Adelina Berisha
Intervistë me Adelina Berisha
R.B.: Përshëndetje Adelinë! Faleminderit shumë që po bisedon me mu. A po ia nisim pak qysh e keni marrë vendimin me dalë? Qysh e man men qat periudhë kohore? Me kon je kon? Gjëra të ngjashme.
A: Domethon kur ka fillu bombardimi më 25 mars apo?
R.B.: 24 mars.
A: Po, 24 mars. Unë kom jetu në lagjen e Blendit. Në atë kohë, lagjja e Blendit nuk o kon shumë e urbanizume, o kon lagje e re që o formu n’Prishtinë, as asfallt s’ka pas. Edhe o kon ma shumë si fshat ngit në periferi të Prishtinës. Unë kom dalë n’atë lagje prej qendrës. Nuk m’kujtohet saktë veç e di që ka qenë Bajram, fillimisht, kur e kemi pas presionin e parë me i lshu shpijat. Unë jom kon fmi normal, prej kur kanë fillu bombardimet. Baba jem, Tefiku, e pat bo n’bodrum, se bodrumin e kena nër dhe, e pat bo ni hapësirë me disa shilte, dysheka, menojshim që na mbron prej bombardimeve edhe qaty disa familje fqinje edhe na vishim u mshefshim qaty gjatë kohës së bombardimeve prej frikës mos rastësisht ndodh me u bombardu edhe shpijat knej. Sepse fakti që jena kon periferi jena kon pak ma shumë të atakum prej serbëve se lagjet tjera. Edhe kur ka qenë qajo dita e Bajramit, ka qenë hera e parë që na – dmth lagjja jem e ka përballë ni kodër që njihet si Varrezat e Jahudive edhe ajo ka qenë krejt bukfalisht e mushun me policë, me ushtarë edhe na gjithmonë e kemi pa që prej anej jon tu ardh sulmet – edhe ditën e Bajramit e patëm lshu shpinë, patëm shku me ni lagje tjetër që tash njihet si Kolovica e Re. Edhe ajo o kon lagje e re, tek në ndërtim e sipër në atë kohë; ka pas shumë pak t’banume, kryesisht kanë qenë shtëpi tek tu u ndërtu. Atë ditë kemi ikë krejt lagjja. Kemi nejt deri natën vonë. Dikur na kanë thonë, burrat shkojshin n’lagje e shihshin që nuk pat najfarë krize edhe kah gjysa e natës jemi kthy n’shpija. Edhe normal kemi mendu që pak u qetësu situata. Unë në atë kohë jom kon 14 vjeç. Mandej më 1 prill ka fillu, jemi kon n’gjumë krejt edhe jon ni plumat tu na ra n’kulm t’shpisë. Edhe veç e di që ka ardhë nana, na ka thonë “çonu se duhet me e lëshu shpinë edhe me ikë!” Na jemi çu, kemi ikë krejt mahalla qashtu tubë. E di motra jeme Leonora sa pat fillu ni lidhje dashurie me Bersantin, me të cilin tash jon t’martum, edhe e di që ajo ka qenë e vetmja prej krejt neve që ka qenë pak ma e pregatitne se i ka pas ato fotografitë, albumet që ka dasht me i marr, kujtimet me të dashurin e saj. Edhe e ka pas ni kofer me qato rroba edhe me albumet po e harroi n’shpi edhe na u nisëm me shku teposhtë, Nora u kthy me e marr, unë u nisa mrapa saj. E di që na patën shku plumat kah komt. Qaty e pam që kjo punë përnime s’koka hajgare po bajagai serioze, bajagi kërcënuese edhe rrezik për neve. E mur ajo qat torbë si shpejt, u nisëm. Prej lagjes tonë jemi shku në Taslixhe atë ditë. Na ka marr ni familje. Në atë kohë jom kon fmi, nuk e kom shumë t’qartë cila pjesë e Taslixhes se e din që osht bajagi laxhe e madhe po e patëm bo ni natë në shtëpinë e qasaj familje. Se ideja e prindve t’mi ka qenë me u sill nëpër Prishtinë, mos me e lshu qytetin, me tentu me nejt këtu. Mirëpo mandej të nesërmen, erdhën në mëngjes, na përzun edhe prej Taslixhes. Prej Taslixhes kemi shku te axha jem i cili ka banu në atë kohë afër Teatrit Dodona në qat lagje. Shkum aty qat natë. Prapë qashtu ditën kemi nejt. Prapë jon ardhë na kanë përzanë edhe prej asaj lagjeje, qysh vishin serbët. Veç trokitshin n’dyrë edhe thojshin “Lironi shtëpinë, lironi shtëpinë, nisnu