Nazmije Sopa
Intervistuesja: Verona Sopa
E intervistuara: Nazmije Sopa
Akronimet: VS=Verona Sopa, NS=Nazmije Sopa
VS: A mund të më tregosh diçka për veten?
NS: Unë jam Nazmie Sopa, jam 41 vjeç dhe me profesion jam arsimtare.
VS: Si e keni përjetuar ju luftën?
NS: Nëse të gjithë mendojnë se lufta në Kosovë ka qenë në vitin 1999, unë mendoj pak më ndryshe. E gjithë fëmijëria ime ka qenë luftë.
VS: Pse luftë?
NS: Sepse qysh në vitet e 90-ta popullit shqiptar në Kosovë i janë mohuar të drejtat elementare nga regjimi serb. Në atë kohë, gjithë prindërit shqiptarë i kanë larguar nga puna, janë mbyllur shkollat shqipe, televizionet, radiot, gazetat, teatrot. Është mbyllë gjithçka që ka frymuar shqip. Mirëpo, si popull i vjetër që jemi, kemi edhe shumë cilësi sepse arritëm që të mobilizohemi të gjithë që të mos ndodhë asimilimi. Shumë shtëpi u shndërruan në shkolla, mësuesit punonin pa paga vetëm që nxënësit mos të mbeteshin pa arsimim. Shumë shtëpi u shndërruan edhe në universitete ku studentët mbanin mësim në shtëpi private.
NS: Të gjitha këto padrejtësi nuk u ndalën por shkuan duke u bërë edhe më të egra deri sa filluan edhe masakrat ndaj popullatës civile, në të gjitha anët e Kosovës. Vetëm atëherë bashkësia ndërkombëtare e mori seriozisht çështjen e Kosovës, ku më 24 mars të vitit 1999, NATO e bombardoi Serbinë.
VS: Si i keni kaluar ju ditët e bombardimeve?
NS: Kur është dhënë lajmi në televizion se NATO fillon bombardimet, për neve ka qenë gëzim i pa përshkruar. Por, si kundërpërgjigje ndaj NATO-s, Prishtina ishte e mbushur me ushtarë, policë, dhe paramilitarë serb. Ata filluan me spastrimin e qytetit, erdhën me tanke para çdo shtëpie dhe na detyruan që t’i lëshonim shtëpitë dhe të nisemi për Shqipëri dhe Maqedoni. Por kjo nuk ishte dëshira jonë, kuptohet, që ta lirojmë Kosovën. Ata na larguan nga shtëpitë dhe kështu ne u larguam nga lagjja jonë dhe kaluam në lagjen tjetër me shpresë se do të mbetemi në Kosovë, në tokën tonë. Por edhe atje erdhën një grup serbësh me uniforma e të armatosur. Në uniformat e tyre shkruante “policia ushtarake” kuptohet në gjuhën serbe, dhe fytyrat e tyre ishin të ngjyrosura me të zezë. Aty ishim në shtëpinë e xhaxhait tim dhe ata hynë brenda dhe ashtu siç ishim na detyruan të dalim jashtë, të dalim në oborr, dhe nga oborri jashtë. Vetëm xhaxhain tim e ndalën në oborr. I dëgjova pak dhe sa i kuptova, me atë serbishten që e kuptoja unë, ata kërkonin para dhe një makinë që ishte në oborr që ishte e vëllait tim. Të gjithë u nisën ndërsa un shkova në mes të 5 policëve dhe e tërhoqa axhën tim për krahu “eja me neve”. Por, njëri nga ata policët e tërhoqi në anën e kundërt në atë moment vëllai ma bëri me shenjë “eja merre çelësin e makinës e jepja, se e lirojnë axhën”. Ashtu veprova, e tërhoqa shumë axhën e çelësin ia dërgova atij policit që e mbante për krahu. Çuditërisht, në ato momente fare nuk kisha frikë. Ndërsa sot, kur i mendoj ato momente, tmerrohem sa të frikshëm ishin ata dhe sa të armatosur ishin. Pastaj kur kemi dalë nga oborri, policia dhe ushtria na kanë mbajtur në kolonë dhe ne nuk kemi mundur të largohemi nga kolona. Na kanë dërguar ashtu drejt në stacionin e trenit ku kemi kaluar një tmerr të vërtetë. Aty ka pasur aq shumë njerëz saqë treni është mbushur plot dhe me qindra njerëz kanë mbetur në stacion të trenit ku kemi qëndruar tërë natën. Aty ka pasur shumë forca serbe sa që tërë natën ka pas gjuajtje të automatikut mbi kokat tona. Ajo ka qenë nata më e tmerrshme e jetës sime. Ka pasur rast që një grua ka lindur aty në stacion të trenit, ka pasur foshnje që ka qarë pa pushim sepse nuk ka pasur qumësht, ka pasur fëmijë që kanë qarë sepse kanë qenë të uritur, ka qenë një tmerr që nuk përshkruhet me fjalë. Ashtu qëndruam deri në mëngjes. Në mëngjes erdhi treni por kishte aq shumë njerëz sa që po të ishin edhe 20 trena nuk do t’i zinte, aq shumë njerëz ishin në stacionin e trenit, pa dëshirën e tyre kuptohet. Unë dhe familja ime arritëm të hynim në tren, por aty ishte aq ngushtë sa që as dorën s’mund ta lëviznim. Ashtu i ngarkuar, treni u nis nga Prishtina për në Maqedoni, mirëpo në Fushë Kosovë treni u ndal. Aty ishin paramilitarët të cilët hynin në vagonë që nxirrnin të rinj e të reja. Aty kemi pas shumë frikë por për fatin tonë në vagonin tonë ata nuk erdhën fare. Ata të cilët ishin pranë dritares na tregonin “ja i morën dy djem”, “i morën tri vajza” fatin e të cilëve as sot nuk e dimë. Pas dy a tri orë qëndrimi në Fushë Kosovë, treni u nis dhe vazhdoi rrugën deri në Bllacë në kufi të Maqedonisë ku na zbarkuan në zonën neutrale. Aty ishim të sigurt nga forcat serbe, mirëpo edhe aty trajtoheshim shumë keq nga policia kufitare e Maqedonisë. Aty kemi qëndruar për 6 ditë në qiell të hapur dhe pothuajse gjatë gjithë kohës me shi. Aty kanë filluar të na sillnin ushqim shqiptarët e Maqedonisë sepse shumica nga ne ishim që nuk kishim ngrënë për 2-3 ditë dhe pas ditës së 6 aty erdhën dhe na morën me autobusë dhe na dërguan në një kamp i cili ishte i përgatitur me tenda për refugjatë. Aty qëndruam edhe disa ditë të tjera, e nga këtu jeta ime ndryshoi.
