Adrian Berisha
Bjeshka Guri (interviewer)
Adrian Berisha (interviewee)
Acronyms: BG=Bjeshka Guri, AB= Adrian Berisha
BG: A po e prezanton veten pak a shumë?
AB: Okej, Ardian Berisha
Qytetar i Prishtinës, planetit Tokë
Banor i planetit
Për momentin asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, gjithashtu koordinator i aktiviteteve kulturore sportive rinore në komunën e Prishtinës.
Munohna me qenë rrugë lidhëse mes qytetarëve, organizatave bizneseve të komunës së Prishtinës.
Qiky osht nifar roli të cilin e kam për të mirën e përbashkët.
BG: Faleminderit! Qysh e man men para se me ia fillu lufta cilat janë kujtimet e tua të para? Qysh ka qenë situata?
AB: P’ja nisim me tregu diçka shumë interesant të cilën e kom kuptu mas 20 viteve.
Edhe pse emrin e kam Ardian emri jem i parë o kanë Pajtim.
Oshtë shumë interesant sepse kur kom lind o kanë 8 Maj 1990 edhe o kanë periudhë e pajtimit të gjaqeve edhe gjyshi ka insistu që unë me pas emrin Pajtim.
Po ja lona djalit emrin Pajtim, po ja lona edhe babi nuk osht pajtu me qatë ide edhe gjyshi ka thanë jo Pajtim, duhet me pas djali emrin edhe ka vendos babi ka thanë e ka bind mas 2-3 javësh, domethanë deri 2-3 javë unë e kom pas emrin Pajtim.
Po i bjen qashtu, jo me letra i shkrum ama o kanë shumë interesant, tani kanë vendos jo po dojna me ja lan ni emër tjetër.
Qikjo ni jo që e kujtoj sepse oshtë e pamundur me kuptu, mirëpo diçka që kisha dashtë me nda me juve e që lidhet definitivisht me vitet e 90-ta ku pastaj kujtimet e para që i maj men oshtë viti ‘94 si 4 vjeçar e kom ni qysh me thanë sikur pikturë që më del në memorje, ka qenë nuk e di kampionati botëror ose Evropian dhe kemi qenë ashtu me gjyshin kom kqyrë futboll.
Edhe e di që kom dashtë me hanger ni hamburger edhe nuk kom pas kushte me ble, edhe tani kur e kom kuptu ma vonë se pse nuk kemi pas kushte ka qenë pikërisht qaj sistemi paralel ku babin, gjyshen edhe gjyshin e kanë largu prej punës.
Tash, tek kjo pjesë m’kujtohet domethanë që në vitet 95-96 mahalla pat fillu duke mos pas çka me ba me i mbjell do drunj rreth lagjes, o kanë ni iniciativë e shqiptarëve të lagjes.
Emri i banesave në lagjen Dardani oshtë lagja e Solidaritetit atu kemi pas Romë, Turq, Boshnjak edhe Shqiptar kryesisht.
Serb kemi pas shumë pak për arsye se serbët sipas asaj që më kanë tregu gjyshja dhe gjyshi nuk kanë pranu me banu në këto sepse na smujna me banu ku ka mas të nacionaliteteve tjera qekaq shumë.
Edhe tani aty e maj men ni organizim shumë të mirë ku gjyshi ka qenë si kryetar i lagjes ka qenë shumë interesante.
Edhe tani e maj men n vitin ’96, ’97 kshtut sikur memorje e kam kur pata shku dmth jam regjistru në klasën e parë edhe e kom pa qet ndarjen e shkollës.
Shkolla Dardania o kanë e ndamë pjesa e serbëve edhe pjesa e shqiptarëve. Edhe unë tepër interesant kur e menoj tash qysh në atë periudhë kohore vet fakti se shkolla osht e ndame ka arritë me na tregu që na jemi të ndamë.
Edhe tani atu ka pas tepër shumë rrahje se ka qenë aty ni derë ku janë rreh serbët me shqiptarët, etj etj.
Ka qenë tani viti ‘96 kur kom qenë në klasë të parë, ‘97 në klasë të dytë, ‘98 në klasë të tretë. E qatëherë në ‘98 e mbaj mend që pat fillu qekjo tema e fillimit të luftës, dalja e UÇK nëse nuk gaboj në ‘97 ose ‘98 ka qenë për herë të parë.
Edhe ka qenë ashtu njëfarë lloj presioni psiçik për mu si fëmijë për arsye se unë ish dashtë me u marr me naj vizatim ose naj ekuacion matematikor ose me msu alfabetin ma mirë, unë kam qenë i ngarkum me këtë temën sikur 8 vjeçar ç’at periudhën kohore, lajme, Arif Vladi ajo domethanë tepër i ngarkum.
E mbaj mend që në atë periudhë kohore përveç tjerash ka pas edhe seriale.
E kisha përmend kta që një serial me emrin Kasandra, krejt njerëzit e kanë këqyr në atë periudhë kohore edhe e maj mend që përmes asaj unë kom msu nuk e di qysh ka arrit truni jem me përceptu apo me pranu at informatë, po pak a shumë i di gjuhën e apo këtë pjesën e çirilicës. Kom fillu me msu edhe sërbisht pak tani ka qenë dmth një moment shumë i randë në vitin ‘98 ku unë tu lujt me fmitë e mëhallës në Dardania e kom rrok pahiri ni kerr të ni policit serb me top, edhe ai polici më ka nxanë mu më ka rreh edhe unë kom urinu në vete, se kom qenë fëmi, a din prej tutës, tani gjyshja është taku me at tipin edhe e ka shty edhe aj u rrëzu edhe aj e ka qky kryt.