për Shqipni!” Edhe prej aty dulëm. Kemi qenë diku 16 veta. Familja jem, na jemi 5 fmi edhe prindët. Dmth 7 kemi qenë veç prej familjes tem, prej axhës tem kanë qenë katër: axhi me grun, djali me grun. Edhe mandej djali tjetër i axhës që ka banu n’Breg t’Diellit me grun edhe me 3 fmi. Prej shpisë t’axhës te Dodona kemi shku te banesa e djalit t’axhës në Breg të Diellit. Krejt qata 16 veta, ni banesë t’vogël, ni dhomë t’fjetjes ni sallon. Nuk e di qysh u patëm rahatu atë natë. Po banesa ka qenë përballë Konvikteve, e Konviktet kanë qenë të mbushuna me paramilitarë. Ton natën na i kemi pa snajperat tu na kalu nëpër xhama. Na si fmi, t’mdhajt kanë tentu në tana mënyrat e mundshme me na kursy, a din, mos me kuptu çka po ndodh, po unë i kom hala në kujtesë zanat e burrave tu u ndrru me dal me rujt në ballkon, tu dal tinëza mos me u vrejt prej paramilitarëve që i kishim përballë n’konvikte. Poashtu djali i axhës e ka pas ni fqinj serb me të cilin kanë pas marrëdhanie të mira si fqinj deri në momentin kur ka fillu lufta, mirëpo djali i qatij fqinjit ka qenë polic. Edhe djali i axhës shkoi i tha “a munesh me m’siguri barëm sonte që ki me na mbrojt se kemi fmi t’vegjël, jemi 16 veta?” Ai, edhe pse deri qat’herë kanë qenë fqinj, që ndoshta nëse kanë met pa ni gotë qumësht, pa ni ve, pa ni sheqer, e kanë pas qat liri me lyp te njoni-tjetri, mirëpo atë ditë ai fqinji i tha “mu po m’vjen keq, mos pritni as mos llogaritni që unë muj me ju mbrojt sepse kolegt e mi, shokët e mi jon tu mi vra ushtarët edhe shqiptarët”. Edhe qikjo e di që m’ka met shumë mbresë, edhe pse jom kon fmi m’pat bo shumë përshtypje se ish diqysh vështirë me e pranu që do njerëz që deri sot e kanë iu kanë gjind njoni-tjetrit, përniher ndrroi gjithçka edhe u bom armiq të njoni-tjetrit. U bo mëngjesi. Aty krejt rruga ka qenë shumë sfidë, kudo që kemi shku se krejt rrugët kanë qenë t’mushuna me paramilitarë edhe na tentojshim me u nda, mos me shku krejt tubë. E di që me një moment unë pata met veç me djalin e axhës edhe me familjen e tij. Jom ni shumë keq se familja jem kishin met pak ma mrapa. Nuk e di pse meta, se kom qenë shumë e lidht me qikën e djalit t’axhës. Me Gretën jemi kon moshë e njëjtë edhe nashta qajo m’ka shti me ec me të edhe e di që veç një herë jom kthy te Menza e Studentëve, unë nalt, kta s’e disha ku jon. Mandej thojshin te Naim Frashëri ka post-bllok të policëve. Qaty e pata pa që prej qetij momenti unë s’kom me u nda prej familjes tem se po mujka me ndodh që mes me krejt tjetër kond edhe nuk e di ku i kom nanën babën, motrat, vllaun. Po fatmirësisht u bom krejt bashkë. Ata e di që i kanë nal te Naim Frashëri policët ose grupet paramilitare, iu kanë bo nifar kontrolle. Mandej erdhëm n’shpi. Prapë po thom t’mdhajt kanë tentu bajagi shumë me na kursy po unë s’jom kon fmi që mos me e kuptu çka o ka ndodh. Po ndoshta nifar mënyre kta mekanizmat mbrojtës m’kanë shti mos me bo shumë pytje që nifar forme me e kursy veten edhe ata. Mos me i ngarku ma shumë me pytjet që kom mujt me jau bo. U bo mëngjes. Prej kësaj banesës jemi çu, kemi mendu – se krejt qikjo ideja mos me e lëshu Prishtinën – hajde po kthehemi prapë te shpija e axhës, te Dodona. Kur jemi kthy aty, gjithçka ka qenë e braktisun. Veç i kishin lshu krejt fqinjët, krejt shqiptarët shpijat e tyne. Veç na metëm n’shpi. Dikur kah mesdita ka ardh ni qikë e mahallës po që osht e martume diku tjetër tash. Ajo erdh me burrin e vet te familja e vet po ata veç e kishin lshu shpinë edhe kur s’e