Sabri Hasani
Intervistuesja: Rita Berisha
I intervistuari: Sabri Hasani
R.B.: Pak para fillimit t’luftës, nashta pak para bombardimeve. Veç qysh e man n’men qat periudhë komplet.
S.H.:Para bombardimeve t’NATO-s, na pritshim veç kur t’ndodh diçka shumë e keqe, tu e pas parasysh çka ka ndodh n’Bosnjë. Në fshatin ku jetoj unë, është në pjesën veriore të Mitrovicës, edhe kemi qenë t’rrethum prej serbëve. N’mes fshatit tem edhe fshatit Gushavc osht ni vendbanim me serbë. Pak para bombardimeve t’NATO-s aty jon koncentru shumë paramilitarë serb me uniforma t’kuqe, me uniforma t’bardha edhe na veç pritshim që diçka e tmerrshme ka me ndodh. Qashtu edhe ndodhi, meniherë mas bombardimeve t’NATO-s, më 24 mars 1999, nga qyteti i Mitrovicës erdhën shumë njerëz n’fshatin tem se mendojshin se osht ma sigurt. Na e dishim që nuk osht e sigurt se më 28 mars të vitit 1999 paramilitarët serb i vranë 4 vetë n’oborr t’shpisë, kojshi t’mi. Mas vrasjes tyne, na krejt jena dal prej shpijave se pritshim që kanë me fillu masakër me bo. Prej atyhit kem kalu nja 2 sahat, nja 2 km në jug të Ibrit. Aty o koncentru shumë popullata. Ni dhomë jena kon diku 25 vetë, familja jem, familja e axhës, kojshia krejt. 25 vetë jena kon ni dhomë 4 x 5, nuk o kon ma e madhe. Aty kena nejt 4 ditë. Hajshim ma shumë kompira se s’kishim çka me hongër, se as ata pronarët e shpisë nuk ishin pas pasanika edhe gjithmonë me frikë se na veç e kishim atë ndjenjën se jemi ma sigurt atje se nisoj o kon edhe atje pasigurt me qëndru. Mandej, mas 3 nete, e pam që nuk po munem as me mbijetu, nuk kishim as çka me hongër u kthym prapë n’shpi edhe pse veç fillun serbët mi djeg disa shpija n’periferi t’fshatit. Kemi qëndru edhe tri netë n’shpi mandej e pam që nuk osht mo për me nejt aty se fillun shpijat e djegne mu afru ma n’qendër t’fshatit aty ku e kisha unë shpinë. Edhe metëm shumë pak familje n’fshat. Atëherë kem dalë n’qytet n’Mitrovicë, ni shpi, bile të ni funksionarit shumë të njoftun ma vonë n’Mitrovicë. Ai kish dal paraprakisht në Mal të Zi. Ia kish lon çelësat kojshisë t’vet që nëse vjen dikush lirisht t’hin n’shpi, ka çka me hongër, derisa t’bohet diçka. Na kemi qëndru në atë shpi, familja e axhës, familja e ni kojshisë… Aty kemi qëndru dy javë. Aty, me t’kallxu t’drejtën, kushtet nuk jon kon t’këqija n’atë shpi, mirëpo çdo ditë nishim “e vrajtën kto, e vrajtën kto”. Ish nifar pasigurie shumë e madhe.
R.B.: A mujshit me dalë prej shpisë najher? Sa ish e sigurt?
S.H.:Dilshim deri n’oborr. Jo s’ish e sigurt me dal n’qytet hiç, veç deri n’oborr, ma lerg jo. E atëherë mas 10 dite a dy jave, atëherë masovikisht na kanë dëbu prej atyhit.
R.B.: M’falni, po metëm mas dëbimit.