Ka qenë nifar lloj paniku në hymje, edhe ka qenë një panik i jashtëzakonshëm në mars t vitit 1999 ku gjyshja u tut shumë sepse aj ka qenë pjesëtar i një policisë ushtarake edhe ka qenë kogja një tutë edhe e di që komplet familja ka qenë në këtë …
Çka kisha cek diçka interesant shumë është që në lagjen tonë Dardania janë organizu disa turnire ku serbt kanë lujt kundër shqiptarëve, ka qenë në kurriz, futboll u bojke ashtu tepër shumë tifoz ata me flamurë knej me flamura, janë rreh, u kanë tepër interesant.
Edhe ça maj men tjetër oshtë që në lagjen tonë Dardania o kanë ni polic, Dragani i Zi i kanë thanë i cili i ka rreh shumë shqiptarët.
Në atë periudhë lufte fëmijët 15-16 vjet kanë shit cigare edhe aj kudo që i ka nxan ja u ka marrë cigaret edhe i ka rreh krejt.
Çekja pak a shumë edhe pastaj pat ardhë ky çasti i marsit të vitit ‘99, në fakt bombardimi ni herë, e di që e kena marr një telefonatë sikur familje prej djalit të dajes të babit Fragmenti aj oshtë prej Bujanocit edhe ata e kanë marrë sikur në lajme atje që shumë shpejt ka me fillu bombardimi i Serbisë prej NATO-së.
Edhe e di e maj men që o kanë TVSH mdoket nuk e di a janë kanë lajmet TVSH apo ni mediumi shqiptar ose diçka që kanë thanë që NATO po fillon bombardimet.
Edhe automatikisht dmth na natën i kemi nalë krejt dritat në dhomë edhe krevetat i kemi vendos afër dritareve e na kemi flejt shumë larg dritareve, dmth ashtu nuk po di qysh me qujt, kemi flejt në tokë spo di në dysheka.
I kemi bo dyshekët edhe kemi flejtë në tokë, edhe e di që njonen prej netëve e kanë bombardu kasarnën në Fushë Kosovë edhe ka qenë tmerrësisht keq kështu a po din.
U kanë tepër panik sepse krejt xhamat e banesës janë prish ashtu, janë shkatrru edhe u kanë tepër tronditje.
Edhe e kam pa ni panik të jashtëzakonshme, ashtu babi tu ba bashkë në një qysh e krejt.
Tani nesër prej asaj dite u kanë, në qytet nonstop janë kanë këto sirenat e policisë, që kaniherë kur lëshohen sirenat e qytetit që e ka komuna ni alarm, hala ni lloj panike, se u kanë kogja ni panik në qytet në përgjithësi.
Familja o kanë në shok total në përgjithësi, tu e marrë parasysh edhe ketë pjesën e konfliktit që e ka pas gjyshja me atë policin.
Gjyshja nonstop ka thanë ha kanë me ardhë, kanë me na masakru, e kemi vendosë një derë të hekurit në korridor të hymjes.
Interesant oshtë që krejt hymjet në lagjen Dardania dmth para se me hy në banesë e kanë ka ni derë të hekrit, të çelikut që prej brenda u mbyll.
Edhe ato krejt janë bo prej shqiptarëve tu u tut se mos po ju hyn dikush në banesë, edhe ni ditë prej ditëve, a din normalisht këta familja kanë qenë tu bisedu njani me tjetrin edhe n’kontakt, kanë vendos që duhet me u largu atje e di që në shkurt ose në mars e kemi pranu një familje prej Podujevës, sepse një pjesë të Podujevës se tash kur po foli a din pom kujtohen shumë sene, shumë interesant.
Me ni pjesë të Podujevës edhe ni pjesë të Drenicës kanë fillu luftimet edhe kanë fillu me u largu edhe e di që i kemi pranu disa familje kështu të Podujevës të ni fshatit Ballofc, edhe tani a din kështu m’kujtohet pak a shumë kur pe menoj at diskutimet qysh kena flejtë, qysh ashtu.
BG: Qysh ka qenë rutina gjatë asaj kohe?
AB: Me familjet atu a? Po ka qenë interesant se me ni banesë 70m2 me dy dhoma edhe veç ni kuzhinë kemi qenë dikun rreth 30 veta.
Ka qenë një lloj solidariteti i familjes tonë edhe i familjeve shqiptare në këtë periudhë të cilat potencialisht kanë qenë prej vendbanimeve ku ka fillu lufta.
Edhe ne i kemi hap dyert që hajdeni, edhe rutina ka qenë ashtu që kemi flejt kudo që kemi mujt, edhe kur jemi qu në mëngjes si në familjet tona patriarkale, gratë meniherë sit janë zgju kanë shku kanë bo me hanger ashtu pite blla blla blla, edhe kemi hanger, kemi nejt, fëmijët kanë dal me lujt kapak jashtë, jena kthy mrena fëmijët kanë lujt vetë, burrat me ni dhomë aty tu fol se çka me bo, gratë me ni dhomë ky problemi që hala osht i pranishëm në shoqërinë tonë a din që burrat me ni ven, gratë me ni ven, a din.