gjetën kërkon kanë ardh te na, e kanë pa që e vetmja shpi që po duket që po qarkullojnë njerëz. Qaty e di që na kanë thonë neve fmive “lirone dhomën, shkoni nalt luni”. Ajo gruja ka qenë shumë e shqetësume, o kon tu kajt, njëjtë edhe burri. Këta kanë ardh prej Qafës, me tentu me ikë. Unë e kom përshtypjen që aty ka pas ose naj tentim dhunimi ose diçka ngjashëm se qajo i ka bo këta me u mobilizu me na largu neve fmive sa ma shpejt mos me ni çka ajo ka me tregu. Po e di që masi ka ardh ajo edhe këta kanë fol me ta, ndoshta veç ka tregu sa keq jon tu u sill paramilitarët, nuk e di. Po menoj që o kon diçka e madhe edhe nuk i kom pyt mo kurrë t’shpisë se çka ka tregu ajo gru atë ditë. Veç e di që qajo u bo shkak që na tham hajde krejt po ikim se s’paskem çka me bo këtu se osht rrezik shumë i madh nëse na gjejnë veç neve n’krejt këtë lagje. Edhe jemi qu kadale krejt bashkë. Nëse e din ku osht pjesa që i thojnë Te 4 Lullat, ajo pjesë deri n’Dragodan o kon krejt me paramilitarë. N’kujtimet e mia ata jon krejt sikur bisha kur m’kujtohen, edhe sytë i kanë pas t’egërsume, nuk o kon shikim i ni njeri normal. Tash na e dim krejt kush jon kon paramilitarët. Paramilitarët jon kon kriminelët ma t’mdhaj që i kanë gjetë prej burgjeve, që jon kon edhe përdorus të drogave t’ndryshme që bukfalisht ata jon kon t’pim prej çdo ndjenje. Ata nuk t’kanë pa si qenie njerëzore. Edhe i ke pa gratë serbe ma n’moshë që iu qitshin rakija edhe ata na thojshin neve “Za Albaniju!” Që i bjen “shkoni për Shqipëri”, me ni gisht qishtu na bojshin. Na ecshim me kry teposht, asni fjalë kërkush s’guxojke me thon. Në atë kohë Prishtina i ka pas 2-3 lagje që kanë qenë ma urbane; Qafa i ka pas do butika poshtë që jon kon pak ma intersant ku na si fmi jena ardh i kena kqyr, Adidas, Nike. S’kena mujt mi ble po i kena kqyr për dritare. Edhe i shifshe krejt të thyme, serbët tu e shfrytëzu qat situatë tu marr patika a ti knej ishte tu ikë dika. A din, për mu, si fmi, gjithçka hiç s’ka pas kuptim, asnjo prej ktyne. Po qaj o kon realiteti. Kena ec. Kur kena mrri kah Dragodani, prapë o dal ni post-bllok i paramilitarëve edhe e patën nal axhën tem. I patën lyp pare. Po fatmirësisht në të njëjtën kohë pat kalu ni patrollë e ushtrisë t’rregullt t’Serbisë edhe siç duket kta parmilitarët pak iu kanë tut qisaj hierarkie, qyshdo që ata kanë funksionu. Edhe na lshun, than “ik, ik nisu!” Kur kemi shku te stacioni i trenit, që për mu o kon hera e parë, aty o kon e mbushun me njerëz. Dikur u bo natë, ftoftë, shi. U munojshim mi ndez do zjarre derisa erdh treni. Tani ka ardh treni. Secili njeri – ai osht instinkti për me mbijetu – aty secili kqyr veç për familjen e vet. Neve për dritare na kanë shti djemt e familjes, vllau, djemt e axhës. Veç na gjujshin. Nuk e di pse s’na ka punu kryt, kush ka kcy mu ul me nxon ni ven po na veç u gjujshim edhe bishim përmi njoni-tjetrin derisa jena çu jena rahatu. Edhe pse kabina osht për diku 6 veta, na jena kon 16 veta, qata që t’i përmena. Graniti, djali i djalit t’axhës, ka qenë diku 2-3 vjet. Aty jom ni shumë keq. Kur kom hi n’tren o kon momenti ma i ran për mu se qaty s’kom dit me e menu luftën si luftë, që mujn me na vra, mujn me na dhunu. Veç kom thanë, okay qitu murr fund gjithçka. Unë mo s’kom me pa as shoqninë tem, as shkollën… Edhe e kom pas, nuk e di qysh ka përfundu çelësi i shpis n’xhep temin edhe e di që kur e shtisha dorën e preksha qat çelës, qajo ma kujtojke krejt qet realitet e nuk mujsha mo me e ndal veten. E di qaty kom