Ariana Kasapolli
Intervistuesja: Përshendetje, falemnderit që po pranon sot me fol me mu. Më kallxove që ke jetu në Prishtinë e kisha dasht me ja nisë pak para bombardimeve edhe fillimit të luftës, çka do që man në mend.
Ariana Kasapolli: Okay. Atëherë unë kom jetu në qendër edhe vazhdoj me jetu në të njejtin vend. Para luftës çka mbaj në mend, dmth situata kur veç filloj me u përkeqësu, nuk është që s’jemi dalë, nashta prej padijenisë, nashta pse shumë të reja nuk i dijshim rreziqet. Ata që e mbaj në mend kështu në baza ditore është që ka qenë shoqja jeme me ni qen. Dmth ajo u dasht për çdo ditë me shetitë qenin, unë ju kom bashkangjitë asaj edhe kemi dalë. Po, çka ka qenë përparësia jonë, meqenëse e kom shumë afër stacionin e policisë ndoshta me ftyrën tem u patën mësu edhe ata njerëz, sigurisht derisa u përkeqësu ma shumë situata edhe kanë ardhë paramilitarë edhe njerëz të panjohur. Po ata njerëz që kanë qenë aty për ta kemi qenë ndoshta edhe ftyra kështu si të njohura edhe jom e bindur që nuk e kanë ditë nacionalitetin tonë edhe s’është që e kemi pasë najfar telashe me ta. Dmth kemi dalë, kemi shetitë qenin, kemi ndejt në park, kemi bo xhiro nëpër qytet edhe jemi kthy edhe s’kemi pasë naj telashe.
Intervistuesja: E qysh e man mend përkeqësimin mandej?
Ariana Kasapolli: E mandej përkeqesimi, përkeqësimin e mbaj mend atëherë kur filloj bombardimi. U bombardu posta, posta në qendër dmth, afër sheshit që ka qenë afër qeverisë, ka qenë ni postë edhe ajo është bombardu në… nëse e mbaj mend saktë në mars. Edhe aty mandej filloj me u përkeqësu situata, erdhën shumë njerëz të panjohur, na ishim shumë afër aty. Edhe u ndimë të rrezikum ne vazhdu me ndejt edhe vendosëm me shku te axha në banesë me u bo dy familje bashkë. Axha…
Intervistuesja: Ku ish axha me lokacion?
Ariana Kasapolli: Axha ish në Dardani. Edhe u bashkum aty shkum, dmth me ni banesë për ni familje, na vendosëm me u bo dy familje. Kushtet ishin dmth jo shumë të mira, ishte ngusht, kryesisht në atë ndërtesë te banesat e gjelbërta njerëzit veç kishin dalë, kishin ikë dmth. Edhe kishin mbetë vetëm serbët. Ni kat përmbi neve ka qenë ni serb që ka punu në polici edhe ka qenë ashtu qysh e mbaj mend unë ni njeri shumë i keq. Edhe u ndijshim shumë të rrezikum edhe u duhke as me bo zhurmë, mos me ndi ai që na jemi aty. Po edhe kjo nuk zgjati shumë, dmth i përjetum edhe disa bombardime. Edhe e mësum kohën e saktë kur bombardojshin, u kanë e mbaj në mend orën 8 kur dilshim në dritare me i kqyr bombardimet, dmth se na u dokshin neve si fishekzjarre pak a shumë se ishim fëmi, se dijshim realisht ato rreziqet reale. Edhe mandej mas asaj erdhën edhe neve edhe na qiten prej banesës.
Intervistuesja: Para se me kalu te dalja, e kallxove ni storje kur keni mbetë pa ushqim në Dardani… A mundesh me ma tregu?