Edhe qekjo ka qenë pak a shumë ashtu, po gjithmonë mrena nesh o kanë nifar ankthi që okej çka po ndodh, a po vjen dikush po na hin në banesë edhe po na vran, po na masakron ose po i merr burrat e po i pushkaton ose po ju bon diçka sepse nonstop kemi ni lajme të ndryshme, kemi pas për shembull Fitimin ka qenë djali i axhës Faik, ai ka shku te dajt me nejt, edhe rrugës tu u kthy e kan nal policia edhe e kan vra.
A din edhe nonstop kjo tema e Fitimit u ba nifar lloj panike n’familjen tonë, a munet psh me kanë babi jem Fitimi i ardhshëm, si 35 vjeçar 36 në atë periudhë kohore.
E dimë që fmitë i kanë nguc n’disa regjione po prapë se prap a din panika ka qenë për meshkujt apo burrat ma t’moshuar, edhe tani qysh e thash edhe ma herët krejt familja kanë qenë në qetësues të ndryshëm, kryesisht hapi i cili është përdorë ka qenë Pensedin.
A e di që cigaret në atë periudhë kohore kanë qenë tepër shtrejtë?
Ka qenë një kojshi i joni i komunitetit Rom, Bajrami i cili ka shit cigare ne atë periudhë kohore se veç ai mujke me dal me ble cigare dikun edhe a din me i pru në hymje.
Tash e di që u bojke a din Bajrami a din krejt me ble te aj. Edhe fillun njerëzit mos me pas pare, edhe Bajrami ju jepke borxh veç atyne kojshive me të cilët e kish ma mirë.
Babi e ka pas mirë me Bajramin edhe e di që s’ka pas problem sa i përket duhanpirës në atë periudhë kohore e di që u kanë kjo PallMall edhe nja tjetër u kanë që e kanë pi tepër shumë.
Edhe ni ditë prej ditëve nuk e di qysh ka ndodhë ose qysh kanë marr vendim, pom doket tu diskutu me familjen kena marr vendim që duhet me ik prej Prishtinës, Kosovës.
U përmenke në atë periudhë Bllaca, Bllaca, Bllaca edhe m’kujtohet si sot o kanë kogja ni panik e madhe sepse zonat e luftimit veç fillun me u afru edhe ka regjioni i Prishtinës, fillun me u mbyllë marketet, probleme t’ndryshme, nuk kish bukë nuk kish, edhe kurgjo okej familja komplet ka vendos.
Nuk e di qysh kanë vendos, bash kom me i pyet ashtu, po kanë vendos që okej po e lëshojna Kosovën po shkojna në Maqedoni përmes Bllacës.
Më kujtohet ai rrugtimi prej Dardanisë deri te stacioni i trenit a din u kanë ashtu kogja gjatë na u ka dok qajo udhë edhe kur foli me gjyshen e kur e krahason tash oshtë tepër afër, oshtë 3 minuta 4 je prej shkollës Dardania deri te stacioni i trenit.
Edhe e di ashtu u kanë fillimi i pranverës edhe na kena hec prej banesave të Solidaritetit oshtë kena hyp skena guxu me hy n’tunell, se thojshin me hi në tunell munet me ndodh diçka, kena hyp permi kurriz kena dal ku oshtë tash busti Bill Clinton, kena vazhdu drejt përpara ka qenë fabrika e Fazitës kena vazhdu drejt, drejt, drejt edhe pastaj i bjen me vazhdu në anën e djathtë ku oshtë ni rreth tash.
Kena vazhdu në anën e djathtë, e di që o kanë një moment gjyshja jem, gjyshja prej babit Sadeti ka qenë shumë atu, oshtë, e don stinën e pranverës edhe rrugës tu shku kanë fillu lulet me dalë ato të parat të stinës së pranverës edhe kurrë nuk e harroj ata, tha paska dal more pranvera, edhe gjithmonë e folim qatë pjesë qashtu qysh na nuk kena mujt me pa që po lind pranvera, u dashtë me dal prej banesave tona me ec dikun me pa ni dru me i pa ata pipat e parë të pranverës a pe din ashtu që dalin ato të bardhat e luleve.
Kemi hyp n’tren, e di që rrugës ka qenë një far lloj problemi se kah me shku treni.
Dikush, kur kom fol me familjen thojnë që ka qenë një mendim që treni me shku edhe në Nish, sepse disa thonë që në qatë tren ku kemi qenë na në njanin prej vagonave ka qenë i pranishëm Ferid Agani, nuk e di a ka qenë e vërtetë a jo, veq e di që gjatë rrugës na jena nalë tri orë katër edhe kan hi policia mrena në tren edhe ka qenë një torturë kogja e ranë për mu si 9 vjeçar kur e menoj tash.
Edhe e di që rrugës kemi pa përshembull një trup të njerit të kallur, edhe qajo o kanë nifar shoku kogja i madh, dmth kena pa edhe nuk më kujtohet diçka ma shumë kështu veç m’kujtohet si 9 vjeçar o kanë kogja e randë me perjetu krejt qata.
