Anonim
Intervistuesja: Përshëndetje. Falemnderit shumë që po ma kallxon sot storjen tonde të luftës. A po ja nisim pak me prej kah je, me kon je kanë gjatë kohës të luftës, prej cilit qytet edhe qysh e man në mend qt fillimin e përkeqësimit të situatës.
Anonim 5: Unë gjatë kohës të luftës në Kosovë kom qenë në qytetin e Pejës së bashku me familjen teme prej 5 anëtarëve; prind, dy motrat ma të mdhaja edhe unë – gjithësej 5 anëtarë. Edhe, më kujtohet sekuenca-sekuenca. Jom kanë 4 vjeçar gjatë periudhës të luftës. Më kujtohet ni vit ka qenë paraprakisht muj me thanë gushti ose shtatori e më kujtohet që në oborr e kena pasë bazenin na fmitë që jena la aty. Edhe kur u lajshim era i prujke ato shkëndijat e të sendeve të djegne në oborrin tonë edhe kur u çojshim në mëngjes gjithmonë ka pasë si ni shtresë e hirit. Edhe më kujtohet prind edhe këta ma të rriturit që thojshin Loxha po djeget. Dmth Loxha është ni fshat afër Pejës. Dmth veç ja kishin fillu që fshatrat përreth Pejës me u djegë. Po gjithmonë me atë mendimin që në qytet nuk kanë me bo diçka, nuk kanë me ardhë në qytet edhe qeshtu ngjarja veç filloj edhe situata veç me u përkeqësu edhe na, unë me prindërit e mi edhe me motrat, kena mbetë në luftë. Dmth e kena përjetu luftën gjithësej 54 ditë. Dmth kemi qenë në luftë. Situata u bo që njerëzit, kojshitë fillun me ikë edhe në ni panikë gjithmonë me shpresën që po qetësohet, po qetësohet, edhe qeshtu përfundoj situata që na me mbetë në Pejë. Prind e mi kanë pa shumë sende po unë gjithmonë si të ja di këndveshtrimin fëmisë gjithmonë se kom ditë çka është tu ndodhë. Për shembull pse shpija ngjitun neve e kojshive është tu u djegë. A po e din jonë kanë do sende që tash kur i kujtoj thom prind e mi në çfarë situate kanë kalu, në çfarë gjendje emcionale kanë kalu që gjithmonë me jetu me atë rrezikun që në çdo moment mundet ndonjë militant serb i ushtrisë me ardhë edhe me na bo çka është ma e keqja.
Intervistuesja: E përmende pak edhe këtë pasigurinë në ushqim para se me vendosë me ikë. A mundesh pak me e rikujtu qat pejsën të ushqimit edhe sa keni pasë mundësi gjatë qasaj kohe të bombardimeve të NATO-s.
Anonim 5: Fatmirësisht babi jem e ka pasë ni lloj dyqani në oborrin e shpisë – ka qenë marketi i lagjes. Dmth ushqimin nuk e kena pasë problem për atë kohë, deri kah periudha e fundit kur fillun edhe militantët serbë me hi nëpër shpija edhe me marrë sende. Edhe më kujtohet që patën ardhë me ni xhip të madh edhe e patën marrë shumicën e landëve ushqimore i patën marrë edhe na patën lanë neve shumë pak. E qatëherë u kanë ma vshtirë. Po gjatë qasaj periudhe dmth vetëm na jena kanë në lagje që kena mbetë vetë edhe tash a din ajo pasiguria për me dalë dmth vetëm në mëngjes prind e ti që kanë mujt me dalë me marrë sende elementare edhe me u kthy se edhe pjesa e lumit andena kah korza e Pejes, dmth ajo u kanë e banume edhe prej serbëve. Ka pasë dmth serbë që kanë ndejt aty gjatë kohës të luftës që ata nuk janë ngacmu po vetëm shqiptarët jonë kanë ata që jonë tut për jetën e tyne. E më kujtohet qekjo edhe kena fillu me ndëgju cilat familje kanë mbetë në lagjën e Kapeshnicës në Pejë ku aty e kom shpinë. Aty tani babi i patë taku dy shokë që kanë mbetë edhe ata si na, edhe ata i kena strehu na në shpi. Po ata kanë qenë persona që kanë pasë kontakte edhe jonë kanë të njoftun në Pejë, dmth me punat e tyne që i kanë bo jonë kanë në pozita që ngrituna me thanë. Edhe ata kur kanë taku shumë herë nëpër qytet persona që ndoshta kanë punu bashkë, kolegë, po që jonë kanë me nacionalitetin serbë, e ata tani ju kanë jepë informata shtesë atyne për sigurinë tonë. Edhe kur patëm arritë në fund me u largu na prej Peje, 24 orë më herët jonë taku me ish kolegët e tyre edhe ata jau kanë bo që duheni me u largu se jonë tu ardhë, me nënkuptimin që nëse nuk largoheni ma e keqja mundet me ju ndodhë. Edhe kështu për fat dmth na 24 orë më herët jena largu e tani kur jena kthy prej Ulqinit, prej Malit të Zi, shpija ka qenë e kallne, kena gjetë pluma në oborr që jonë kanë të shpërndanë, ni qeshtu…
Intervistuesja: Para se me kalu te tamon largimi prej Kosovës, e përmende ni sekuencë në të cilën ni paramilitar ka hi në oborr të juj. A munesh me e rikujtu edhe niherë qat sekuencë.