kajt, tu dënes, edhe veç thojsha “çka ka me ndodh? Kur kom me e pa Lyrën, kur kom me e pa Edonën, kur kom mi pa shoqet? Ndoshta s’kom mi pa kurrë ma”. Se kena pa filma, kena pa çka ka ndodh në Gjermani me jahuditë, me krejt edhe kemi menu që qito sene jon kry qat herë edhe nuk ndodhin ma. E tash e shifshe tu t’ndodhë vet e tu kujtojshin qato skenat e filmav edhe ia niske kadal kadale me tu kompletu qajo puzzle nifar mënyre, tu e pa, edhe pse je fmi, që qitu diçka s’o n’rregull. Po nuk e kom pas frikën qysh kanë mujt me e pas t’mdhejt. Edhe e di kur jena kon tu ikë prej lagjes n’lagje, motra e madhe, ajo i ka pas 24 vjet, motra tjetër 20 vjet, motra tjetër 18, vllau 22, edhe e di që ajo thojke “Doknu keq, qitni kapuçat, shtremnoni ftyrat!” Unë thojsha “Çka ka kjo? Lujti!” Po mandej e kom kuptu se u flitke që po i marrin vajzat e reja po i dhunojnë, po i marrin djemt e ri me i çu n’luftë. Ajo ka menu që qashtu nifar mënyre e mbron veten. E tash unë e di që për paramilitarë, për vrasës, pamja fizike s’ka pas rëndësi se ata nuk t’kanë kqyr a je e pashme e ma e papashme, çkado që ajo nënkupton. Po ka mjaftu me kon gru edhe me e kry ata aktin që kanë pas me e kry. E dimë krejt që edhe dhuna ndaj grave osht si mjet i luftës, nuk don me thon veç arma me u përdor.
R.B.: Keni shku për Bllacë.
A: N’fund, shkum për Bllacë. Kur mrrim, krejt o kon edhe maltretim psiqik që na u ka bo se p.sh. na thojshin “hecni nëpër shina!” e shinat ishin të ngusht, na ishim me mijëra njerëz, e na thojshin “në momentin që delni prej shinës, jon bombat e kanë me ju kërsit”. Edhe qashtu ecshim na krejt. Unë tash menoj që nashta s’ka pas aty bomba e mina hiç. Ajo o kon veç me na maltretu hala ma shumë, edhe emocionalisht, mu ni hala ma të pavlerë, me ta shkatërru dinjitetin krejt, me ta shkatërru çfarëdo seni që ti ke besu, me ta pru n’pikën jo n’zero po n’minus me ta qit. Po mbërritëm n’Bllacë. Kur shkum aty, ishte ni livadh i hapur edhe përveç naj çante që kemi shti shpejt e shpejt naj rrobë, na kurgjo tjetër s’kena pas. As ushqim, as tenda, as plafa, kurgjo hiç! E di natën e parë qaty rrishim, shi… O kon ni moment që mbetëm pa ujë edhe unë u çova me Gretën, qikën e djalit t’axhës, ajo ka qenë n’atë kohë 12 vjet e gjys, unë 14. I pamë shpijat n’kufi, bash n’kufi t’Bllacës, u shifshin aty disa shpija t’braktisuna, “hajde po shkojna te qato shpija mos po mujna me marr ujë”. Edhe ecëm, ecëm. Në muri të asaj shpisë ishin kon – tash se di saktë a kanë qenë ushtrija, a kanë qenë paramilitarë – po kanë qenë të veshun me uniforma, me kto alltijat e mdhaja, unë s’jau di as emrat edhe na ka thonë “Largonu prej qitu se ky osht territor i Jugosllavisë”. Fatmirësisht serbishten e kom msu si fmi prej televizionit, se s’kena pas çka me kqyr tjetër edhe qashtu mujshe edhe me e kuptu. Na jena kqyr me Gretën edhe kena vazhdu se, n’kokën tonë, s’na ka pranu faktin që munen edhe fmitë me i kërcënu. Edhe na po vazhdojm hala me ec, edhe ai po e raporton kshtu “HEJ!” edhe “u, Gretë, qiky me neve e paska!” Na rroki. Edhe u kthym, nuk mujtëm hiç me kqyr aty a ka ujë. U kthym te familja. E di që u shpërndajshin krejt me kqyr me gjet bukë, plaf a najsen po atë natë s’ka pas kurgjo. Tek t’nesërmen m’doket kanë fillu me ardh do traktora me ndihma që na i gjujshin bukët. Kush kish fat me e kap njo e kapke, kush s’mujke s’mujke, ose përfundojke n’lloq. Atje në Bllacë u takum edhe me hallën e me axhën, dikush shkojke, dikush vike. Këtë axhën që ish ma n’moshë e nxerren me