Edhe menoj që ka ndiku nën vetëdije te unë që me u kriju qeky person që jom tash, sigurt që ka naj dëmtim që ma ka bo krejt qekjo eksperiencë prej vitit ‘94-99, qekjo torturë në përgjithësi psikike që e kena përjetu.
Kena mrri n’Bllacë, po para se me mrri n’Bllacë oshtë ni sen shumë interesant. Kur kemi mrri në stacionin e fundit me tren, ka pas në të dy anët polic serb edhe krejt shqiptarët kanë ecë në shinat e trenit për me shku në Bllacë, e pe din ashtu.
Edhe une jom i lidhur ma shumë me gjyshin edhe gjyshen, tash gjyshi oshtë veç i ndjerë po gjithmonë kom qenë ma shumë i lidhun, edhe kom qenë me babin edhe mamin tu nejt edhe kom dasht me shku te gjyshi edhe te gjyshja edhe e di që kom dal prej shinave të trenit edhe kom ec në pjesën tjetër.
Edhe krejt ata njerëzit thojshin mos ecni anash sepse ka bomba, a në fakt policët rrishin atu edhe tani bonen ni panik pse dola unë prej shinave t’trenit edhe pse dola me ec gurëve anash edhe e di që ja kom ba pyetjen gjyshit ose gjyshes, nuk e di cilit po pse kta neve po na thonë që ka bomba e vetë po rrin atu, a po din ka qenë një pyetje kështu.
Edhe tani kemi mbrri në Bllacë, në Bllacë ka qenë kështu sikur familje harrova me cekë që kemi qenë Nazif Berisha- gjyshi im tashmë i ndjerë, Sadeti- gjyshja ime, Blerimi- Babi, Bahria- Nana, unë, vëllau-Argjendi 92sh atëherë o kanë 7 vjet, edhe vllau i vogël në atë periudhë kohore i ka pas 1 vit e 3 muaj ka lind në qershor ‘97 që i bjen afër me i bo 2 vjet pak a shumë.
Edhe atu tani jemi taku me familjarë të tjerë e di që ka qenë një shator, po nuk e kemi bo shatorin ashtu të madh me kulm të madh, po e kemi bo ashtu shumë të vogël dikun veç 2 metra larësi, jo 2 metra jo, gabova 1 metër lartësi që veç njerëzit me hi mrena edhe me u shtri.
Atu ka qenë pak a shumë përparësi kanë pas gratë, ka qenë psh halla e madhe e babit, Miradia, Bukuria, Gjyshja krejt kanë qenë të shtrime edhe kanë pas përparësi më shumë fëmijët.
Po e di që ni pjesë e jona kemi qenë ashtu jashtë, ka ra shi kemi nejt në Bllacë.
Nuk e di kush ka dhënë ndihma në atë periudhë kohore, po ka pas kamionë që gjujshin me bukë, me pashteta me a pe din gjithçka.
E di një storje kogja interesant, çikat e axhës të babit, Laura edhe Adelina, bojshin hajgare thojshin mos i hani kto pashtetat se kanë drogë, edhe perime ato pashtetat kanë qenë pashtetë e cila është prodhuar prej fabrikës të drogave, edhe njerëzit i gjujshin ato edhe kto i merrshin edhe i bishin hhaaha.
Më keshet pak ashtu, po krejt kto ide veç për me mbijetu, tani aty në Bllacë nuk e di saktësisht a kemi nejt 48 apo 72 orë po ka qenë ni vendim i nënës, nana ka thanë ashtu nuk po du me nejtë qetu, unë po i marr fëminë edhe po nisna.
Se ka qenë ni panik se a mundesh me kalu prej Bllacës me kalu në Maqedoni.
Se dikush thojke jo nuk po i lajnë, jo duhet me dal dikush met marr, njerëzit pagujshin me dalë me i marrë etj, etj.
Edhe nana veç na ka marr neve djemve edhe tani babi ka ardh mbrapa, gjyshja, krejt kanë qenë si në shok diqysh.
Tash kur e menoj pse kanë qenë në shok dmth përdorimi i shumtë i barnave qetësuese, pastaj e di që nuk e mbaj mend po e di pak a shumë qatë ngjarje kur jena nis me dalë.
Normalisht gjatë krejt kësaj periudhe nuk e kem ditë për shumicën e familjes se ku janë, nuk e kem ditë për hallë, ka qenë një panik a u lajmru, a qysh me kontaktu etj, etj.
Tani jemi nisë kemi dal në kufi, edhe në kufi atu nifarë panike o kanë edhe kemi arrit me dalë sikur familje në Maqedoni. Kemi hyp me 1 autobus, aty në autobus gjatë rrugës nuk dishim as ku na dërgojë as a din, në autobus ka pas tepër shumë njerëz edhe kur jena ulë në autobus edhe jemi nalë nëse nuk gaboj ka qenë një shtand i JUNHCR me hanger diçka .
Ka pasë keksa me hanger, kaçika më doket sikur blur krejt, edhe jemi nalë qatu pak me hangër edhe na u ka dokë tepër mirë edhe unë kom shku në banjo, edhe kur jam kthy nuk ka qenë autobusi aty, sepse a din çka ka ndodh, o kanë tepër shumë panik.