Ariana Kasapolli: Po. Masi veç vendosëm me ndejt te axha ja nisi me u shpenzu ushqimi, ja nisi me u shpenzu ushqimi edhe nëpër dyqane, dmth ish ora e caktume kur mujshe me dal me ble. Po, në Dardani edhe në Kurriz fillun me thy lokale, dmth ato veç u shkatërrun, nuk kish mo, nuk kish mo ushqim edhe nuk… prit qet pjesë edhe niherë…
Intervistuesja: Vazhdoje, vazhdoje hiç mos ta nin se e ndërrojmë mandej. U thynë lokalet, nuk kish rend, nuk kish ligj…
Ariana Kasapolli: Don me thanë fillun në Dardani edhe në Kurriz në ato vendet ku na u furnizojshim, aq ushqim sa kish, shumë pak dmth sasi edhe shumë pak produkte. Po, megjithatë, qato çka ishin u duhke me i ble po fillun me i thy edhe ato paramilitarët. Edhe njerëzit kështu serbët me sa e mbaj në mend dmth ato lokale u shkatërrun, nuk kish ndonjë vend ku mujshim me ble ushqim. Pothuajse Kosova veç u shpraz në atë kohë, i çun me trena me dikush individualisht ikën prej Kosovës. Po, na vendosëm meqenëse vendosëm me nejt aty se nuk dijshim kah me shku, kah me ja mbajtë, atëherë vendosa unë me babin me shku deri në shpi edhe me marrë do ushqim që e kemi pasë atje. Kish disa ditë që na s’kishim dalë edhe situata kish ndryshu shumë në qytet. Kishin qit punkte nëpër shumë pika të qytetit edhe nuk mijshim me kalu, dmth u desht me i ra kah Dragodani ose Arbëria tash për me shku deri në qendër ku na kemi banu. Edhe aty ka qenë ni punkt dmth edhe ish rruga krejt e bllokume nuk mujke asni kalimtar ose asni veturë me kalu pa u kontrollu prej atyne njerëzve. Ata kanë qenë krejt me maska, kanë qenë të pijtë, përmbi kerre i kanë pasë krejt alkoolin. Ka qenë ni tenk i madh dmth të armatosun edhe ajo ka qenë pika ma e frikshme se nuk dijshim se qysh me reagu. Po, babi ka reagu shumë keq meqenëse unë insistova me shku deri në shpi se mendojsha që unë di ku është ushqimi edhe di çka me marrë. Edhe ai babi ma boni prej stresit dmth kur i ka pa ata më tha ulu. Edhe unë ja nisa me kesh shumë edhe i thash ulën jom. Edhe ai policia na pa tu kesh edhe ju dokëm shumë të relaksum edhe jom e bindun që menun që jemi serbë edhe dmth nuk na nalën hiç veç na bonën me dorë me kalu. Edhe na kalum. Shkum në shpi, murrëm qata ushqim çka e patëm, kur e çela frigoriferin ishin konë tri vezë edhe diçka qeshtu. Dmth ja nisa me keshë se s’dijshim tash a po shpëtojmë, qysh me u kthy, kishim me u kthy nëpër të njejtën rrugë edhe i thojsha babit se di a ja ka vlejt me vdekë për këto tri vezë, a din e ktheva pak kështu në hajgare se ish ni situatë shumë e tensionume. Kalum dmth ata e kishin mbajtë në mend kerrin edhe nuk na bonën telashe, kalum. Prej aty u kthym prap te axha edhe…
Intervistuesja: Tani ju ka hi policia edhe ju ka përzanë.
Ariana Kasapolli: Mandej nuk shkoj edhe shumë, edhe dy-tri ditë edhe erdhën policia në shpi se kontrollojshin në çdo derë edhe na panë aty, na nxerrën. Na nxerrën me dhunë faktikisht tu na shty nuk mujtëm me marrë kurgjo me veti. Edhe na shtinën, mu më kanë shty në lift, në Dardani kanë qenë dy lifta, njo i madh njo i vogël. Ky i vogli ka qenë tepër i vogël edhe pa dritë. Edhe më kanë shty qaty edhe nuk e di qysh kom shku deri poshtë. Kom pasë shumë frikë edhe prej asaj kohe nuk hypi ma në lift kurrë, ma ka lanë ni traumë. Kemi zbritë poshtë, kemi hyp në kerr edhe jemi