Lavdi Zymberi

Bjeshka Guri (intervistuesja)

Lavdi Zymberi (e intervistuara)

Akronimet: BG=Bjeshka Guri, LZ= Lavdi Zymberi

BG: A po më tregon diçka për veten?

LZ: Po. Unë jam Lavdi Zymberi. Jam 30 vjeç. Jam nga Gjilani. Tash jam zhvendosë në Prishtinë, ku jetoj dhe punoj.

BG: A të kujtohet diçka për luftën? Cilat janë memorjet e para? Çfarë gjendje ka qenë?

LZ: Po. Unë kam qenë 11 vjeç në kohën e luftës. Mjaftushëm e rritun për me mbajtë mend shumë sene. E di që, nashta me data kam fillu me i harru... po e di që deri me ni kohë kemi shku në shkollë. Shkollat kanë qenë të hapura përkundër që në Drenicë veç ka fillu me pasë luftë, me pasë tensione. Por, në Gjilan kemi vazhdu deri dikur nëpër shkolla. E di që kemi pasë refugjatë që kanë ardhë prej zonave të Drenicës aty afër nëpër shpijat e tjera, ku kanë qenë disa familje prej një fshati Rezallë. Ata janë zhvendosë njëherë te na në Gjilan, masandej kanë kalu dikund tjetër. Më duket kanë vazhdu në Maqedoni. Masandej kur filloi mu ba ma e tensionume situata në rajon të Anamoravës, shkollat janë mbyllë. Kemi mbetë nëpër shpija pa naj aktivitet, pa naj zhvillim tjetër. Më kujtohet që masandej fillun njerëzit me u largu prej lagjeve, fillun dyqanet e shqiptarëve me u mbyll. D.m.th. ka fillu ajo periudha që ke pasë problem edhe me gjetë ushqim. E di që prej lagjes tonë kemi jetu, atëherë është quajtë “Çënar Qeshme”, tash është “Arbëria”. Është dashtë me shku tek “Dheu i Bardhë”. Atje ka pasë romë që kan shitë gjithçka. D.m.th. është dashtë me shku deri atje. E di që shpesh kam shku me babin. Kemi shku me biçikletë, edhe është dashtë me kalu përpara stacionit të policisë. Edhe normal kur ka pasë diell p.sh, edhe qysh të pengon dielli në sy, e mbaj mend veten që kam tentu me i mbajtë sytë ashtu hapë kur kam kalu atje para stacionit për shkak që mos me i dhanë asni arsye policisë me të ndalë... d.m.th. për me të thanë pse po i mbyllë sytë. Kam qenë e vogël por prapë ka qenë ajo ndjenja që këtu është rrezik edhe duhesh me qenë shumë e kujdesshme edhe me u mundu përkundër diellit, që në njëfarë mënyre gati të ka verbu amo është dashtë me i mbajtë sytë hapë kah ajo pjesa te policia. Po ka qenë e pashmangshme ajo rruga, se ka qenë rruga ma e shkurtë që i ka lidhë dy lagjet. E mbaj mend që kemi fillu masandej me i ble disa ushqime. D.m.th. prindërit kanë fillu me i ble ushqimet që me i pasë këto miell, sheqer, e gjanat elementare që duhen për çdo rast. Edhe kemi vendosë me nejt në shpi, për shkak që ndëgjojshim që në Maqedoni nëpër kampe njerëzit janë tu vuajtë për bukë, që nuk ka mjaftueshëm. Kështu që vendosën të rriturit... fëmija veç osht dashtë me u pajtu... vendosën që me nejtë në shpi. D.m.th. ka qenë ajo ndjenja që edhe nëse vdes, të paktën jo me vdekë urie, po të vdes në shpinë tande. Më kujtohet disa ditë para bombardimeve, ose ndoshta edhe mbas, nuk po e di saktë, kanë fillu me bo kontrolle nëpër shpi policia dhe ushtria serbe. Axha jem ka qenë në lëvizjen ilegale atëherë. Ka qenë në burg diku nja 9 vjet. Tash jeton në Zvicër dhe ka jetu në Zvicër edhe gjatë asaj kohe. Por, sistemi serb atëherë i ka ndjekë edhe familjarët e tjerë e jo veç personin kryesor. Mbaj mend që kanë ardhë me naj kontrollu ashtu shpitë, tu kërku mos ka naj armë, qoftë babi jem qoftë axhallarët e mi. Ka qenë e frikshme me i pa me ato si gypa, se di as çka i thuhet atyne armëve që i mbajnë. Ka qenë e frikshme. Por, nuk është që kanë bo diçka përveç asaj frikës psikologjike që na e kanë shkaktu në atë kohë. Nata kryesore është kur kanë fillu bombardimet e NATO-s. Lagjja jem “Çënar Qeshme” është në një pozicion më të ulët sesa një lagje tjetër, “Zabeli i Sait Agës” i kem thanë. Edhe atje është edhe një kazermë. Ka qenë edhe një kazermë e ushtrisë. Ka qenë ushtria serbe. Do të thotë, ata e kanë pasë lagjen tonë si në pëllëmbë të dorës. Kanë bo gjithçka që është zhvillu. E mbaj mend që kur kanë fillu bombardimet, të gjithë kemi qenë ashtu të gëzum që fillun bombardimet, që filloi me nifar mënyre me u çliru Kosova. Edhe kemi shku me ni kodër pak nalt me pa, se kur bombardojshin u bojke ashtu dritë e sene, edhe kemi shku me pa çka po ndohdë se është pamja ashtu e mirë. Po në të njëjtën kohë që NATO ka bombardu forcat serbe, ata kanë bombardu pak ma naltë se shpitë e tona, lagjen tonë. Edhe kur e kemi kuptu që në të njëjtën kohë po bombardohemi edhe na, atëherë ka fillu edhe ajo frika jem, që si 11 vjeç, ajo ndjenja që nëse s’kishin gjujtë pak ma naltë, kish mujtë me qenë te shpijat e tona. Edhe atë natë e mbajë mend veten që jam kthy brenda në shpi edhe e kam vendosë jastëkun ashtu përmbi kokë edhe kam fillu me u frigu. Kur e ka pa masnej baba jem që po i frigohet çika e vet... ne jemi 5 fëmijë... unë e pasna përjetu garant pak ma shumë, kemi vendosë me dalë prej shpijave, mu nisë prapë. Vendosëm me u nisë në drejtim të Maqedonisë. Problemi ka qenë që e kemi pasë veç një makinë, do të thotë veç babi jem ka pasë. Dy axhallarët e tjerë që kanë mbet nuk kanë pasë kurrfarë mjeti tjetër transportues. Edhe si shqiptarë që jemi, është problem me lanë dikënd mbrapa. Jemi nisë. Disa kanë shku me makinë, disa kanë mbetë në kamë. Kanë ecë prej Gjilanit deri në Llovcë. Llovca është një fshat në komunën e Gjilanit. Tash nuk e di sa kohë kemi kalu deri jemi shku, po e mbaj mend që gjatë rrugës ka pasë ashtu ato gropat që i përgatisin për me i vendosë ato minat anti-tanke e këto. Edhe e mbaj mend që na tregojke babi e na thojke që garant policia e ushtria veç janë nëpër male, por po e shohin që na po largohemi, kështu që iu konvenon atyne me u largu njerëzit, me mbetë pak ma shumë, në njëfarë mënyre me u spastru. Na ka zanë nata deri sa kemi mbërri atje në Llovcë. Edhe ni familje kanë dalë e na kanë thanë hajde rrini te na se është natë, mos shkoni niher. Mundeni nesër. Fleni sonte këtu, nesër masandej vendosni çka po bëni. Është kthy babi jem me i mar mpjesçn tjetër që kanë qenë tu ecë në kamë. Edhe i mbaj mend lajmet e TVSH-së se atëherë s’kemi pasë televizione tjera. E mbaj mend që në lajmet e TVSH-së kanë tregu masandej që është bombardu lagjja jonë. D.m.th. në të njëjtën kohë që kanë fillu bombardimet...