ndihmë t’shpejtë. Nuk m’kujtohet saktë as qysh u bo krejt ajo punë. Ata dulën po unë edhe familja jem, edhe axha tjetër me t’cilin u takum, kemi mbet nja 5 ditë n’Bllacë se maqedonët e mbyllën kufinin edhe na lanë në atë tokën që po thotë edhe Ipo edhe krejt “no man’s land”. Mbetëm qaty, dmth maqedonët nuk na pranojshin. E di që dikur u lodhëm krejt. O kon ajo pjesa si livadh edhe si kodër me dal mandej anena te kufini. Edhe e di që ia nisën do njerëz me ikë me dal anej si me zor, tu tentu me kalu aty. Policët maqedonë dulën. Dikur o bo ajo marrëveshja që kanë protestu shqiptarët në maqedoni edhe kanë thanë “na nuk i lajna shqiptarët me mbet kërkah hiç po na kena mi hap dyrt, sa t’mujna me pranu”. Se kta u arsyetojshin me faktin që osht mbush vendi me refugjatë edhe s’ka ma kapacitet me pranu. Mandej fillojnë edhe ndërtimet e kampeve, ajo vjen pak ma vonë kur edhe ndërkombëtarët intervenojnë te Maqedonia. Po na kemi hyp n’autobus diqysh menzi mas 5 ditëve. U çel kufini, erdhën autobusat na mbledhën. Po e di që atë natë na kanë sill, ndoshta 20 orë t’mira jena kon n’krejt Maqedoninë me autobusa tu shku tu kqyr cila komunë po na pranon. N’fund, t’Gostivarit kanë dalë kanë protestu para autobusave, kanë thonë “birni n’Gostivar se na po dojna me i pranu”. E kur kemi shku na kanë dërgu me ni xhami. Tani të nesërmen kur jemi çu, veç kanë ardhë shqiptarët nga Maqedonia edhe secili prej tyne kanë tregu “unë kom vend për 2 veta, unë për 5, unë për 7”. Neve, ai djali që na ka marr e ka emrin Taip Shabani edhe hala vazhdojna me pas kontakt me ta. Po mandej për mu edhe krejt familjen tem o kon nifar shoku edhe jeta se shkum në fshatin Gradec, që osht mes Gostivarit edhe Tetovës po hyn në komunë të Gostivarit. Edhe e di, unë personalisht, n’momentin që ia kom fillu me shku n’shkollë jom ni pak ma mirë po i kom pas 100 të tjera probleme aty kur jom shku. E di motra jem Laura që ish në vitin e katërt nuk iu shkojke hiç n’shkollë se e kena pas ndoshta ndjenjën që po i tradhtojna shoqninë këtu po ndoshta edhe nifar brejtje që unë pshtova, mbijetova e s’po e di ku jon krejt tjerët edhe a e meritoj tash unë me u bo sikur kurgjo nuk ndodhi… nuk e di, jon shumë ndjenja t’përzime. Po kur fillova me shku n’shkollë, ish mirë se tash e kisha ni aktivitet. Unë jom kon nxanëse që m’ka pëlqy me msu, me lexu, qajo m’bojke mirë. Edhe mësimdhanësat, dorën n’zemër, kanë qenë shumë t’mirë. Mirëpo, mendësia ka qenë shumë ma ndryshe me atë qysh unë jom rrit n’Prishtinë. Unë kom qenë n’klasën e 8 atëherë, që i bike si t’kryhet e 8 duhet me i bo planifikimet për shkollën e mesme. Edhe fatkeqësia ma e madhe ka qenë që, kur na pytshin arsimtarët ku po doni me shku n’shkollë t’mesme, a din ato këshillat që t’i japin, “tash osht momenti me msu ma shumë se e keni provimin pranues”, shumë pak qika – për mos me thon asnjo – nuk e dishin a kanë me shku n’shkollë t’mesme. Unë isha e vetmja që e qojsha dorën, “unë kom me shku n’shkollë t’mesme të mjekësisë, drejtimi stomatologji se unë dua të bëhem stomatologe”. Qashtu si fmi kom menu që dua të bëhem stomatologe. Tri paralele kanë qenë të 8-ta. Edhe m’shtishin shpesh me shku me i inkuraju, me iu tregu pse osht me rëndësi, a din m’kanë përdor pak si shembull që “qyre Adelina, edhe pse erdh prej lufte e krejt, kjo prapë po don”. Edhe normal unë si fmi atëherë s’kom mujt me e kuptu që nuk osht pse kto s’dojnë po nuk i lajnë po s’osht edhe vet që s’kanë thonë edhe qikat. Edhe tani e kuptojshe krejt ni realitet kadal