Edhe ata veç ju kanë than hini mrena hini mrena edhe ata kanë hi mrena edhe u kanë për ni autobus ku i nxen 50 veta, ata kanë hi 200-300 veta, tepër shumë ka pasë.
Edhe qysh më kallxojnë familja unë nuk e kom pa autobusin, kanë qenë vetëm disa vullnetar të UNHCR. Edhe une kom met, autobusi o kanë tu shku, edhe familja, prindërit nuk e kanë ditë që unë nuk jam aty prezent.
Tepër shumë njerëz sikur Kevin Home Alone, qe ata e zbulojnë ma vonë që nuk oshtë Kevini aty, domethënë ata nuk e kanë ditë niherë pse kanë menu që krejt janë aty, tani rrugës gjyshja ka pyet e ku është Adriani, tani e di që ka ardh ni autobus tjetër, edhe unë kom hyp n’autobusin tjetër, o kanë tepër shok për mu.
BG: A e ke pas najë ide ku mundet me shku autobusi?
AB: Jo qetash mem pyt nuk e mbaj mend, saktësisht po e di që o kanë nifar lloj tash krejt qekjo ndodhi edhe ku janë familja, o kanë kogja shok për mu.
Me sa mbaj mend se tash kanë kalu 20 e sa vjet, po kur e kom deri kemi mbërrit me ni Xhami, ashtu kemi mrri me ni Xhami me ni fshat të Gostivarit.
Autobusi ka mrri aty, edhe tash aty në Xhami unë kom qenë i humbur në nifarë mënyre, edhe aty në Xhami kom hi mrena krejt xhamitë janë kanë me dyshek, njerëzit t’u flejtë, pleqtë dmth burrat dhe gratë mi moshën 60 vjet e kanë pas ni dhomë tjetër ku janë kujdesë, sepse kanë pasë probleme shëndetësore, me çajna, me gjana a po din kështu, edhe tani une kom hi atu kom pas ni ven ku kom ra me flejtë edhe di që për ni periudhë kom qëndru aty n’xhami edhe kom shërbye çaj, kom shërby ashtu pa e njohtë edhe nuk kom mujt me folë.
E kom pas qet problem që nuk kom fol hiq, e kom majtë krejt mrena.
Edhe tani mas ni periudhe kohore, aty në xhami fillova me u familjarizu me ata njerëz në xhami nuk e disha ku e kam familjen, rasisht e kam taku axhën e babit, Ramushin, e axha i babit o kanë dmth në Bllacë kemi qenë bashkë, e kom taku rasisht edhe kom bërtit o axhi Ramush tepër edhe kom ngajtë edhe e kom përqaf, ashtu edhe qeta nuk e harroj o kanë ashtu, mrena oborrit të xhamisë o kanë ni vend ku besimtarët marrin avdes i thonë edhe me shumë çeshme, edhe kur e kom pa ata hala e kam atë memorie.
Interesant o kanë që familja jem o kanë n’4 fshatra tjerë, o kanë n’fshatin Gradec. Tash e kom taku axhën e babit aj u tranu krejt, u kanë nifar gëzimi, ku me ditë çka kanë menu, e kanë ditë që kom kalu po mos jam hup mos jam met diku.
Tani jom shku e kom taku familjen edhe o kanë kshtu ni shok, kom kajt tepër shumë.
Sa kam qenë n’xhami a din s’kom kajt po kur kom shku atu kom kajt tepër tepët tepër shumë, tani prej aty e di që kemi shku në Kumanovë te familja e nanës për arsye se djemtë e axhës së nënës jetojnë në Kumanove, ende jetojnë edhe aty kemi shku me ndejt te ata.
Po e kemi pas nifarë a din problemi pse s’kemi mujt me qëndru te ata, edhe pastaj babi ka kërku me u kthy prapë në qatë fshatin Gradec sepse qatu ka qenë axha i babit, edhe e di që prej Kumanovës kur kem shku kemi nejt 3 ditë në Kumanovë tani jemi khty apet, në fshatin Gradec të Gostivarit.
Aty rrugës nuk kam qenë mirë, kom pas ankth, panikë tepër të madhe nuk kom mujt me marr frymë kom qenë keq edhe tregojnë që s’kom qenë mirë, kom pas sulme të ndryshme psikike.
Edhe kur jemi kthy aty, tash aty kanë qenë edhe disa varreza, qajo ma ka bo edhe ma shumë sepse kur e kemi qel gjamin e kemi pas pamjen e varrezave, unë kom qëndru me gjyshin edhe me gjyshen në një shtëpi, kurse mami babi me dy vllaznitë kanë qëndru në një shtëpi tjetër, dmth jonë kanë dy vëllezër të cilët na kanë pranu në atë periudhë kohore në shtëpitë e tyre.
Patëm fillu me u familjarizu me ta Xhelali edhe Metalia, kanë qenë ata dy vllazni. Grave të atyre ja u bojshum Xhelalica edhe Metalica.
BG: Po bre u kanë qajo.
AB: Shpresoj që nuk oshtë ma.
Edhe tani fillum, unë kisha ksi probleme të ndryshme.