BG: Qysh e ke përjetu?

LZ: Ka qenë shumë e sikletshme. D.m.th. me pa që shpija jote ka mujtë me qenë qajo që osht bombardu. Kanë qenë pak ma nalt shpijat, por prapë ka qenë e sikletshme me pa në lajme që po bombardohet vendi yt. Po rrezikohesh ti, edhe është dashtë me dalë për shkak të qasaj. Plus ajo pjesa tjetër... gjithmonë kanë qenë ato titrat që kjo familje është këtu... janë lajmëru sa herë që kanë dalë refugjatë, kanë tregu ku janë, ose kërkohet kjo familje. Ka qenë shumë e sikletshme. Në të njëjtën kohë, gjatë kësaj kohe s’kemi dëgju asnjë lajm për dajtë, për vëllezërit e nanës ose për motrat, për tezet. Edhe nuk e ke ditë çka po ndodhë as me ata. D.m.th i kemi dëgju ato lajme krejt. Ka qenë ashtu një heshtje. Nashta ka qenë periudha e vetme kur edhe të rritun edhe fëmijë kemi qenë me sy kah televizori. Tash nuk ndodh kjo. Po ajo ka qenë koha e vetme që të gjithë sa herë ka pas lajme ashtu, jemi nalë me pa çka po ndodhë, me pa mos po mer naj lajm për familjarët e tjerë ose diçka. Të nesërmën masandej, baba jem e axha janë kthy edhe me motrën e me vëllain tem të madh edhe me disa kushëri tjerë. Janë kthy prapë në shpi. Tash 20 vite pas, duket pak e palogjikshme me u kthy duarthatë me një vend që s’ke qenë i sigurtë...