S.H.:Po, ni pjesë që quhet Tavnik, te Bibi që i kemi thon na, krejt popullata u detyru me u zhvendos prej atyhit. Me t’kallxu t’drejtën s’dishim as kah me shku, kah me ia majt. Po u nisëm n’drejtim të Shqipërisë. Mendojshim se na lojnë shlirë me shku atje. Kemi shku deri n’Shipol, na kanë qu deri n’shkollë të Shipolit. Kem nejt n’banka qaty ni natë, në kushte mos vet, pa hongër, pa pi. Filloi atë natë edhe shi, o kon koha shumë e ftoftë. Ni natë aty nejtëm n’terr. T’nesërmen n’mëngjes, na thanë me vazhdu mu kthy n’shpi. Kur zbritëm poshtë n’rrugë kryesore, na thanë “jo kthehuni ka stacioni i autobusave se me autobusa po ju çojmë në Mal të Zi”. Kur u afrum te stacioni i autobusave, ata prapë na dredhun rrugën kah Shipoli, prapë në të njëjtën rrugë, veç e bonëm rrethin aty. E këtu o kon ni ditë shumë e vshtirë se ka pas viktima skej rrugës që i kishin vra. Na u detyrojshim skaj tyne me kalu edhe u shishin me maska paramilitarë tu i kall shpijat. Atëherë kemi vazhdu për Shqipëri. Kemi vazhdu me ecë, deri n’mbramje menzi kemi mrri në fshatin Qubrel. Unë e kisha vajzën dy vjeçare. E kisha babën, nanën, grun edhe ni vajzë dy vjeçare. Atë nonstop n’krahë tu e bajt plus pak do tesha çka i murëm prej shpis. Në Qubrel kena nejt nonstop si i ka ra edhe n’qiell t’hapur gjithë natën. U ndrrojshim herë unë, herë gruja, herë baba e majshim qikën n’prehën edhe ni çadër e kena pas. Haku i qikës secili u ndrrojshim tu e majt. Ajo natë ka qenë shumë e vshtirë, shumë. Edhe ftoftë edhe friga n’tjetrën anë. Të nesërmen kena vazhdu me ec, kena mrri në Gurakoc. Aty e kemi kalu natën ni punëtori ish kon, automekanik a nuk e di çka ka qenë po terr ka qenë.
R.B.: A jeni kon hiç kolonë a veç familja juj?
S.H.:Kolonë, nashta me mijëra njerëz jon kon prej Mitrovicës. Dëbimi masiv kur u bo qat’herë me 15 prill tash po m’kujtohet se shkojnë mas lufte çdo 15 prill deri n’Kukës, me autobusa, normal, në përkujtim të asaj date. N’Gurakoc kena nejt ni natë. Të nesërmen kena vazhdu deri n’fshatin Gremnik të Klinës. Sa për ironi, krejt banorët e atij fshati kishin dalë n’mal e neve na vendosën n’shpija të tyne. Bile me Jetonin i kena pas vizitu mas lufte, jena kon n’odë aty. Aty kena nejt 6 netë tu mledh ushqim nëpër maxhe. I kena bo dom asaj popullate po jo me qëllim po veç me mbijetu. Jena ushqy sa me majt shpirtin e mas ditës së 6 na kanë thanë që Millosheviqi e ka nënshkru kapitullimin edhe lufta ka mbaru, tash kthenu n’Mitrovicë. Na e dishim që kolona ka vazhdu për Shqipëri, na u kthym për Mitrovicë po tash kah Skenderaji. N’hymje të Skenderajit na kanë ndalë kolonën. Na kanë nda 250 vetë prej kolonës, dmth veç mashkuj, burra. Njo prej tyre jom kon edhe unë. E kom pas vajzën n’dorë. M’tha “jepja qikën grus e ti skajohu qatje”. Edhe tu i pas parasysh përvojat që i kanë pas n’Bosnjë, na veç pritshim me na pushkatu se tjetërçka… Na çun n’shkollën e mesme teknike n’Skenderaj. Familja mo nuk ka ditë për mu kurgjo. Aty na kanë majt 2 javë ditë. Maltretime mrena n’shkollë nuk na kanë bo përveç natës së fundit. Mirëpo, na merrshin n’pytje grupe-grupe na çojshin n’stacion policor që ish jo fort larg prej shkollës. Aty kush ka pas fat ka pshtu, kush s’ka pas fat o rreh mirë. Se vishin me durë t’ajta, me ftyrë t’ajtë, dmth prej maltretimeve që i kanë pas.