Gjyshja duhet me shku n’shkollë.
E pata filllu shkollën atu në Gostivar, ka pas shumë pak refugjatë që kanë shku në shkollë, pata msu cirilicë, edhe pata vazhduar hala plus i kemi pas do në klasë kshtu.
Fillum me lujt futboll, ata bojshin lujshin futboll ka qenë fshati Gradec, fshati Pirrok, babi filloj me punu me ni kamp nuk e di a e ka pas emrin Stenkovec a Senakoc.
Tjetër, a din u kanë çdo tre, katër ditë kemi shku kemi marr ushqim, veshmbathje, me ni kamp i kemi pru aty.
Jemi familjarizu me familjen aty, ka qenë ni furrë aty afër, kemi lujt futboll e di që nonstop veç kifle kemi hangër.
I kom edhe disa foto që i ruj kujtim gjatë qëndrimit atje, kjo familja e cila na ka majtë neve, dmth ka qenë ni familje, po dy vllazën.
Ky vllau i cili e ka pasë dy djem dhe një vajzë, ata djemtë aty kanë qenë lojtar të mirë të futbollit, lujshin ton kohën futboll qysh e ceka ma herët, edhe ni ditë prej ditve e murrëm lajmin që halla jonë është me ni kamp tjetër.
O kanë nifar gëzimi tepër i madh në familje edhe hajde po shkojna me pa hallën. Halla tjetër dmth se gjyshi ka qenë i martuar me dy gra, edhe unë e kam hallën e gjyshes e dhe gjyshit, edhe hallën edhe axhën të cilët janë vetëm prej gjyshit.
Edhe kemi qenë të lidhur tepër shumë, edhe halla Shpresë edhe axha Lul kanë qenë afër katunit tonë nja ni orë me kerr, kurse Halla Shqipe ka qenë krejt dikun larg me ni kamp.
Hallën Shpresë edhe axhën Lul i vizitojshum, ata vendosën me shku n’Amerikë- axhi Lul, halla Shpresë vendosi me u kthy në Kosovë, kurse halla Shqipe o kanë ni çast shumë i mirë, se na hypëm në ni tren u veshëm u ndreçëm po shkojna me e pa atje në kamp, rrugës në tren pite, speca, gjithçka për me i dërgu o kanë ni ndjenjë e veçantë kur jena shku.
Tani halla Shqipe vendosi me shku n’Gjermani, edhe na si familje e kishim mundësinë me shku dikun tjetër, nana kish qef me shku me naj shtet tjetër si refugjatë, kishum mundësi me zgjedhë për arsye se babi punojke në Mercicorps si kordinatior i komplet kampit edhe e kishte mundësinë thojke po zgjedhim.
Po shkojna në Amerikë edhe është axha apo në Gjermani se e kena dikan, po gjyshi si ni nacionalist tepër i madh tha Kosova u çlirua unë du me u kthy n’venin tem.
Edhe pse nana kish dëshirë me shku dikun tjetër, ai bile gjyshi tha nëse doni ju krejt shkoni unë pa u kthy me shkel Kosovën e lirë nuk e la.
Ka pas tepër ngjarje, në Gradec, kemi lujt msheftas me top, kemi lujt kile, o kanë kogja mirë patëm fillu me i harru problemet, u patëm familjarizu me komplet fshatin, o kanë tepër mirë.
Fatkeqësisht hala s’kom qenë mas luftës, çka vlen me cek është që gjatë periudhës së vitit 2004, kur ka qenë lufta në Maqedoni na i kemi mirpritë tani ata, po nuk ka qenë veç me ja u kthy borxhin po e kemi ni vetën si të obliguar edhe gjatë periudhave të ndryshme gjithmonë janë ardhë edhe janë shëru në Kosovë, për arsye se gjyshja ka punu si motër medicionale e babi oshtë ende teknik i radiologjisë, kanë punu n’spital edhe ja u kanë mundsu me ardh këtu, me ju tregu qysh me u trajtu etj, etj.
Tani e di që patëm vendos me u kthy, u kanë tash ni ndarje tjetër, po ndahemi prej fshatit Gradec, unë nuk kom qenë mirë prapë, kom pasë probleme të ndryshme më gjumë a din nonstop e kom pas nifarë lloj sulmi, panik n’vete nifar tute e cila besoj u ba si pasojë e qeti rrugtimi edhe e qetyne ngjarjeve që i kom pa.
Tani jemi kthy n’Kosove, kurrë se harroj, patëm vendos me u kthy e di që me ni kerr, po kush ka qenë edhe kush na ka pru. E di që kur pate ardhë te Veterrniku o kanë kogja interesant, erdhëm na prej Gostivar- Shkup- Kaçanik-Ferizaj-Veterrnik s’ka pas ndërtime hiq ashtu edhe kur kemi ardhë Prishtina ka qenë kogja nifarë ndjejnë tepër e mirë. Bile edhe gjyshi kur e shpjegojke thojke o kanë ndjenja ma e mirë, në jetën time.
Tani Kosova e mas luftës a din ashtu, qysh e maj n men, u kthym n shkollë.
BG: Qysh ka qenë banesa kur jeni kthy?