BG: E cili ka qenë shkaku që janë kthy?

LZ: Po, me i mbrojtë shpijat. Pak e palogjikshme se s’mundesh ... me çka do me i mbrojtë shpijat? Nëse pala tjetër ka armë e ka pushkë e ka, e ti s’e ki asnjë armë, s’ki qysh i mbronë shpijat. Po ajo ideja që prapë është vendi yt, është shpija jote. Edhe nëse edhe veç vdes, ma mirë me vdek aty në shpi tande sesa me vdekë rrugës ose me vdekë për bukë ose diçka. Ata janë kthy. Ne kemi vazhdu, do të thotë, nana, dy gratë e axhallarëve edhe disa fëmijë ashtu ma të vegjël që kemi qenë, kemi vazhdu atje. Familja në Llovcë, si familjet shqiptare që kanë mikpritje, na kanë trajtu shumë mirë. Na kanë mbajtë mirë. Edhe na i kemi pasë disa ushqime që i kemi marrë me vete, po edhe ata s’na kanë lanë pa ushqim. Naj kanë lëshu ni dhomë të madhe në katin e dytë ku kemi fjëetë komplet ashtu, të gjithë që kemi mbetë në atë dhomën e madhe. Edhe si fëmijë që kemi qenë s’kemi ditë ashtu... jemi dalë aty nëpër fshat, jemi shëtitë, kemi ecë... edhe lajmet i kemi dëgju prapë në mbramje. Për 4 netë sa kemi nejtë atje në Llovcë, çdo ditë ka ardhë dikush masandej prej Gjilanit, na kanë vizitu. Ose kanë qenë babi me axhën, ose axha me vëllain. Edhe e mbaj mend që njëherë kanë ardhë ashtu shumë të lodhun. Kanë ardhë me biçikleta vëllai edhe axha. Edhe iu thamë që mos hajdeni mo, veq në qoftë se vini me na mar, përndryshe, është tepër e lodhshme me bo gjithë atë rrugë Gjilan-Llovcë për pak kohë, edhe ne ishim mirë, kështu që ishte e panevojshme lodhja e tyre. Po tash prapë ajo pritja. D.m.th. çdoherë, e di që nja dy ditë kemi pritë a po vijnë me na marë, edhe masanej filloi mu bo pak e lodhshme me nejt atje se tanë kohën në pritje që kur po vijnë me na mar. E mbaj mend që Llovca e ka pasë një rrugë si përpjetëze në hyrje të fshatit. Edhe prej kodrës ke pasë mundësi me pa a po vjen dikush ose jo. Edhe e di që me ni djalë të axhës që është moshë e jemja përafërsisht, kur e kemi babin tem që ka ardhë, ka qenë gëzimi tepër i madh ashtu. Ndoshta gëzim pak ma të madh kemi pasë kur është çliru Kosova përfundimisht. Do të thotë, më 25 kemi shku në Llovcë,dikund me 29 mars ose 30 i ka ra që janë ardhë me na marë, edhe embaj mend tu vrapu deri te shpija, ashtu: “Kanë ardhë me na maaarë”, edhe ai gëzimi që po kthehmi në shpi përkundër që shpija ka vazhdu prapë me qenë e pasigurt, po prapë njëfarë ndjenje që po kthehesh në vendin tënd. Shumë thjeshtë. Edhe, kanë ardhë na kanë marë. Jemi kthy prapë në shpi. Ka vazhdu ajo periudha e bombardimeve. Ka vazhdu ajo periudha që prapë është dashtë me qenë në gjendje gatishmërie në çdo moment. E mbaj mend që për një kohë të gjatë kemi fjetë në shpinë e një axhi që e ka ndërtu se ka qenë ma e sigurtë, me beton ma të mirë. Ajo ndjenja që edhe nëse bombardojnë, ky është beton shumë i mirë edhe nuk e lëshon, ashtu pak ma sigurtë. Dhe kemi fjetë gjithmonë me ashtu komplet teshat vesh, gati. Që në çfardo momenti, nëse vijnë edhe natën me të thanë dil, të paktën ke qenë ashtu i veshun ose e veshun, edhe ke mujtë me dalë. Kanë vazhdu bombardimet e NATO-s. E di që jemi enë nëpër lagje, ka pasë tepër pak njerëz që kanë mbet. Kjo për shkak se shumica kanë dalë ose para se me fillu bombardimet ose pasi kanë fillu bombardimet. Si fëmi, masandej kemi dal andej-këndej, gjejshim vezë të pulave. Është dashtë me mbush me diçka ditën. Ose kemi lujtë futboll. Është e pamundshme 24 orë... okej, flen, po çka bënë pjesën tjetër. Në shkollë s’kemi pasë mundësi me shku se kanë qenë shkollat e mbylluna. Kështu që, ka vazhdu kështu kjo pjesa derisa kanë vendosë trupat e NATO-s me hy edhe e mbajë mend që masandej kanë qenë dy momente tjera të rëndësishme në jetë: kur janë largu ato forca serbe që kanë qenë në kazermën tek lagjja tjetër, E mbaj mend që na si fëmi kemi dalë te rruga. I qojshim dy gishta kështu, (qesh)... E nuk e logjikojshim që ata hala i kishin armët në dorë, kanë pasë mundësi veç me kthy ashtu tyten edhe me gjujtë, se fundja çka, një ma shumë ose një ma pak. Për ata s’ka pas mundësi. Por na bojshin me dorë qafës që demek “ Ëe ëill kill you”, “Kemi me ju pre”. Por pa ndonjë incident. E di që jemi gëzu shumë kur i kemi pa tu largu. Momenti tjetër është masandej kur kanë hy forcat franceze. Kanë hy kah lagjja jonë, prej Preshevës po besoj. Ose, s’e di, ajo rruga të çon për Preshevë. Edhe ajo ka qenë pjesa tjetër që jemi gëzu ashtu shumë, edhe me njëfarë mënyre ka qenë si: “Tash jemi OK, tash jemi mirë. Tash jemi çliru edhe s’mund të ndodhë diçka tjetër”. Menjëherë masi kanë hy forcat, e mbaj mend ashtu si e vogël e kam shkru njëfarë letre “NATO, UÇK...” (qesh) ... edhe kemi shku, forcat e KFOR-it janë vendosë te shkolla aty, te shkolla jem fillore “Abaz Ajeti”... edhe e kanë pas rrethu komplet shkollën, por i kanë pasë ato rojat e ushtrisë, edhe na tu bo “NATO, UÇK, thank you” ... me atë pak anglisht që e kemi ditë. Se masandej forcat franceze kanë vazhdu tutje. Në Gjilan kanë qenë forcat amerikane. Dhe me pak atë anglisht çka e dishim, shkojshim me i falënderu... thank you, t’u u munu me fol pak anglisht, t’u iu tregu sa falënderues e sa ma mirë tash jemi. Është vështirë me kalu prapë nëpër këto kujtime. Kujtimet e mia janë asgjë në krahasim me njerëz që kanë përjetu shumë ma shumë në luftë, që i kanë pa familjarët e vet duke u vra, ose t’u iu përdhunu, ose duke iu masakru. Po prapë është ajo ndjenja e frikës që nuk e din çka ka me ndodhë mas një minuti, çka ka me ndodhë të nesërmen ose