nisë po s’kemi ditë ku po shkojmë realisht. Jemi nisë kah Maqedonia, rrugës prap na kanë nalë. Kemi dasht me shku në Shkup, ndoshta në kamp, po s’po më kujtohet a e kemi ditë edhe a ka kamp. Dmth s’dijshim as ku po shkojmë. Rrugës na kanë ndalë prap policia, na kanë marrë do pare që i kemi pasë edhe na kanë drejtu kah Tetova, kah kufini i Zhincës. Kur kemi mrri aty ka qenë kolona tepër e madhe edhe aty kemi ndejt tri ditë në kerr. Natën u bojke shumë ftohtë, nuk guxojshim me e dhezë kerrin se s’kishim shumë benzin mandej u duhke me e rujt dmth derivatet për me vazhdu se s’dijshim prap ku po shkojmë. Kaniherë kur ka ra shi e di e mbaj mend edhe e dhezshim veç pak me nxe kerrin. Me dalë natën nuk guxojshim se si u terrojke meniherë ushtria i lëshojke qentë edhe qentë ishin gjithë andej ku kish njerëz edhe krejt njerëzit mandej u detyrojshin me hi në kerr. Aty kom ndejt tri ditë. Ushqim pothujse s’ka pasë fare, shpërndajshin ndihma. E mbaj në mend që thojshin a po vini me marrë bukë po ish rendi aq i madh edhe aq shumë u shtyjshin sa që nuk ja ka vlejt edhe nuk ka pasë shansa me marrë. Kanë tentu axha, gruja e axhës, s’kanë mujt kështuqë u dorëzum edhe pothujse s’kena hangër kurgjo, pak diçka çka kena pasë me veti; ni rrotë të kaqkavallit e mbaj në mend që e kena pasë, qata kapak tu e grimcu. Edhe filloj me na ra tensioni e me u ndi keq. Ish ni medical kështu tendë; po kryqi i kuq, ish kryqi i kuq aty ku i kontrollojke njerëzit që nuk ishin mirë edhe me ni vërtetim të mjekut mujshim me kalu kufini, ish e vetmja mënyrë. Edhe na u lajmërum nëse don fati me dalë. Kur shkum unë edhe motra, unë i kom pasë 17 vjet, motra 14. Jo motra 13 në fakt. Edhe kur shkum aty realisht atyne edhe ju dokëm si të smuta, të zbehta, pa hangër, pa pi, edhe e lëshun ni vërtetim për me dalë. Po na e lëshun veç neve dyjave e jo krejt familjes. Dmth u desht me u nda me familje për me kalu. Po, babi insistojke që na me dalë pavarësisht fatit të tij. Po ai ka qenë ni moment tepër i vshtirë se na nuk dijshim ma e kemi me u taku dmth nuk u dijke çka po ndodhë në kufi a i kthejnë a çka ndodhë. Edhe aty kemi hyp me ni taksi, babi na ka dhanë do adresa të disa shokëve te vet gazetarë që përpara ka pasë kontakt që me u lajmëru ma së pari aty nëse mujmë me i gjetë edhe me nejt te ata. Edhe atje kanë qenë tepër të mobilizun, shumë njerëz të mirë, dmth na ka marrë ni taksist edhe i ka lyp krejt adresat po s’kemi mujt me i gjetë se njerëzit atje edhe i kishin ndërru lokacionin për shembull nëse e kanë pasë ni shpi qoftë në përiferi ose dikun kanë dalë aty për me marrë refugjatë që me pasë vend ma shumë. Edhe mandej kemi shku te ni familje. Taksisti na ka çu me ni familje, ata kanë qenë tepër njerëz të mirë, kanë qenë një burrë edhe ni gru edhe i kanë pasë tre fëmi, po fati jonë dmth me ni oborr ka qenë edhe vllau i atij burrit edhe baba edhe shumë familjarë. Po vllau i këtij burrit ku na kemi ndejt ai ka punu në polic kufitar edhe si na ka pa ka thanë ku e keni familjen. I kemi tregu, na ka marrë me kerr të policisë edhe kemi shku edhe mandej e ka nxerr edhe familjen edhe babin në këtë rast po mandej edhe axhën se na bashkë patëm dalë, dmth bashkë kemi qëndru në kufi.
Intervistuesja: Kallxona pak qat storien pak me qebapa kur e keni kalu kufinin.