VS: Si ndryshoi?
NS: Ndryshoi sepse un jo vetëm që u largova nga vendlindja por edhe nga familja ime sepse në atë kohë un kisha një të dashur dhe në atë kohë ne ishim studentë. Planet tona ishin që t’i përfundonim studimet e pastaj të martoheshim. Por që aty vendosëm që ne të dy të bashkoheshim dhe të fillonim jetën së bashku.
VS: Si u krijuan rrethanat që ju dy të bashkoheshit?
NS: Pasi në atë kohë nuk kishim telefona mobil dhe bashkimi në mes të njerëzve ishte shumë i vështirë, partneri im kishte kërkuar ditë të tëra si të më gjente mua dhe kishte takuar një shoqe timen e ajo i kishte thënë që familja e të dashurës tënde gjendet në Maqedoni. Ai kishte filluar që të më kërkonte, të kërkonte në çdo qytet të Maqedonisë dhe kishte hasur në një qytet një listë ku gjendej emri dhe mbiemri im, Nazmie Sopa. Ai e kishte marrë rrugën me një të afërm të tij dhe kishte rastisur që ajo familje me emrin dhe mbiemrin tim të ishte në një fshat shumë të largët malor diku në komunën e Tetovës. Ai kishte shkuar atje dhe për çudi kishte dal një person. Ky e kishte pyetur:
“A është këtu Nazmie Sopa?”
”Po, këtu është. Çka po të duhet ty?”
“Ajo është e dashura ime”
“Ah, djalë i ri, po më vjen keq por kjo është reja ime, dhe është një grua e moshuar”. Dhe ai kishte filluar të qeshte me atë zotërinë dhe ishte me shpresa të humbura se mua nuk do të më gjente. Por prapë vazhdimi për kërkimin tim kishte vazhduar nga ana e tij, dhe më në fund ai e kishte gjetur se ku gjendem unë me familjen time. Pastaj ndodhi takimi dhe pas takimit ne kishim vendosur që së bashku të martoheshim ose të bashkoheshim që të fillojmë jetën së bashku, dhe ashtu të dy u vendosëm në një kamp. Në atë kamp kishte shumë organizata dhe ambasada ndërkombëtare që merrnin refugjatë dhe i dërgonin në vende të ndryshme të botës. Pasi që burri im ishte duke kryer punë vullnetare në ambasadën e Australisë ata insistuan që ne të shkonim në Australi dhe ne e pranuam këtë ofertë. Udhëtimi për në Australi ishte shumë i gjatë. Pas arritjes atje hasëm në pritje të ngrohtë dhe kushte shumë të mira, por ne që ishim të lënduar dhe të traumatizuar nga lufta nuk e shijonim as një gjë. Gjatë gjithë kohës dëgjonim vetëm lajme për Kosovën se sa njerëz janë vrarë, sa janë masakruar, sa shtëpi janë djegur nga forcat serbe dhe në anën tjetër sa bombardime zhvillonte NATO kundër Serbisë. Dhe kështu, pas 78 ditësh bombardime nga NATO, Serbia u gjunjëzua dhe Kosova u çlirua. Për neve ishte një gëzim i madh. Ne menjëherë kërkuam që të kthehemi në Kosovë. Australianët mundoheshin të na bindnin që ne të qëndronim në Australi sepse na thoshin se atje kemi shtëpi të djegura, vende të minuara, që ishte e vërtetë, por ne prapë donim që të ktheheshim në trojet tona. Në muajin gusht ne u kthyem në Kosovë. Atë gëzim s’mund ta përshkruaj. Posa hymë në kufirin e Kosovës s’kishim çka të shihnim, të gjitha shtëpitë e djegura. Por, në ato shtëpi të djegura, në kulmet e tyre valonte flamuri kuq e zi, valonte ai flamur për të cilin shumë dëshmorë dhanë gjak që ne sot ta gëzojmë këtë liri.