja “e kom djalin para vdekjes, goja pi shkumon” edhe unë shpejt kosin, more me ma pas lyp krejt shpinë unë ia kisha atë ditë dhon asaj gruje vetëm me shpëtu djalin, ni fmi t’ri. Edhe kështu ka qenë rrëfimi im.
R.B.: Faleminderit shumë për kohën dhe fjalët.
M.G.A.:Faleminderit.