kadale me çka ballafaqohen qikat n’qasi ambienti ku normat patriarkale jon hala ma t’forta se që jon n’Prishtinë ose n’qytete. S’po thom që këtu s’ka pas po mu nuk m’ka ra si fmi me pas naj barrierë veç pse jom qikë edhe me mendu që pse jom qikë s’kom me mujt me shku n’shkollë a diçka. S’ka ekzistu ajo hiç. Po atje e pashë që për qika tjera po ekzistojka. Në anën tjetër e shifshe që standardin jetësor e kishin bajagi t’naltë se ishin shumë në diasporë edhe financiarisht nuk hekshin asnjo. Nuk kish barrierë p.sh., “s’po shkoj n’shkollë se s’kom pare” po ish bukfalisht se nuk e shifshin t’nevojshme edhe t’rëndsishme që qikat duhen me u shkollu.
R.B.: A ka fillu me të ndiku mandej qikjo në njifar tute që edhe ti ki me përfundu qashtu?
A: Jom tut shumë. Unë e kom dit që e kom familjen që s’kanë me m’lanë qashtu po jom tut që munet qiky mentalitet me ndrru kadal kadale edhe na se, qysh thojnë, me kon t’rrish, qashtu bohesh. Qasaj iu kom tut mas shumti n’qat moshë, edhe m’mungojshin shoqnia e Prishtinës me kon kena fol për andrra, për ambicie shumë t’mdhaja. Fatmirësisht, ka përfundu lufta edhe na jena përnime krejt të arrim qaty ku kena mujt secili me mrri. Po aty gjithmonë e kom pas qet frikë. Edhe, dorën n’zemër, kur ia nis edhe vet muhabetet me qenë pak ma rreth qasaj, munet me t’ndiku edhe ty. E qisaj iu kom tut shumë, që muj me mrri ni qasi pike që ia nis me m’hup dëshira me u shkollu se kqyre po mujka qika edhe veç me nejt. A për neve s’ka qenë si opsion qajo. Për neve o kon qika duhet gjithqysh me u shkollu. T’paktën qishtu na kanë rrit neve prindët tanë. Nëse don me u bo e pamvarne, duhet gjithqysh me u shkollu. Aty krejt ni tjetër realitet. Na pat thirrë ni shoqe e klasës n’shpi me shku me nejt. Unë e disha që ajo ka shumë pare se krejt klasa folke “O, Qamilja ka shumë pare!” Jena shku me nejt te Qamilja edhe kur jon qel ato dyrt, jon kon t’mdhaja, super luksoze, që i kom pa veç nëpër filma, edhe o kon shpija, oborrri tepër përrallore, shumë e bukur, kur hinëm aty na thanë po ulemi qitu me ni verandë që e kishin ndërtu prej drunit. Edhe filloi me punu skutaçe. Skutaçet jon disa veshje tradicionale që i marojnë prej leshit, i lidhin përpara, konec a kanec, qishtu diçka i thojnë kah Hasi në Kosovë. Dmth ajo ish e koncentrume me e bo pajën, qeizin për martesë. Ajo ish ni periudhë kur ajo ish dasht me kon tu msu për mu pranu n’shkollë t’mesme. Edhe kur i pytshin, shumica thojshin kom me shku ja ni shkollë dyvjeçare, nuk e di çka i thojnë asaj, po jo tamon për me e kry shkollën e mesme për fakultet. Ajo as s’ka ekzistu në idetë e tyne. Kom pas tani a kom me mujt me hi n’shkollë t’mesme se tash ideja jonë ishte që na kena me met qitu se erdhëm. Nuk e dishe ti çka ka me ndodh pas intervenimit të NATO-s e a ka me u çliru Kosova. Ia pata nis me menu që qikjo tash e tutje paska me qenë jeta jem. Edhe normal i kisha brengat tjera, mu nuk m’njeh këtu kërkush, qysh me kallxu që unë jom kon nxanse e mirë? A kanë me m’pranu n’shkollën e mesme t’mjekësisë që ish n’Tetovë se normal aty n’katun veç shkolla fillore ekzistojke. A kom me mujt me ndjek andrrën tem? Mandej thojsha a kom me mujt me bo shoqni që i folim temat që mu m’kanë interesu se, fatkeqësisht, e shifsha që me qikat e Gradecit, po edhe me djemtë, nuk ishim n’vijën e njëjtë. Po thom, sado që o kon lufta e krejt, prapë kemi pas fatin që n’Prishtinë, si kryeqytet, disa gjana moti jon ndryshu edhe nifar “reality check” që e kom pas atje për mu o kon shumë shokus.