R.B.: E çka iu interesojke atyne? Çka ju pytshin?
S.H.:Ata ma s’shumti që kanë hek jon kon ata që jon kon n’zona ku jon zhvillu luftimet. Unë jom kon n’zonën e Suadollit ku nuk ka pas luftime të UÇK-së se o kon pjesë veriore e rrethume prej serbëve. S’ke mujt ti as me u organizu për me… Kështu që, kur m’kanë marrë mu n’pytje, m’kanë vet n’detale “ku punon, çka ke studiu” krejt. Bile bile edhe “kon e ke pas dajë, t’kahit i ke pas dajtë”. Detale. Mirëpo kom pas fat nashta se ai inspektori ka qenë boshnjak edhe nuk m’ka munu fort. Mandej, natën e fundit kanë ardhë dy paramilitarë. U shihshin që kanë qenë t’pitë. Edhe ata veç e lypshin dikon që osht prej fshatit Vaganicë. Simas tyne, kur kanë kalu me xhip të policisë, Vaganica i kanë gju me automat. Edhe veç kqyrshin kush osht prej fshatit Vaganicë që me e maltretu. I kanë rreh do vetë po pshtum. Të nesërmen na kanë çit në kamiona që transportojnë kafshë. Na kanë çit aty edhe, normal, nuk dishim kah po na çojnë. Eh, harrova me tregu që gjatë qëndrimit në atë shkollë, hjeka ma e madhe o kon buka. Bukë na kanë pru ni herë n’ditë, ka ni t’katërtën e bukës edhe ka ni zdenkë, nashta e din çka jon zdenkat. Me qata e kena majt shpirtin, ni herë n’ditë. E tri ditë me ren nuk na kanë pru hiç, as qato. Tri ditë me ren as qato. E kur na çitën n’ata kamionat, tash nuk e dishim ku po na çojnë. Ata faktikisht na prunën në burg të Smerkonicës ku kish pas edhe t’burgosurë të tjerë. E maltretimet ma t’mdhaja jon kon në Smerkonicë. Unë për veti nuk i kom përjetu n’lëkurën tem se qashtu e kom pas fatin nashta mirëpo me sy kom pa njerëz tu i rreh, tu i maltretu. Ka ndodh që i kanë qit babën edhe djalin me u rreh nërmjet veti edhe normal asnjoni tjetrit s’ka mujt me i ra. Edhe i kanë thon “qe tash t’kallxoj unë qysh duhet me e rreh”. I kanë rreh dytë. I kanë rreh me bishta të kacisë. Ato i shihshim prej dritares t’burgut n’oborr. Njonën anë ajo, anën tjetër nuk disha çka u bo me familje. Masanej m’tregojshin çka kanë hjek se nuk e kanë ditë çka u bo me mu. Bile bile, fjalë tjera që i kanë pushkatu ata në Skenderaj. mas nja ni javë dite të qëndrimit n’burg atje, ni burgosje masive ka ndodh n’Mitrovicë. Atëherë u bonëm aty n’burg diku 3600 vetë t’burgosun. Ai ish llogor, nuk ishte burg mo se ni dhomë ishim 40 vetë sigurisht. Nuk mujshe as mu shtre, veç ulun u duke me nejt. Kreveta s’kish, n’beton. E mas ni javë dite që thash, kur ndodhi qajo burgosja masive, e prunën edhe babën tem, mixhën tem, kushëritë n’burg aty. Normal nuk kena mujt mu taku se pavilionet e ndame. Për herë t’parë e kom pa babën për dritare, e kom mar vesh që o gjallë. E tregimi ma prekës osht baba kur kallxon, kur