AB: Banesa ka qenë shumë interesant, kojshia poshtë Faiku e ka shfrytzu, na murrëm veshë kumedit qysh, i vetmi ni telefon fiks që ka punu n’komplet lagjen ka qenë telefoni jonë.
Kumedit qysh ka metë, ose diçka edhe banesa jonë o kanë vend ku njerëzit e tjerë kanë ardhë me telefonu njani tjetrin. Edhe kur kemi ardhë ka qenë kshtut keq, a pe din atu o kanë gjithçka e prishur.
Kauqat, regallat, krejt çdo send so kanë n’vendin e vetë, o kanë lloç atu edhe e di që disa ditë s’dishum as ku me nejt, e kishum mundësinë me hi n’banesën e serbëve, apo krejt atyre që janë largu se ka pasë edhe Rom, po gjyshi u kanë ashtu jo, jo nuk du me nxanë banesë të dikujt tjetër.
Edhe patën fillu banesat e serbëve edhe nacionaliteteve tjera të cilët kanë ikë gjatë luftës me u nxënë prej Shqiptarëve të fshatrave të ndryshme, edhe o kanë ky stili që na krejt e dimë i kanë shkrujtë tri shkronja UÇK edhe e nxone, a pe din që mos hi këtu se.
Edhe qetu ka qenë ni fillim i devijimit të luftës së lavdishme të UÇK-së, tu e materializu, tu nxonë, tu i keqpërdorë qeto 3 shkronja të lavdishme kanë arritë.
Çka vlenë me cekë oshtë që djali i axhës të babit Mentori ka qenë në Londër tu punu, edhe na kena marr vesh në një katun aty, edhe Mentori ka ardhë edhe u bo Ushtar i UÇK-së në Koshare, edhe u kanë nifar ndjenje shumë e mirë për krejt familjen sepse asnjëri prej neve nuk kemi arritë në luftë me kap armën, me luftu për vendin.
Edhe pse gjyshi edhe gjyshja kanë kontribu tepër shumë, edhe tregojnë tepër shumë raste ku gjatë vitit ‘98 edhe pse kanë pas të ndalume kjo ka shku me mantil, kjo e ka fol shumë mirë gjuhën serbe, edhe i ka rrejtë se është serbe edhe ka hi ju ka dhanë shqiptarëve ujë edhe ushqim nëpër spitale për arsye se kanë qenë në gjendje.
Po, abeja Mentor që i them unë oshtë djali i axhës të babit edhe o kanë kogja ndjenjë e mirë kur e kena marrë veshë krejt a din, po u kanë tepër interesant edhe pyetjen që ja kanë bo gjenerata ma e madhe që janë kanë 20-40 vjet qysh prej Londrës erdh e tash mas disa vjet që shumë shqiptarë të Londrës kanë ardhë edhe iu kanë bashkëngjit luftës, jo vetëm prej Londrës por edhe prej vendeve të ndryshme, edhe e di që abeja Mentor kur u kry lufta edhe aj nuk ka qenë kështu mirë me shëndetin mendor për arsye se kanë përjetu gjithçka.
Masi që jena kthy babi ka metë edhe ni periudhë me menaxhu kampin atje, pasi që ka qenë kordinator i carps.. Kena fillu me u ambientu me qet situatën e re, unë si 10 vjeçar në vitin 2000 nuk kom kuptu shumë se çka ka ndodhë, po tash kur kthehna në retrospektivë edhe e mendoj qato përjetimet 2000-2010 edhe i shoh si 30 vjeçar tash në vitin 2020 shumë më dhimet vetja edhe shoqëria sepse kishum mujtë që në vendin tonë me kriju sistem ma të mirë të menaxhimit të institucioneve tona.
Problem i madh edhe me institucionet ndërkombëtare, edhe qekjo qasja liberalizmi edhe privatizimi i gjanave a po e din, kur i mendoj shumë thom qysh nuk kam qenë në qatë periudhë kohore ndoshta në një moshë pak më të madhe që sado pak me kontribu që mos me devijuar qikaq shumë do gjana, ti qetash ki p.sh shëndetësi të smutë, arsim që të çedukon, e ki drejtësi të rrejshme.
Unë e di psh në shkollën tonë Dardania, drejtori ka ardh prej partisë, patën fillu mësusat me ardhë të familjeve të ndryshme edhe qitu ka fillu qajo e keqja që ku jemi tash.
Besoj që atëherë meniherë mas luftës nëse kishim arritë me menaxhu ma mirë besoj që e kishum pas edhe gjendjen ma të mirë tash.
Çka vlenë me cekë oshtë që në vitin 2002-2003 ka qenë një grup prej lagjes Vranjec ju kanë thanë Qelat, edhe ai grupi ku i kanë nxanë fëmijët i kanë rreh i kanë ashtu, edhe tash ni herë e di që ata kanë ardhë n’lagjen Dardania, edhe kur i kom pa unë ata nuk kom mujt me u ngi frymë edhe nuk kom mujtë me e thanë emrin se kush saktësisht po vjen, edhe tani kadal kadal kom fillu me pasë problem me të folun, edhe …]
BG: E Qelat a kanë qenë Shqiptar?