R.B.: Sa ke nejt?
A: Kemi nejt deri më 1 korrik. Sepse edhe pse u çliru Prishtina më 13 qershor, na e patëm festu çlirimin atje e krejt edhe mujshe me ardh ma herët – vllau jem ka ardh para se me u çliru krejt, dmth si kanë hi trupat e parë të NATO-s, Lani u pat nis i pari se thojke “t’shkoj t’kqyri mos po muj me gjet naj punë tash me këta ndërkombtarët edhe e kqyri shpinë”. Edhe ajo o kon nifar traume n’veti se nuk e dishim çka po ndodh. Traumat jon kon t’ndryshme – shumë sene po harron njeri edhe me i tregu – po për shembull, n’Bllacë sa isha, unë isha fmi, pat ardhë dikush m’pat thon “ta kanë vra dajën, gjyshen, krejt familjen t’i kanë vra”. Edhe unë e shifsha nanën tem që osht gati n’fije t’floku mes çmendurisë dhe çkado që e konsiderojna normale. Edhe e di që për sa kom nejt n’Bllacë e kom majt n’veti qita, s’pi tregoj nanës që ia kanë vra vllaun edhe nanën se ka me e kuptu herëdokurdo po mos ta përkeqësoj ma shumë gjendjen e saj emocionale. Se llafet jon kon t’ndryshme, po i ndajnë djemt prej familjeve, po i ndajnë burrat. Ajo tani e kish dertin e vllaut, “kanë me ma marr djalin, kanë me ma marrë djalin” e tash me ia shtu edhe ni barrë për vllaun… E di që e kom majt n’veti. Edhe qat ditë që kena shku n’Gostivar, ish ardh daja. Ai tu shku çdo ditë nëpër xhamija mos po e sheh najkon, se ai kish mrri atje para neve. E di që o kon nifar ekstaze, nifar çlirimi kur e kom pa, mu ka dok që e kom hek ni barrë shumë t’madhe që e majsha qitu n’veti. E ka pas fjalë gjithçfare. Tani për shembull djali i axhës tem prej Londre pat shku në UÇK. Edhe ai pat ardh mas ni kohe, s’di qysh ka ikë, me na vizitu. Edhe ma ia pa gjendjen fizike, emocionale ni djali 20 e diçka vjeçar, edhe ajo o kon nifar shoki shumë i madh. Mandena e kisha djalin e djalit t’axhës i cili n’atë kohë o kon 8-9 vjeç, nuk mujke me flejt, kish ankth natën. A din, çdo lloj traume, n’tana anët e shpërndame.
R.B.: A munesh pak me ma përshkru ti kur je kthy qysh e ke pa Prishtinën?