m’ka pa mu. Se unë s’kom dit çka o bo me familje ama babës i ka ra n’vesh që na kanë pushkatu. Ajo o kon ma e randë. E për dritare baba m’ka pa. Kallxojnë edhe tjerët që jon kon me to, s’ka mujt s’di sa mu nal prej vajit kur m’ka pa që jom gjallë. Aty na kanë majt edhe dy javë tjera. Mandej, normal n’pytje na kanë marr, maltretime. Prej atyhit n’shkollë teknike na kanë qu. Edhe aty bukë niher n’ditë. Çka o kon ma e keqja, na çojshin me hongër bukë. Ish ajo çorba shumë e nxehtë, me qëllim. Nuk ish çorbë, ish ujë i nxehtë me do copa t’patates edhe tamon ia nisshe me hongër, vike thojke “Çunu se boll hongërt! U kry koha e juve!” U dufke me u çu, krejt çka mujshe me marr qat copë buke. E ngjyshim me krypë, me qata me e majt shpirtin. Edhe ni fakt që s’jom ngi kurrë osht që nuk kom mujt me e kry nevojën gati ni muj ditë tamon qysh duhet. Edhe mas dy jave na kanë qit n’autobusa. Tu na vendos n’autobusa, ni gardian i autobusit po e vet ni polic, unë e disha serbishten, po i thotë “ku po i çoni?” Ai tha, “nuk e di, sigurisht n’pushkatim”. Kështu qetë. Edhe na hipëm n’autobusa, nuk na lejshin me çu kryt nalt, kryt poshtë, mos me kqyr jashtë. Po e dishim drejtimin që e mur autobusi. Kur e dishim që kah Prishtina, thojshim po na çojnë në Nish, n’burg të Nishit. Kur e kalum Prishtinën, jo po na çojnë n’burg t’Lipjanit. Kur e kalum Lipjanin, jo po na çojnë se NATO ka paralajmëru me këmbësori tash neve si mburoja para tenkave. Kena kalu deri te kufiri nja 5 km. Prej atyhit, na kanë zbrit prej autobusit edhe na kanë thonë “kolonë për njo, e keni kufinin edhe 5 km edhe mo mos u ktheni në Kosovë! Shkoni edhe mos u ktheni mo!” Normal, rrugës, qato 5 km shumë njeri ka hekë shumë se kanë kqyr edhe momentin e fundit sa t’munen me maltretu njerëz. E kemi dalë n’Shqipëri. Po kur kom dal n’Shqipëri jom mërzit shumë se e disha që krejt familjen e kom ktu, nanën, grun, qikën. Babën e disha që e kom n’burg se nuk na kanë dërgu n’Shqipëri komplet. Atëherë jom mërzit shumë se thojsha çka po m’vyn veç mu me pshtu. Nuk osht ajo jetë. Edhe e disha që nuk kthehem mo se e pam qysh e lam këtu. E në Kukës ke ni numër shumë i madh i refugjatëve të koncentrum n’Kukës. Thojshin diku 600,000 refugjatë jon kon për në Kukës. Disafish e ka kalu numrin e popullatës aty. Normal aty ndihmat e organizatat e ndryshme humanitare nuk na kanë lanë unët, ka pas me hongër boll. Mirëpo, krejt o kon veç qajo mërzia për familje. Mandej, nuk e dishim të ardhmen; çka me bo n’Shqipëri na? Pa pasuni, pa kurgjo, veç qato tesha të trupit, kurgjo tjetër. Bile as dokumentat se letërnjoftimin na shtinën mi lon aty se përndryshe…
R.B.: A je bashku me familjen n’Shqipëri?