BG: Çfarë ndikimi mendon që ka pasë lufta në jetën tande, edhe çfarë ndikimi mendon se vazhdon me pasë në jetën e përditshme?

LZ: Nëse mendojmë që ajo që s’të vret të bënë më të fortë, ndoshta mundemi me thanë që na ka bo ma të fortë. Por, normal, është diçka që s’mundesh me shly asnihere prej mendjes. Edhe është diçka që të bënë me u solidarizu me njerëzit e tjerë që kalojnë të njëjtën ngjarje, me luftrat e tjera që janë ba, edhe që po vazhdojnë me u ba. Të bon me u ndi pak ma e ndjeshme ndaj njerëzve që kanë përjetu edhe më keq. Por në anën tjetër, është problem me mendu, problem edhe me fol për luftë, sepse si qenie njerëzore kemi qef me i mendu senet e mira edhe me fol për gjanat e mira. E lufta nuk është diçka e mirë, edhe t’u u mundu ashtu me ndrydhë në mendjen tonë, mos me kujtu gjithmonë se prapë janë emocione, që veç pe shoh tash t’u i kujtu ato gjana sa e sikletshme është. Na ka bo nashta pak ma të ndrydhun në vetvete, duke mos dashtë me fol për atë periudhë. Sado që është e rëndësishme me u fol edhe me u përmend, se tash kem edhe gjenerata të pasluftës që po i bojnë 20 vjet, edhe nuk e kuptojnë kurrë qysh... edhe shpresoj që kurrë s’kanë me kuptu qysh me kalu nëpër luftë... por prapë është e rëndësishme për ta me e ditë. E mbaj mend në një verë të kalume me nipat e mi në Velipojë, e kanë pasë ashtu ni poligon të gjuajtjes edhe ka qenë fotografia e Millosheviqit aty, edhe nipat e mi janë shumë të vegjël për me ditë kush ka qenë Sllobodan Millosheviqi. D.m.th. sendet duhet me u ditë, çka ka ndodhë, kush çka ka bo, pa paragjykime kombësie. Por, është vështirë me fol, vështirë me e rijetu edhe njëherë krejt atë periudhë.