A: Unë prej momentit kur e kena kalu kufinin edhe jemi hi n’Kosovë, diqysh jom shliru se thojsha erdha n’territorin tem po e di që o kon shumë vshtirë me i pa krejt shpijat e shkatrrume. Kur jemi ardh shpija o kon krejt llom e bome. Mandena o shfrytëzu edhe pak prej familjarëve t’kojshive që kanë ardhë n’qat periudhën e qershorit, kanë mendu që na s’kena mu kthy hiq. Fatkeqësisht do gjana i kanë bo vet shqiptarët se kanë thanë “këta njerëz paskan ikë, s’po u kthejkan”. Krejt shumë gëzim, shumë entuziazëm që u kry krejt, u realizu andrra jonë, shkun serbët prej këtu po diqysh o kon nifar dhimte se e di p.sh. i patëm bo do sene t’shpisë tonë n’ballkona t’kojshive shqiptarë. E diqysh qikjo pak t’dëshprojke. Po në anën tjetër tash i kuptoj se, prapë po thom, kur vjen kriza ekzistenciale, njeri e kqyr veç veten edhe s’menon përtej. Po e di që u patëm dëshpru pak edhe prej qitij fakti, qysh na fshin prej historisë krejt, qikjo familje shkun, s’kthehen mo edhe hajde tash pronën e tyne ta marrim. Po meniherë kena ra n’kontakt me shoqninë. E di që u patëm kthy n’shkollë kah gushti me i kompensu qato orët e humbuna sa ma shpejt se unë e kom pas atë dertin me apliku n’shkollën e mesme të mjekësisë edhe secili prej neve ku kena dasht me shku nëpër shkolla, disa nëpër gjimnaz, disa nëpër… qaty jena shpërnda, kryesisht jon kon në Sami Frashër, nja 2-3 veta jemi kon në mjekësi. Po o kon gëzim i madh, e patëm bo edhe mbramjen e maturës. Nime jena kthy shpejt në normalitet se, po besoj, pse jena kon fmi e kena pas ma t’lehtë me e harru edhe me iu kthy. Po Prishtina, sado që ka qenë e bombardume, Posta e këto institucionet tjera, ma pak ke pa pasoja t’luftës se ndoshta nëse ishim kon n’Gjakovë ose këto qytetet që jon kon shumë ma t’shkatërrume. Ose, që osht hala ma keq, për qytetarët e Mitrovicës që, 8 vjet mas çlirimit, ata kanë përjetu ma vshtirë se n’kohë kur ka ndodh lufta. Se s’po din njeri as me thon kur ka nis se o kry kjo tash me e kqyr kështu hollë e hollë. Po qikjo osht. Tash në ni distancë ma t’madhe, edhe për shkak se njeri gjatë jetës ballafaqohet me shumë sene tjera, po e vërej që pak kokna pjek edhe po muj me e kqyr veç si ni storje prej nalt. Para 5-6 vjetve me ma pa bo qet intervistë, garant qitash isha kon tu kajt. Ndoshta edhe para 1 vjetve. Se e kom hala traumë. E vërej veten kur vjen puna me shku n’Maqedoni, kufini, Bllaca, si te shoh, mu krejt qato skena m’dalin para syve. Besoj jo veç mu, po kujdo prej neve që kena kalu nëpër qato. E kom hala trenin pak si traumë. N’Kosovë nuk m’ka ra qaq shumë me e përdor trenin po e di kur jom shku me e bo ni EuroTrip niher, s’osht që kontakti i parë me trenin s’ma ka dhez qat kujtim. E kom traumë, krejt prej neve, kur e nina gjuhën serbe, kur i shohim uniformat. Kur m’ka ra me shku n’Serbi, n’kufi me m’dal qajo uniformë. Po çka m’bon me e nal, thom “Adelinë, me e krahasu me çka kanë përjetu njerëzit, kjo e jona s’o kurgjo hiç!” edhe qishtu e gjej nifar force. Po trauma secili prej neve kena. Kanë edhe fmitë që kanë lind në 2000 që hiç s’e kanë përjetu po, fatkeqësisht, trauma trashëgohet, ajo dihet. Mandej, edhe shkencëtarisht, dihet që stresi e qito mendime ndikojnë edhe n’kod gjenetik edhe n’krejt këto dhe fatkeqësia osht që ndoshta edhe tek pasardhësit tanë na kemi me e trashëgu qet traumë. E tjetra fatkeqësi osht që s’jena tu u marr me trajtimin e saj. Po shpresoj që kena me u vetëdijësu najherë edhe me e pru hala ma shumë – s’osht që s’folet po nuk folet qysh duhet publikisht për këtë traumë kolektive që e kemi. Po ish dasht. Me e krahasu çka kemi hek, traumë mas traume, të shtypta njona mbi tjetrën. Prej stërgjyshëve e gjyshëve. Mu m’ka vdek gjyshi jem, baba jem nuk e ka njoft babën e vet se o kon, njëjtë, i vram prej serbëve në ’45-tën. Veç le t’shpresojmë që mo luftë s’ka me pas edhe me neve u kry e traumave jau bojna qaren diqysh.
R.B.: Faleminderit shumë.