Anonim 5: Unë si fëmi, edhe akoma vazhdoj me qenë ni… i dashuroj kafshët. Edhe gjatë kohës të luftës mungesa e ushqimeve edhe kështu edhe macat e rrugëve fillun me u afru shumë në shpi se na kishim ushqim, na ju qitshim, edhe numri u kanë i madh i macave edhe unë shumë kom lujt. Unë luftën çka e kujtoj e kujtoj veç me maca tu lujt. Edhe më kujtohet jena kanë tu hangër drekë edhe jena kanë dmth në sallon edhe e kena ndëgju ni zhurmë diçka si diçka me ra prej murit. Edhe unë me mendimin tem që njana prej macave u ardhë edhe me shku me lujt edhe kom dalë edhe gjithmonë tu e ndi zanin e nanës “kthehu, kthehu, kthehu”. Po tu bërtitë po tu pëshpëritë. Atë zanin me panikë edhe unë kom vrapu edhe jom shku mbas shpisë edhe nuk e kom pa macën veç e kom pa ni njeri, ni ushtar, ni militant serb, i cili…në qato çaste unë dmth jom shtangë edhe ai më ka kapë mu me dy dur po më ka kthy dmth shpinda ime u kanë në barkun e tina edhe unë nuk e kom pa ai çka ka bo mbrapa meje. Po ai me qysh e shpjegojnë prind ai mu ma ka drejtu revolën në kokë. Edhe kur jonë ardhë prind e mi dmth nana edhe babi meniherë jonë ardhë mas meje e kanë pa qat gjendje edhe kanë fillu me fol në gjuhën serbe, me i shpjegu ushtarit që unë dmth jena vetëm familja jonë, nuk përmbajmë rrezik edhe ai gjatë gjithë kohë më ka mbajtë mu derisa jena dalë te dera e oborrit në qytet edhe kur e ka pa që… e ka çelë deren e oborrit edhe ka dalë jashtë edhe më ka liru mu. Edhe unë në qato çaste e mbaj në mend nana ka ra në dy gjujë edhe me dënesje ka fillu me kajtë edhe unë kom nga edhe jom shku te babi. Edhe babi më ka kapë edhe qaty e kom pa që ai nuk ka qenë vetë po u kanë ni kombi i madh me ushtarë që kanë hy nëpër shpija. Nuk e di për çfarë arsye, po më doket për me marrë sende për me marrë municione ata për veti e gjana ushqimore, edhe qeshtu. Qajo më kujtohet shumë edhe që hala prind e mi e përmendin. Ka pasë shumë raste që na kanë ardhë qeshtu komandantat e ushtrisë serbe në shpi që ja kanë bo babit pse jeni këtu, pse s’po largoheni. Dmth gjithmonë kanë qenë sende që për shembull kur prind e mi jonë shku me ble diçka në qytet që u dasht me u largu prej lagjes, dmth gjatë qatyne udhëtimeve kanë pa shumë njolla me gjak. Dmth u kanë ajo, u ndi ajo situata që njerëzit jonë tu u vra prej serbëve, prej ushtrisë serbe edhe qeshtu.
Intervistuesja: A mundesh me më tregu qysh ka shku rruga për Mal të Zi edhe Ulqin ku keni përfundu si refugjatë masi e keni marrë informatën që duheni me u largu brenda 24 orëve?