S.H.:Jo se gruja, nana edhe qika nuk kanë dalë. Ato kur jon kthy në Mitrovicë, jon kthy në shpi të ni hallës tem, qikës mixhës t’babës. E ka pas shpinë në Mitrovicë, n’qytet. Mirëpo jon kon veç gra edhe fmi. Ato tregojnë sa shumë kanë hjek. Mas shumti kanë hjek për bukë edhe friga se çka po ndodh. Shpinë ku jemi kon na e kishin kall. E shpija ku o kon halla o kon kojshi qaty. Babën, mos gabofsha mas nja 8 dite, mos gabofsha se kom harru, jon bo 20 vite, e prunën edhe babën n’Shipëri, në të njëjtën mënyrë, me autobusa. E qaty mas ni muje a sa u bonën, për herë t’parë u takova me babën. Ai moment o kon prekës. S’di sa qashtu të përqafum kena nejt. Sa herë e kujtoj atë, osht moment shumë prekës, shumë prekës. Bile edhe ata që jon kon prezent aty kanë qajt. Prapë mërzia, nuk dishim çka u bo me nonën, me grunë. Na çun në kampin Hamollaj, n’Durrës, meqenëe numri ishte shumë i madh i refugjatëve n’Kukës se nuk i përballojshin. Plus çka vishin n’vazhdimësi. Atëherë disa na transportun atje. Po për neve ish njëjtë, si n’Durrës, si n’Kukës. E atje n’Durrës mandej e kom taku motrën me familje, pa burrë edhe pa vjehërr. O kon interesant se edhe ktu kur jena nis refugjatë, kur jom taku me motrën edhe ata e kishin pas ni histori shumë të vshtirë se i kanë nda burrin e motrës me babë t’vet. Gjithashtu i kanë pru në Smerkonicë, edhe ata jon kon t’burgosun. Tash unë motrën n’Durrës e takova. Nuk e kom dit unë. Ni kushëri i jemi m’tha “E kom pa Valbonën, me fmi osht qitu qitu”. Thashë “Qysh Valbonja me fmi kur Fatonin, dhondrin, e kom pa n’burg? Ata nuk jon ardh n’Shqipni, qysh o ardh ajo n’Shqipni?” Policia e kish hyp familjen e saj ni traktor edhe kur jon shku pak ma matanë, traktoristi ka thon “ja valla ju zhdrypni” dhondrit tem me babë, e ata tjerët i ka marrë “se shumë rond traktori e s’muj me ju qu deri atje”. Ata jon dal n’Shqipëri, këta i kanë marrë n’burg. Në Shqipëri kemi qëndru 1 muj ditë. Më 22 maj, mos gabofsha, kena dal n’Shqipëri. Më 24 qershor jena kthy. Kena tentu me u kthy meniherë si e kanë nënshkru atë marrëveshjen e Kumanovës po nuk gjejshim transport. Më 24 qershor e kena gjet ni kombi, e kena pagu e na ka pru.
R.B.: Ju ka pru deri n’Mitrovicë?
S.H.:Deri në Mitrovicë na ka pru. Shkova te shpija e dajës, atij i kish pshtu shpija n’qytet aty. Aty ish kon nona, gruja edhe qika. Qika kish fillu me m’harru, sem njihke se dy vjeçare o kon. M’kqyrke diqysh si çuditshëm. E dike që diku m’ka pa po kush o ky njeri nuk e dike. Masanej sigurisht iu ka kthy kujtesa, e s’mu dajke.
R.B.: E qysh o kon fshati kur je kthy?
S.H.:Fshati o kon komplet i djegun. Bile Jetoni, pas luftës ka ardh me na vizitu. Komplet, komplet o kon i djegun. Nuk e di a kanë pshtu 2-3 shpija edhe ato kanë pshtu se kanë qëndru vetë ata paramilitarët. Shtëpinë e kom ndërtu prej temelit t’re. Osht dasht me e ndërtu se s’kom mujt me riparu kurgjo n’to.
R.B.: S’ka pas kurgjo për me riparu a?
S.H.:Kurgjo s’kom mujt me riparu. Prej temelit o duft.
R.B.: E ku ke nejt n’fillim si je kthy?
S.H.:N’fillim kom nejt te kunati i hallës n’banesë tij. Ai ka qenë n’Gjermani e derisa o kthy ai unë kom nejt n’banesë tij. Po mandej n’pranverë veç fillova me e ndërtu shtëpinë. Me ni shatorr rrishim derisa e ndërtum shtëpinë po ish vera, nuk ish fort problem. Masi ish mandej liria, nuk e ndishim as të ftoftit as kurgjo, në krahasim me luftë. Kjo është n’pika t’shkurta historia.
R.B.: Faleminderit shumë!