Ariana Kasapolli: Ah, e kalum ata. Po, si kemi hyp në taksi, seni i parë që e kom lut taksistin ka qenë me na çu me ni qebaptore se mu hajke shumë gjelbt se kisha nevojë, isha dekë urie, unë edhe motra. Edhe na ka çu me ni qebaptore edhe si të çmenduna tu hangër edhe tu i qit shumë kryp se qashtu kishim nevojë. Mandej edhe meniherë mu ka kujtu vllau, vllau më ka jetu jasht, dmth mu ka kujtu që duhet me e lajmëru se në momentin që kemi dalë babi ka thanë senin e parë që e boni lajmrojuni vllaut. Atje mandej e kom pasë gjysen tjetër të familjes; ka qenë axha, ka qenë gjyshja, halla. Ata patën shku paraprakisht, kanë arrit me shku. Edhe ajo ka qenë ni traumë e vërtetë kur ja kom ndi zanin vllaut se reagimi i tij ka qenë dmth rrënqethës se na aty ndoshta a din të merr koha edhe nuk e vëren. Na i kemi shkëputë kontaktet tri-katër edhe as s’ka ditë për fatin tonë. E tri-katër ditë për ato ishin kanë si tr-katër vjet. Edhe kur na ka ndi zanin tepër u gëzu edhe ka thanë… edhe normalisht u frikësu ka thanë mos shkoni me ni shpi të huj se s’na kish ndodhë kurrë përpara me shku te dikush, te do njerëz të panjohur. Po unë ja ndiva energjinë e mirë atyne njerëzve edhe e pashë mobilizimin edhe pse isha shumë e re po dmth secila famijle ka qenë e gatshme me i pranu njerëzit. Edhe këta kanë qenë njerëz jashtëzakonisht të mirë me të cilët majmë kontakte.
Intervistuesja: Keni nejt 10 ditë në Tetovë, a po?
Ariana Kasapolli: Mandej kemi nejt 10 ditë përshkak se kemi dasht me shku te vllau. Aty kom taku mandej krejt shokët edhe shoqet e Prishtinës edhe e lejshim me u taku në Tetovë me nifar ëmbeltorë që ka qenë. Qaty u mbledhëshim a din nifar pikë shprese kur i takojshe njerëzit edhe çdo ditë të vijke dikush i ri edhe jonë kanë kohë në qat periudhë aq të keqe u kanë ni pikë shumë e ndritshme, të jepke nifar shprese që ka me u bo mirë. Secili kah ni fjalë të mirë, dikush i kish hup shpresat po kryesisht dojshin me dalë krejt jashtë. Edhe çdo ditë në takimin tonë dikush shkojke. Edhe na mandej e bonëm… Qet pjesë s’po e kallxoj hiç.
Intervistuesja: Okay. Mos ta nin.
Ariana Kasapolli: Ti i pret këto a po?
Intervistuesja: Okay. Edhe mandej keni dasht me shku për te vëllau.
Ariana Kasapolli: Mandej na deshtëm mas njo 10 dite që kemi ndejt aty, dmth në ni shpi, do njerëz veç s’i kemi njoft kurrë na kanë lëshu ni dhomë normalisht e kemi pasë kështu kushtet s’jonë kanë të kqija. Me rëndësi kemi qenë të sigurtë, kemi ikë prej luftës. Po, nuk kish aty vend që mujshe me ndejt shumë gjatë. Edhe vëllau vazhdimisht tentojke ose edhe e kqyrke ndonjë mundësi që me na marrë atje. Na vendosëm me shku në Hungari edhe prej Hungarisë mandej me vazhdu në Çeki. Në Hungari nuk ka pasë nevojë për viza në atë kohë se i kemi pasë pasaportat Jugosllave edhe s’ka pasë regjim të vizave. Edhe na shkum në mënyrë të rregullt, i blejtëm biletat, hypëm ne aeroplan edhe shkum në Budapest. Prej aty mandej jemi mundu me shku në… kemi shku edhe deri në Sllovaki, edhe në Sllovaki s’ka pasë nevojë për viza, po Çekia ka pasë regjim të vizave. Vizat ishte e pamundur me i marrë kështu që na tentum përmes si refugjatë me kalu atë kufinin, po nuk pat shansa edhe u kthym prap në Budapest. Mandej, erdh vëllau aty me axhën edhe na gjetën ni banesë se s’mujshim me nejt në hotel se s’dijshim sa zgjatë. Edhe e gjetëm ni banesë edhe mandej aty kemi nejt 1 muj e gjysë gati derisa u kry krejt. Edhe atje ka qenë, s’ka qenë periudhë e keqe, po mendoj mirë ka qenë. Kom taku edhe atje njerëz. Atje kom taku edhe njerëz prej Beogradit shumë që kanë ikë dmth edhe ata prej bombardimeve. Njerëz edhe që i kom njoft i kom taku po edhe ata kanë qenë njerëz normal, jo njerëz që e kanë dasht luftën, detyrimisht kanë ikë. Po, nuk është që e kom pasë të lejume me ndejt se ka qenë nifar situate e çuditshme, dmth na e dijshim pse jemi aty edhe nuk kish sens edhe kuptim me u shoqnu të paktën në qat periudhë, se ata ishin njerëz normal a din ishin njerëz shumë të mirë që dmth jo pro luftës.