Anonim 5: Atëherë, vetëm dmth na … muj me thanë njo 5 shpija ma anej se shpisë tonë u kanë edhe ni familje që kanë mbetë si na. E ata dmth gjatë gjithë kohës kena pasë kontakt me ato familje dmth ushqimin që e kena pasë na e kena nda me ta. Ata e kanë pasë si ni minifermë me pula e na kanë siguru mishin e pules edhe vezët e pulave. Edhe gjithmonë jena kena pasë kontakte me ta nëpërmjet kojshive tu u kapërcy muret e sende. Edhe ata kanë pasë… vajzat e tyne kanë qenë mbi moshën 18 vjeçare edhe ato vajza vetëm natën i kanë lanë me dalë nëpër oborr. Dmth ato gjatë ditës gjithmonë jonë kanë të izolume në bodrum, të mshefne nëpër dollapa, nëpër ormane të shpisë që gjithmonë jonë tutë që mos po vijnë militant serbë edhe po i marrin ose po i dhunojnë. Edhe dmth bashkarsisht me ta i patëm nxjerrë biletat se e morëm lajmin që duhet na me i largu se jonë tu ardhë. Po, edhe kur jena nisë më kujtohet që te kufiri kanë hi ushtria serbe edhe i kanë nxjerrë krejt burrat jashtë autobusit edhe i kanë mshefë e i kanë pshtetë për autobusi. Jau kanë hapë kamt edhe jonë kanë të armatosun edhe e di që ni kohë të gjatë kanë mbetë qaty edhe gjithmonë me atë a po i lëshojnë apo nuk po i lëshojnë. Po në fund i kanë lëshu. Edhe unë jom kanë në prehërin e nanës edhe nana ja ka fillu me kajt. Edhe veç mu ka kthy mu edhe ma ka bo bonja me dorë ushtarit jashtë. Qetash kur e analizoj e kuptoj që qaj gjesti jem që e kom bo me dorë e ka zbutë goxha shumë situatën se ai ushtari ka fillu me kesh edhe na jena nisë me autobus edhe kena vazhdu në Malin e Zi ku kena përfundi në Ulqin.
Intervistuesja: Ku kenni nejt fillimisht?
Anonim 5: Fillimisht jena kanë të strehum nëpër shatora dmth nëpër kampe që jonë kanë të pozicionume në plazhën e madhe të Ulqinit edhe aty kena nejt. Më kujtohet mu që jonë ardhë disa ndihma që kanë pru lodra për fmi. E di më kujtohet që e pata fitu ni lodër, jom kanë shumë i gzun. Kam fillu me shku në çerdhe. Ajo u kanë si ni shator pak ma i madh, si ni klasë edhe aty mësojshim vjersha e sene. Tani ma dikur jena zhvendosë prej atyne shatorave edhe jena shku te ni shok i babit që e ka pasë shpinë në Ulqin edhe te ai jena kanë të strehum derisa babi fillum me ndëgju që u kry lufta. Babi pat vendosë me u kthy niherë vetë në Pejë e tani pat ardhë me na marrë neve edhe…
Intervistuesja: Okay. Edhe shpija ka qenë komplet e djegne, a?
Anonim 5: Po, shpija ka qenë e djegne. E lem ta ceki këtë send se ni kojshi e kena pasë afër që ai ka pasë probleme mentale edhe kena insistu gjatë gjithë kohë, babi ka insistu me e marrë me veti, po ai u kanë kategorikisht kundër me ardhë me neve edhe ka vendosë me nejt aty. Edhe nana për me u siguru ka thanë ani pra hajde në shpi tonë, ki ushqim, nuk ki nevojë me dalë prej shpisë dmth nuk ki nevojë me dalë prej shpisë tonde e me ardhë deri te na me marrë ushqim e tani me u kthy; që mos me u pa që është ai aty, për siguri të tij. Edhe ai ka vendosë me mbetë aty. Kur jena kthy, dera ka qenë e mbyllun me grep dmth me shul, dera e hekurit. Edhe kur jena kthy dera ka qenë e hapne, shuli i derës ka qenë i shkapun me grepin e derës dmth tregon që u hapë dera me dhunë. Kena pa municione nëpër tokë të plumave edhe ai person tash e tutje vazhdon me kanë i zhdukun. Nuk u gjetë kurrë deri tash.
Intervistuesja: A e man në mend pjesën tjetër të lagjes? A jonë kanë edhe shpijat tjera të djeguna ose që kanë pasë përjetime të ngjashme me të jujat?
Anonim 5: Po, më kujtohet dmth qatëherë kur u përkeqësu situata edhe vetëm pritshim kohën për me u nisë për Mal të Zi. Më kujtohet fqiu përballë, dmth shpija u kallë, e kallën shpinë ushtarët serbë. Edhe mu më kujtohet veç kështu prej dritarës i ulën edhe patën fillu edhe xhamat me u nxe aq afër që u kanë me shpinë tonë. Edhe fillun me u nxe edhe nana gjithmonë me aktivitete na ka bo që na me harru çka është tu ndodhë ose me nifar forme me e shndërru si ni lloj loje që na mos me kanë të traumatizun me faktin që është tu ndodhë. Edhe më kujtohet qatëherë se nuk kena pasë rrymë, dmth s’ka pasë elektricitet, edhe krejt shpija u ndriçu me dritë të kuqe të flakës. Qajo më kujtohet se më kujtohet dhoma që salloni u pat bo kuq krejt dmth prej flakës e nuk na lejshim prind me u afru te dritaret se xhamat u patën nxe.
Intervistuesja: Falemnderit shumë.