AB: Po shqiptarë kanë qenë ata, janë kanë krejt qela dmth 2003 kanë qenë shqiptar edhe ku i kanë nxanë fëmijët ju kanë marrë qato pare qato gjana, edhe tani e di që kur kom shku te mjeku më ka thanë që nuk o problemi tash po ki problem t’mëhershëm, dmth që t’u ka akomulu mrena.
Tani unë kom pasë problem koxha me të folun edhe besoj që qaj problem ka qenë produkt i qatyne përjetimeve të viteve ‘97-2003, nifarë shoku total.
Tani jeta qishtu ka vazhdu shumë interesant, kom lujtë futboll, jom kanë njani prej futbollerave ma të mirë n’Kosovë, fillimisht ja kom nisë në Ramiz Sadiku, tani në Prishtina, jom kanë edhe nxënës shumë i mirë shembullor, po dikur në vitin 2005 në shkollë të mesme jom diagnostifiku me kancer, edhe qaty jeta jem e ka marrë një kahje tjetër.
Mu ka shu ëndrra me qenë futboller, edhe ja ku jom në përgjithësi.
Naj pyetje? A shumë pyetje haha!
BG: Përpos qeto problemeve që i identifikove, që i potencove që munden me kanë rezultat i përjetimeve të luftës, a vëren diçka në përditshmëri, diçka që mundesh me identifiku si pasojë e krejt përjetimeve edhe qysh përballesh me ato kujtime që na vinë në përditshmëri?
AB: Po me të tregu të drejtë kudo që shoh policë unë hala e kom nifarë, edhe pse janë policë të Kosovës flasin Shqip, si t’i shoh uniformat e kaltërta më kap panika, s’muna me u ngi frymë mirë.
Kom pa, ka shumë detaje qetash tu fol hala po më binë në men ashtu që kanë qenë protestat, ka pas zhurmë shumë e kanë rreh djalin e axhës të babit, Dugin që e kom pa tu e rreh në mahallë.
E vrej që saherë shoh policë më kap nifar paniku, paniken ma të madhe e kom pas kur kom shku me i vizituar dajtë në Bujanoc.
Bujanoci dmth oshtë në pjesën e Serbisë, në pjesën e Anamoravës anej.
Kur e kom kalu kufirin ashtu ka hi ni polic me na i marrë letërnjoftimin, pasaportën, o kanë nifarë shumë se ka qenë mas 4-5 viteve me pa ni serb me uniform tut pyet diçka,
Tani ato kerret, zazstavat me të kaltër me kështu, ka qenë shumë njëfarë lloj frike, edhe kështu në përgjithësi besoj që kom pasoja nën-vetdie që nuk muj me i dallu gjatë ditës po që janë produkt i qati përjetimit.
E vërej nëse veç rasti konkret ke para disa jave, do fëmijë 8-9 vjet fillun me gjuajtë petarta, ata e gjuajtën petarten edhe kur kërciti ajo s’mujta me u ngi frymë edhe u nala i thashë pse bre po gjuni petarte?
Në cilin vit keni lind?
Thanë 2001.
Se të kishit lind n’vitin 80 ose 90…
Ata thanë pse axhi.
Qashtu qishtu ja u shpjegova.
Çdo zhurmë që e nijë oshtë nifar shoku, a din ashtu nifarë reagimi i jemi të cilin nuk muj me kontrollu, veq ndodh, më kap nifarë panike, e cila besoj oshtë produkt i krejt qatyne përjetimeve qysh e ceka ma herët.
BG: Nëse s’ki diçka me shtu…
AB: Eeeeeee, pak a shumë qikjo ke, nuk ka diçka me shtu, ka shumë detaje, ka a pe din kështu të cilat tash tu fol edhe tu i menu veç pom kujtohen ashtu po…
E di edhe ni pikë që e kisha cekë, në katin tonë ka qenë Milleva, e nacionaliteti serb. Edhe gjyshja kallxon që raporti me ta o kanë kojshillak, jam rritë në durtë e saj, çika e saj u rrit në durtë e gjyshes tem, a pe din jena kanë edhe e di që kur ka ndodh helmimi, që ka ndodh aj bombardimi në një kafiteri nuk e di në cilin qytet, që thuhet që atë bombardim e kanë bo vetë serbët.
Serbët i akuzojnë shqiptarët, shqiptarët i akuzojnë serbët oshtë konspiracion.
Gjyshja kallxon prej qati momenti ka pasë raport shqiptar- serb, s’ka pas ma kojshillak.
Qekjo pak e dhimbshme se mendoj që sikur njerëz duhet me menu pro paqe e kundër luftës, tek e fundit jemi veç ni grimce e vogël në gjithësi edhe besoj që tepër mirë ish kanë mos me pas luftë.
Besoj që edhe serbët edhe shqiptarët edhe çdo nacionalitet tjetër mrena Kosovës edhe mrena Ballkanit nëse s’kish pasë luftë edhe nëse kishim jetu n’harmoni kur kemi jetu në vitet 70-ta edhe pse dikush ankohet se dikush thotë qe serbët, sllovenët, kroatët kanë pasë përparësi ska qenë bash qaj vllaznim-bashkim.
Prapë menoj që ka qenë ma e mirë se periudha e luftës edhe kjo që po e jetojmë tash, edhe gjithmonë kisha thirrë pro paqes edhe kundër luftës.
BG: Faleminderit
AB: Faleminderit shumë