Intervistuesja: Mas 1 muji e gjysë keni vendosë me u kthy kur ka hi NATO.
Ariana Kasapolli: Po masi që ka hi NATO na edhe ni periudhë të shkurt kemi ndejt atje edhe jemi kthy këtu. Kur jemi kthy ka qenë ni gëzim i papërshkrum. Nuk i harroj kurrë ato momente dmth. Nuk dijsha çka me bo përpara, kon me taku përpara. Fati jonë i mirë në krejt këtë situatë është që na nuk e kemi humb asni anëtarë të familjes në luftë. E kom pasë shumë njerëz që kanë luftu sidomos në Pejë se unë gjysën e familjes i kom ne Pejë. Ata ju kanë bashkangjithë Ushtrisë po fati jonë që dmth asnjo nuk ka vdekë. Edhe dojsha krejt njerëzit me i taku, normal dojsha me i taku krejt shoqet. Kur erdha këtu shoqet veç ja kishin nisë me punu. Do i kishin bo 18 vjet, do hala s’i kishin bo 18, ka qenë qajo periudhë edhe ato krejt kishin fillu me punu në UN kishin fillu me punu në OSBE në qesi organizata ndërkombëtare. Nuk mujsha me akceptu qysh na me fillu me punu dikun e pritsha tash me u pa me shoqe edhe me vazhdu ku kemi mbetë. Po mas disa ditëve e gjeta edhe unë ni punë…
Intervistuesja: Edhe prej atij momenti…
Ariana Kasapolli: Po prej atij momenti ma nuk jom ndalë kurrë tu punu.
Intervistuesja: Dmth me 17 vjet ja ke nisë me punu kur je kthy prej luftës.
Ariana Kasapolli: Me 17 vjet e gjysë po. Po ata nuk është që e kishin problem dmth na… kushti ka qenë veç pak me ditë anglisht edhe ata të merrshin se nuk është që kishin ndonjë zgjidhje të madhe e punëtorë ju duhshin shumë se kish tepër shumë organizata. Unë fillimisht jom kyç në DFID një organizatë angleze, organizatë që ju ka ndihmu njerëzve që kanë ra në mina mas luftës. Realisht unë në atë organizatë kom punu 1 vjet, po mas 1 vjeti e kom lëshu për shkak se qaty e kom përjetu luftën e vërtetë unë mas luftës edhe më pat bo shumë keq ai vend i punës derisa e lash e ndërrova edhe pata kalu në UN. Sado që ka qenë humane edhe ju ki ndihmu njerëzve edhe u dasht…
Intervistuesja: Të ka ra me u ballafaqu me…
Ariana Kasapolli: Më ka ra me u ballafaqu me njerëz që jonë ra në mina. Tash paramendo në çfarë gjendje jonë ardh ata në spital. Edhe unë krejt qato raste i kom pa. Këta… roli jonë aty ka qenë që me marrë dmth me i marrë jo rekomandimet po raportet e mjekëve, dmth ka qenë komisioni i mjekëve që e kanë vërtetu që ni rast i caktum nuk ka shërim në Kosovë. Atëherë s’ka pasë as proteza, dikush e ka hup kamën, dikush dorën, dikush u lëndu në ndonjë mënyrë që këtu nuk ka pasë trajtim edhe qato raste masi që komisioni vlerësues e ka dhanë dritën e gjelbërt na i kemi marrë dmth KFOR-i i ka marrë ato raste edhe me helikopter i kanë çu nëpër spitale ku ata kanë qenë të gatshëm me i marrë. Edhe realisht ata njerëz sot jetojnë normal me proteza të mira, me… na sot e kësaj dite në QKUK nuk munesh me bo zgjidhje. Në atë kohë ata ju kanë bo zgjidhje. Ka qenë punë humane po ka qenë një punë tepër e vështirë në çfarë gjendje i kom pa njerëzit.
Intervistuesja: Faleminderi shumë!
Ariana Kasapolli: Falemnderit ty!